Sot filloi linja e re ajrore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rusisë, ministri paralajmëroi edhe disa fluturime të reja

Në orët e mesditës është realizuar fluturimi i parë ndërmjet Moskës dhe Shkupit përmes kompanisë ruse “Nordwind Airlines” me aeroplanin e llojit Boing 737-800, fluturim i cili zgjati afër 3 orë e gjysmë, transmeton Portalb.mk.

“Kjo është linja e parë ajrore dhe lidhja e drejtpërdrejtë midis kryeqyteteve të Maqedonisë së Veriut dhe Rusisë pas 20 viteve. Duke filluar nga sot “Nordvind”, do të fluturojë një herë në javë, çdo të premte nga Aeroporti Ndërkombëtar “Sheremjetvo” në Moskë deri te Aeroporti Ndërkombëtar në Shkup”, deklaroi ministri Bllagoj Boçvarski, duke paralajmëruar fluturime të reja për në Barcelonë, Maltë, Larnakë, Paris, Oslo, Milano, Trevizë dhe Romë.

Aeroplani zbriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, që sipas MIA raportohet që aeroplani ishte me kapacitet prej 189 ulëse. Raportohet që fillimisht fluturimet do të jenë një herë në jave, të premtet, me plan që të vazhdohet edhe me dy fluturime tjera shtesë.

Përmes aeroporteve të Maqedonisë së Veriut do të mund të udhëtohet edhe në pika të reja në Francë, Gjermani, Austri dhe Suedi. Pikat e reja janë për në Paris Bove, Bazel-Milhaus-Frajburg, Fridrihshafen, Dortmund, Vjenë, Karlsrue / Baden-Baden dhe Malme.

Ndryshe, TAV Maqedonia planifikon realizimin e fluturimeve për 57 destinacione gjatë periudhës mars-tetor përmes Aeroportit të Shkupit dhe Ohrit.

“Në kuadër të orarit të fluturimeve verore për vitin 2021 (mars-tetor), janë paralajmëruar 44 destinacione me 11 linja ajrore nga Aeroporti i Shkupit, ndërsa nga Aeroporti i Ohrit, megjithëse aktualisht ka vetëm 2 linja ajrore, priten 13 destinacione të rregullta dhe 6 fluturime sezonale çarter nga fundi i qershorit”, raporton TAV Maqedonia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button