KRRE në të ardhmen nuk do ta përcaktojë çmimin përfundimtar të rrymës, por vetëm tarifën për transmetim dhe distribuim

Ka gjasa të mëdha që së shpejti Komisioni rregullator për energjetikë dhe shërbime ujore të mos e ketë më rolin e rregullatorit në tregun e energjisë elektrike, që ndikon në çmimin përfundimtar të rrymës, të cilin e paguajnë familjet dhe kompanitë e vogla, paralajmëron kryetari Bislimoski, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

KRRE në të ardhmen do ta rregullojë vetëm sistemin tarifor, përkatësisht marzhën për distribuim, ndërsa çmimi i rrymës do të formohet lirshëm në treg, ku do të përcaktohet çmimi e blerjes për megavat-orë. Kjo do të thotë që në të ardhmen KRRE do ta përcaktojë vetëm çmimin për distribuim dhe transmetim, më saktë, do t’i rregullojë monopolet natyrore (largpërçuesit, rrjetet deri në shtëpitë dhe ngjashëm). Sa do të jetë ajo përqindje në përllogaritjet për çmimin përfundimtar, për momentin nuk mund të saktësohet, për shkak se do të varet nga më shumë faktorë.

Këtë, nga Maqedonia e Veriut, e kërkon një kohë më të gjatë Komuniteti energjetik, ndërsa RMV si anëtare, e ka për detyrë të zbatojë harmonizim të plotë të legjislacionit tonë me direktivat e BE-së. Nga KRRE theksojnë që për atë qëllim, po punohet në ndryshime në Ligjin për energjetikë që do ta përcaktojnë rolin e ri të ndryshuar të KRRE-së në tregun energjetik të vendit.

“Vetëm edhe Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Serbia, nga vendet fqinje dhe më gjerë kanë ngelur me treg të rregulluar të energjisë elektrike dhe kjo duhet të ndryshojë”, tha për Meta.mk kryetari i KRRE-së, Marko Bislimoski.

Ai sqaroi që furnizuesi universal për energji elektrike do ta ketë për obligim në përllogaritjen e çmimit përfundimtar të rrymës ta përfshijë edhe përqindjen e marzhës.

“Në praktikë kjo do të thotë që familjet do të pranojnë dy fatura, siç është në shumë vende. Njërën nga furnizuesi me energji elektrike, për energjinë e harxhuar, faturën tjetër për lidhjen në rrjet, që ka të bëjë me infrastrukturën e sistemit energjetik”, thekson Bislimovski dhe shton që aktualisht po përgatiten ndryshime në Ligjin për energjetikë.

“Ashtu është në tregun e lirë”, thotë Bislimovski duke shtuar se “ajo që KRRE do të ndikojë vetëm në tarifat e rrjetit për transmetim aspak nuk do të thotë që medoemos do të rritet edhe çmimi i rrymës për familjet dhe për firmat e vogla”.

Megjithatë, sipas përllogaritjeve të rregullatorëve, çmimi i rregulluar tani është 4,81 denarë për një kilovat-orë të harxhuar, ndërsa nëse konsumatorët dalin në treg të lirë, kjo mund të nënkuptojë rritje të çmimeve deri 30%.

Marzha për distribuim tani përllogaritet si shumë nga të ardhurat për mbulim të shpenzimeve operative, kthim të kapitalit, shpenzim për mbulim të humbjeve të energjisë elektrike, amortizim, tatime dhe shpenzime tjera. Çmimin më të ulët të marzhës prej 11,5%, fiks, në tenderin e vitit 2018 e ofroi EVN Home, si furnizues universal me energji elektrike. Ky do të vlejë deri në vitin 2024 dhe deri atëherë do të përllogaritet në shumën përfundimtare të faturave për rrymë. EVN Home është e obliguar me këtë përqindje të marzhës t’i mbulojë detyrimet për amortizim, humbje, shpenzime operative, kërkesa të papaguara dhe ngjashëm dhe të lë një pjesë për profit të caktuar.

Lidhur me çmimin e ri të rrymës dhe rritjen eventuale të tij nga muaji gusht, Bislimoski përkujton që ende janë duke u analizuar shpenzimet e paraqitura nga kompanitë energjetike MEPSO, MENO (Marketi  energjetik nacional) dhe Elektro-distribuimi.

Megjithatë, sa do të ishte rritja përfundimtare e çmimit të rrymës, do të varet nga çmimi që do ta arrijë EVN Home në tenderin për prokurim të energjisë elektrike, i cili do të publikohet në qershor.

Nëse merren parasysh vetëm shpenzimet e paraqitura nga kompanitë tjera, pa EVN Home, çmimi do të rritet rreth 5%, tregojnë përllogaritjet e KRRE.

Bislimoski përkujtoi që MEPSO ka kërkuar rritje të çmimit për transmetim prej 143%, MENO për organizim dhe menaxhim të tregut të rrymës, nga 45%, ndërsа Elektro-dustribuimi për 0,95%. EVN Home ka parashtruar vetëm kërkesë për marzhën. Në tenderin që do ta shpall kjo kompani, EEM ka për obligim të ofrojë 70% të nevojave të tregut, ndërsa pjesa tjetër do të sigurohen me import. Gjatë kësaj, çmimi i EEM-së nuk duhet të jetë më i lartë se çmimi importues për megavat-orë siç ishte deri tani. Në 4 muajt e parë të vitit, EEM ka ofruar çmim prej 38,8 euro për mgv-h. Përndryshe, vitin e kaluar EEM ka ndikuar me 42,88% mbi çmimin përfundimtar të rrymës, OIE me 7,3%, MEPSO me 3,53%, MENO me 0,13%, Elektro-distribuimi me 35,91% dhe EVN Home me 10,26%.

Sa u përket propozimeve të KRRE-së për zvogëlim të tronditjeve në çmime nga ndryshimet e çmimit të rrymës mbi varfërinë energjetike, Bislimoski thotë që ende janë duke u zhvilluar  bisedat me grupet e punës dhe po shqyrtohen propozimet e KRRE-së. Ndër ato janë edhe propozimet për transferim të drejtpërdrejtë të ndihmës shtetërore (që është në shumë prej 1.000 denarë për çdo familje) në faturat e rrymës, për personat me të ardhura të ulëta.

Kjo nismë e KRRE-së është para shumë kohë, mirëpo ende është në fazë të bisedave e negociatave me kompetentët. Bislimoski thotë që deri në fund të vitit pritet të miratohen edhe zgjidhje konkrete.

 

Lidhur me varfërinë energjetike, ai përkujton që KRRE vitin e kaluar pati edhe propozim për ulje të TVSH-së për rrymë, nga 18 në 5%, sipas shembullit me ngrohjen qendrore, që konsiderueshëm do t’i zvogëlojë shumat e faturave për qytetarët. Mirëpo, ky propozim nuk u pranua nga Qeveria.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button