ANALIZË:  Luftë më e fortë dhe vendimtare kundër ekonomisë gri – borxhi publik “shkel” mbi akull të hollë! (Infografik)

Me kredi të reja brenda dhe jashtë vendit do të kthehen kreditë aktuale, borxhi publik do të rritet, por me rëndësi do të jetë se si do të menaxhohen paratë e huazuara – si dhe për çka do të shpenzohen. Këto janë një pjesë e reagimeve të analistëve ekonomikë pas parashikimeve të publikuara të Ministrisë së Financave se borxhi publik pritet të rritet në një nivel prej gati 66% të PBB-së, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Borxhi publik do të rritet – si do të kthejë shteti kreditë…

Pandemia la pasoja të mëdha negative mbi ekonominë, marrja e kredive për të ndihmuar ekonominë dhe qytetarët ishte e pashmangshme.  Pason një periudhë në të cilën qeveria do të testohet – si t’i konsolidojë financat publike, të paguajë detyrimet e saj në kohë, dhe gjatë kësaj të mos e përdorë masën më jopopullore – rritjet e tatimeve, komentojnë ekonomistët. Ata vlerësojnë se Strategjia e re Fiskale për periudhën 2022-2024 me perspektivë deri në vitin 2026 i shpreh me saktësi parashikimet në një periudhë afatmesme – por publiku duhet ta dijë dhe ta vërejë se a synon qeveria ta zvogëlojë borxhin shtetëror dhe si planifikon ta bëjë këtë, thotë profesori universitar, Marjan Petreski për “Portalb”-in.

“Sa i përket parashikimeve të borxhit, mendoj se janë të sakta, por nuk e pasqyrojnë sa duhet ambicien për ta luftuar ekonominë gri. Në fakt, një luftë vendimtare dhe sistematike kundër ekonomisë gri do ta lehtësojë konsolidimin fiskal madje pa bërë ndryshime të mëdha në përqindjet e tatimeve, dhe mu për këtë arsye ajo është e rëndësishme. Sidoqoftë, tendenca e autoriteteve fiskale duhet të mbetet për të ulur borxhin nën 60% të PBB-së në një periudhë afatmesme”, thotë Petreski.

Sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave të shënuara në Strategjinë e re Fiskale, borxhi publik do të rritet edhe vitin e ardhshëm kur pritet të arrijë kulmin prej 65.9%, e më pas pritet ulje e tij.

“Parashikime tepër ambicioze për rritjen ekonomike që bazohen në parashikime joreale të bumit të investimeve – ky skenar nuk paralajmëron se ekonomia do të rimëkëmbet në mënyrë të qëndrueshme dhe se borxhi publik do të ulet” – thotë për “Portalb”-in,  Gordana Dimitriska Koçoska, ekonomiste dhe anëtare e KE të VMRO-DPMNE-së.

“Kur nuk ka investime, nuk mund të priten të ardhura më të larta në buxhet, kështu që parashikimet e borxhit publik janë të frikshme, veçanërisht pasi nuk kemi parë që qeveria të prezantojë ndonjë masë antikrizë (këtu e kam fjalën për masa antikrizë siç është ndalimi i blerjes së automjeteve, mobiljeve etj.) në kushte kur deficiti buxhetor po rritet me shpejtësi marramendëse. Kur nuk keni para në shtëpi, së pari riorganizoheni, veçanërisht nëse keni edhe kredi të tjera, dhe atëherë shkoni në një bankë për kredi të reja. Ky projeksion i borxhit publik tashmë është seriozisht shqetësues, veçanërisht kur bëhet nga një qeveri që nuk ka vizion, e as dëshirë për të punuar, gjë që më bën të shoh vetëm skenarë të zinj.  Në kushte të tilla, kthimi i kredive (veçanërisht që do të pasohet nga një rritje e përqindjeve të kamatës, që do të jetë një barrë plus), do të jetë rraskapitëse për buxhetin” – thotë Koçoska.

Ristartimi i ekonomisë përmes një cikli të fortë investimesh që do të sjellë rritje të konsiderueshme ekonomike – sipas Qeverisë ky është plani që do të çojë në konsolidimin e financave publike, e me këtë edhe në uljen e borxhit.

“Parashikimet janë se deri në vitin 2025 borxhi do të mbahet brenda kësaj kornize, por në vitin 2025 dhe në vitet në vijim borxhi publik do të vazhdojë të bjerë sepse në thelb, me një vështrim të hollësishëm të të gjitha ndërhyrjeve që i ndërmerr qeveria, Prodhimi i Brendshëm Bruto do të rritet me përqindje shumë më të larta se sa përqindjet e rritjes së borxhit publik. “Por qytetarët tanë, bashkëqytetarët, fëmijët tanë nuk duhet të shqetësohen për rritjen e borxhit publik për sa kohë që ne i investojmë fondet që marrim për të ardhmen e tyre”  – deklaroi Zëvendës-Kryeministri, Fatmir Bytyqi, duke e komentuar Strategjinë Fiskale.

Është e qartë se pozicioni kreditor i vendit ka ndryshuar ndjeshëm, “Portalb”-i tashmë ka analizuar sesi ka lëvizur  borxhi vitet e fundit – vetëm dy vjet më parë ishte nën 50% të PBB-së.

Sipas të dhënave më të fundit, deri në fund të tremujorit të parë të këtij viti, borxhi publik arriti në gati 7.2 miliardë euro ose 62.5% të PBB-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button