Do të intensifikohen takimet mes palës maqedonase dhe bullgare para samitit të BE-së

Kryeministri Zoran Zaev sot paralajmëroi intensifikim të takimeve me autoritetet bullgare në drejtim të arritjes së zgjidhjes për kontestin me Bullgarinë, para samitit të qershorit të Bashkimit Evropian, për të cilin ekziston optimizëm se do të jepet dritë jeshile për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, transmeton Portalb.mk.

Ai tha se në periudhën deri më 22 qershor do të mbahen shumë takime. Si mundësi për takime me përfaqësuesit bullgarë ai përmendi samitin në Antali më 17 qershor dhe samitin e NATO – s në Bruksel më 14 qershor.

“Besoj se do të shihemi edhe në formë bilaterale sepse ministrat tanë për Punë të Jashtme me ekipet e tyre bashkëpunojnë, e zhvillojnë planin për bashkëpunim. Bëhet fjalë për planin sektorial nga të gjitha fushat, besoj se do ta përcaktojmë deri në fund. Unë madje besoj se mund të mbahen edhe konferenca ndërqeveritare në periudhën vijuese, ndërsa në ndërkohë të miratohen të gjitha çështjet e nevojshme”, tha Zaev.

Ai shtoi se, intensifikimi i takimeve dhe afrimi i zgjidhjes, mund të ndihmoj për, siç tha, “Po-në e zëshme” e cila pritet më 22 qershor për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgari i afrojnë pozicionet në bazë të propozimit portugez për zgjidhje të kontestit, i cili së fundmi iu prezantua të dyja palëve. Partia opozitare VMRO DPMNE akuzoj se propozimi është i dëmshëm dhe është planifikuar që deklarata bullgare të bëhet pjesë e kornizës negociuese dhe këkron nga Zaev të tregojë nëse ajo deklaratë është në tavolinë, me të cilën mohohet identiteti, historia dhe gjuha maqedonase. Po ashtu, akuzon se po zhvillohen negociata të fshehta me Bullgarinë dhe kërkon përgjigje për atë nëse është e saktë se Zaev i pranon pozicionet bullgare.

Lideri i VMRO – DPMNE-së,  Hristijan Mickoski të premten nëpërmjet një komunikate, ka theksuar se është e papërgjegjshme të bëhet tradhti nacionale dhe të negociohet për historinë dhe gjuhën.

Kryeministri, por edhe përfaqësues të tjerë të Qeverisë kanë potencuar se propozimi portugez në asnjë mënyrë nuk prek çështjet e identitetit.  

Zaev dje i ka vlerësuar si joserioze deklaratat, veçanërisht nga kryetari i VMRO DPMNE-së, në lidhje me çështjen me Bullgarinë dhe theksoi se ato mund të shkaktojnë vetëm pasoja të dëmshme dhe bllokim të procesit të eurointegrimeve të Maqedonisë së Veriut.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, i ka përmbushur kushtet dhe ka marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perëndimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te anëtarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button