Zaev: Nuk bëjmë marrëveshje të re me Bullgarisë, po kërkohen formulime për kornizën negociuese me BE-në

Kryeministri, Zoran Zaev, tha sot se nuk negociohet për marrëveshje të re me Bullgarisë, por kërkohen formulime për kornizën negociuese me BE-në. Zaev duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për akuzat e VMRO – DPMNE-së se po zhvillohen negociata të fshehta për marrëveshje të re me Bullgarinë, përsëriti se nuk negociohet për identitetin dhe gjuhën maqedonase, transmeton Portalb.mk.

“Ne nuk kemi negociata, as nuk bëjmë marrëveshje të re me Bullgarinë, kërkohen formulime për pjesën e kornizës negociuese që e miraton Këshilli Evropian, do të thotë vendimi është aty, nuk vendoset diçka në Bullgarinë apo në Maqedoninë e Veriut”, tha Zaev.

Ai përsëriti se propozimi në të cilin bisedohet në institucionet evropiane në mënyrë bilaterale mes dy shteteve është ai portugez dhe se reagimet e para nga pala bullgare nuk janë negative.

“Edhe nga ana jonë kemi thënë se është bazë e mirë dhe t’i japim shanse procesit sepse për ne është e rëndësishme ajo që e kuptoi gjithë BE-ja, ndërsa shoh se e kupton edhe Bullgaria mike – gjuha maqedonase dhe identiteti maqedonas janë të paprekshme dhe për to nuk ka bisedime. Këtë e kemi kumtuar publikisht, gjithkund dhe në të gjitha mbledhjet në Bruksel – nëse është në tavolinë apo nëse dikush ka për qëllim ta vendosë në tavolinë për bisedime dhe negociata gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas ne nuk negociojmë. Ndërsa, tani e shihni se flasim, do të thotë kjo çështje është lënë anash”, tha ai.

I pyetur a e pranojmë deklaratën e Kuvendit bullgare, duke u përgjigj se jo dhe tha se, propozimi portugez i kushton kujdes dhe vëmendje të dyja palëve dhe se shpreson në zgjidhje të mundshme.

“Me të vërtetë një padrejtësi prej 16,5 viteve pritje me status kandidat, ajo duhet të jetë shqetësimi i parë i BE-së, sepse Ballkani Perëndimor i yni nuk ka alternativë tjetër përpos BE-së. Ne vazhdojmë me evropianizimin tonë, por do të ishte mirë dhe e ndershme ta mbajnë fjalën – na premtuan dhe duhet të përmbushin. Unë pres, 22 qershori është mejdani i parë, i ardhshmi është shtatori, dy tre muaj dallim që ajo të zgjidhet. Sepse kemi shumë sfida të tjetra, duhet të fillojmë me skriningun e gjithë legjislacionit, menjëherë pas asaj t’i hapim kapitujt e parë, do të shohim se si evropianizohet shteti, ajo është tendenca jonë dekadëshe që jemi të obliguar ta realizojmë”, tha kryeministri.

Zaev ju bëri thirrje strukturave udhëheqëse bullgare ta propozojnë atë që e dërguan si porosi se janë për mbështetjen e evropianizimit të Maqedonisë së Veriut dhe gjithë Ballkanit Perëndimor, duke shprehur optimizëm se do të realizojnë kontakt të ndërsjellë me kryeministrin teknike të Bullgarisë, Stefan Janev.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, i ka përmbushur kushtet dhe ka marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perëndimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te anëtarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button