Opozita shqiptare reagoi pas pozicionit të ri të BDI-së si parti e gjelbër: Ky është stili i vjetër i mashtrimit dhe hipokrizisë

Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka reaguar pas konferencës së kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, ku deklarativisht theksoi që BDI-ja do të ndjek agjendën e gjelbër tani e tutje, transmeton Portalb.mk.

“Sot BDI-ja hoqi dorë nga statusi i UÇK-së, nga barazia e shqiptarëve, nga drejtësia, nga kryeministri shqiptar dhe gjithçka që kishte premtuar. Stili i vjetër i mashtrimit dhe hipokrizisë vazhdon”, deklaroi Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët.

Ai theksoi që për nëntëmbëdhjetë vite nuk u kuptua që BDI-ja a është parti e majtë apo e djathtë.

“Një parti e dal nga lufta, që nga emblema kuq e zi, kaloi në ngjyrë të kaltër, sot po tenton të mashtrojë qytetarët dhe në veçanti shqiptarët me ngjyrën e gjelbër. Akoma pa zgjidhur probleme të natyrës kombëtare, sot deklaruan që do të merren me punë të gjelbra”, deklaroi Bexheti.

Bexheti theksoi që kryetari i Strugës nga radhët e BDI-së, Ramiz Merko, çdo ditë uzurpon hapësira të gjelbra, Tetova nuk ka ujë për pije dhe ka ajër të ndotur, Çairi ka kaos urbanistik, qytetarët e Likovës janë pranë pendës por pa ujë.

“Uji keqpërdoret nga hidrocentralet, bizneset e funksionarët e BDI-së, e kryetari i tyre pa fije turpi del dhe derdh lot krokodili për ujë për pije. Partia që dështoi me integrimet evropiane, sot në vend që të tërhiqet, po maskohet si parti e gjelbër evropiane. Ky është kulmi i hipokrizisë”, deklaroi Bexheti, i cili shprehet që në vjeshtë komunat shqiptare do të pastrohen nga regjimi i kuadrove të njollosura të BDI-së.

Ndryshe, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në përvjetorin e themelimi të saj u pozicionua deklarativisht si parti e gjelbër në konferencën e sotme për media, duke numëruar arsyet dhe motivin për këtë pozicionim.

Forumi Rinor i Aleancës për Shqiptarët në Ditën Ndërkombëtarë të Mjedisit Jetësor ka shpërndarë mbeturina para objektit të Ministrisë për Mjedisit dhe Planifikim Hapësinor për të shprehur pakënaqësitë në krijimin e deponimeve nëpër vendbanimet shqiptare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button