Nga misri i kuq deri te vaksinat

SHBA filloi me shpërndarjen e vaksinave në të gjithë botën si një mënyrë për t’i mbajtur premtimet globale amerikane të botës së re post- pandemike e cila duket që tani e vrazhdë. Pas Luftës së Dytë Botërore (LDB) ndihma amerikane në teknologji dhe ushqime vazhdoi për popujt e varfër dhe për shtetet e shkatërruara nga lufta. Evropa Perëndimore falë vullnetit të qeverisë amerikane filloi të rindërtohet, kurse në vitin 1951, presidenti amerikan Hari Truman i kërkoi Kongresit Amerikan të siguronte ndihmë ekonomike për Jugosllavinë. Ndihma u aprovua megjithatë, Jugosllavia provoi të ishte një kartë e rrezikshme e Luftës së Ftohtë ashtu siç është sot Ballkani Perëndimor në konkurrencën e vaksinave.

Presidenti Hari Truman vendosi që SHBA do të siguronin ndihmë politike, ushtarake dhe ekonomike për të gjitha kombet demokratike nën kërcënim nga forcat e jashtme ose të brendshme. Nuk ishin vetëm kombet e Federatës Jugosllave që morën ndihmë nga SHBA, edhe shqiptarët që jetonin në sistemin e ri, filluan të shijonin artikujt ushqimor amerikan. Sipas tregimeve të babait tim, Hajria dhe Eminja dy motrat e tij, vishnin fustana dhe veshje tjera nga Amerika që organet e pushtetit i shpërndanin në atë kohë. Miell, qumësht, djathë dhe vezë pluhur ishin të mirat që banorët i gjenin në tryezat e tyre të përditshme. Ushqimi i konzervuar nga sovjetikët pothuajse ishte harruar dhe ndihma e jashtme amerikane për popujt që bënin pjesë në programin amerikan vazhdonte të gëzonte mjaft reputacion nga popujt që prisnin ushqim nga SHBA.

Sot, mbi shtatë dekada kur LDB ka përfunduar, Hajria dhe Eminja në moshë të thyer ende presin kohën se kur autoritetet do t’i thërrasin për tu vaksinuar e për të parë ditë më të mira. Të dy motrat janë në pritje, po jo si në vitin 1950 për misër të kuq nga SHBA, por tani për ndihmë emergjente nga Perëndimi për të shpëtuar nga sëmundja ngjitëse. Tani në këtë garë globale nuk është vetëm SHBA-ja që me vaksinën “Pfizer” dhe llojet tjera po bën përpjekje për të shprehur solidaritetin me popujt që nuk kanë mundësi të blejnë vaksina, këtu janë kinezët bashkë me rusët që kanë tërhequr vëmendjen e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.

Në një gjendje të re ndërkombëtare dhe rajonale dihet se qytetarët dhe qeveritë do të joshen nga ofertat e shpejta dhe pa ngarkesë financiare që i ofrojnë qeveritë prodhuese të vaksinave dhe organizatat e huaja. Qytetarët e Ballkanit Perëndimor janë vaksinuar më shumë me “SinoPharm” dhe “Sputnik se sa me “Pfizer” e kjo është një tregues se angazhimi i tanishëm amerikan është paska i vonuar, por megjithatë më mirë tani se asgjë. Fundja nuk kemi se çfarë të themi për Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut (MV) që kanë preferenca të përziera ruso-kineze dhe perëndimore.

Ajo që duhet të mbetet shtylla kryesore afatgjate për amerikanët dhe aktorët aktiv në Ballkan, është politika e mos zbrapjes nga rajoni që vazhdimisht duhet të jetë e mbështetur me ndihma konkrete në teknologji, ekonomi, në investime dhe në diplomaci të mençur. Pa këta prerogativa, rajoni dhe MV-ja do të jenë të ekspozuara nga ndikimet që do të vendosin për qetësinë e brendshme. Shkurt, pa misër dhe të mira nga SHBA dhe vendet tjera të zhvilluara qofshin edhe fqinjë, MV dhe gadishulli do të jetë i varur në faza të caktuara nga Rusia dhe investimet e zbehta kineze. Klithjet e kota qeveritare të Shkupit se BE po na injoron nuk qëndrojnë dhe kërkojnë adresim të qartë të çështjeve të hapura fqinjësore. Tani në pandemi dhe pas, qytetarët e MV-së kërkojnë më shumë se misër të kuq apo qumsht pluhur.

Të paktën që mund të bëjë SHBA dhe aktorët tjerë është presioni mbi qeverinë për t’i respektuar të drejtat themelore sociale dhe shëndetësore të cilat u shkelën gjatë krizës dhe vazhdohet me trendin e shkatërrimit ekonomik të qytetarëve me çmime të larta. Pa një kontroll të jashtëm dhe autoritativ, shoqëritë e prekura nga pandemia do të rëshqasin drejt politikave të shteteve që kërkojnë të zënë vend në Ballkanin Perëndimor. Koha është për veprime konkrete ekonomike nga SHBA, BE-ja dhe shtetet mike nga rajoni.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button