Zaev mohoi se LSDM dhe BDI kanë dakorduar kandidat të përbashkët për Qytetin e Shkupit

Kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ka hedhur poshtë zërat e përhapura ditëve të fundit se kjo parti do të garojë me kandidat të përbashkët me BDI – në për kryetar të Qytetit në Shkupit në zgjedhjet e ardhshme lokale. Zaev sot deklaroi se, LSDM dhe BDI aspak nuk kanë biseduar për kandidat të përbashkët për kryetar të Shkupit për zgjedhjet lokale të tetorit, transmeton Portalb.mk.

“Jo, aspak nuk është biseduar për një gjë të tillë për kandidat të përbashkët apo kompensim apo diçka të ngjashme. Bëhet fjalë për platformë politike, perspektiva, ardhmëri dhe kështu me rradhë”, tha Zaev pas një aktiviteti të zhvilluar në Shtip.

Kryeministri tha se, bëhet fjalë për diçka që paraqet modernizim të partnerit të koalicionit dhe potencoi se është logjike që të lë të flasin ata për detajet, ndërsa është në frymën e asaj që e punojnë si Qeveri.

“Ashtu siç i prezantuam ndryshimet tona si partner më i madh në koalicionin tonë që bëheshin me evidencë elektronike, votim të drejtpërdrejt, përfaqësim të barabartë të grave dhe burrave dhe përfaqësim më të madh të të rinjve në parti, ashtu edhe BDI më kanë informuar për këtë ndryshim cilësor dhe të mirë. Shpresoj se do të arrijnë suksese të reja, sepse me të vërtetë është një qasje moderne që do të presim nesër ta dëgjojmë të gjithë”, tha Zaev.

Ai tha se bëhet fjalë për partinë politike BDI dhe se ajo që do ta thonë ia vlen për vëmendje.

Paraprakisht, edhe nga BDI kanë mohuar informatën se dy partitë do të dalin me kandidat të përbashkët në  zgjedhjet lokale, duke theksuar se Imer Selmani, emri që përmendej në disa media, në të vërtetë nuk është anëtar i kësaj partie.

BDI dje paralajmëroi se lideri i partisë, Ali Ahmeti nesër do të kumtojë një befasi.

“Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, me rastin e 19 vjetorit të themelimit të partisë, të shtunën më 5 qershor në orën 12:00, do t’i drejtohet qytetarëve. Kryetari Ahmeti përmes rrjeteve sociale do ta përcjellë porosinë drejtuar gjithë anëtarëve të partisë dhe në përgjithësi gjithë qytetarëve të vendit tonë”, thanë nga BDI.

Pas publikimit të këtij paralajmërimi, një pjesë e mediave filluan të spekulojnë se “befasia” e BDI do të jetë kandidati i përbashkët me LSDM-në për zgjedhjet lokale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button