RMV, spitalet po zbrazen – pritet të ketë lehtësim të masave anti-kovid

Spitalet ngadalë po zbrazen nga kovid-pacientët, situata epidemiologjike është stabile dhe numri i të infektuarve me kovid-19 po zvogëlohet. Nëse kjo tendencë vazhdon, autoritetet paralajmërojnë lehtësim shtesë të masave kufizuese nga 15 qershori. Deri atëherë, është në fuqi ora policore, e cila fillon në mesnatë dhe zgjat deri në orën 4 të mëngjesit, njofton Portalb.mk.

“Takimi i ardhshëm i Komisionit për Sëmundjet Infektive do të jetë para 15 qershorit, ndërsa deri atëherë do të punojmë me organizatorët e ngjarjeve të ndryshme, koncerteve për të miratuar protokollet e duhura”, njoftoi Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Qeveria së fundmi hoqi disa kufizime për mbajtjen e maskave në ambient të hapur dhe lejoi që përsëri të zhvillohen dasma në ambient të hapur. Për atë qëllim, u miratuan protokolle të veçanta të cilat shkaktuan pakënaqësi tek hotelierët. Edhe muzikantët që po protestojnë para Qeverisë mesditën e sotme janë të pakënaqur me protokollet. Shumica e artistëve të estradës nuk pajtohen me vendimin që muzikë live të ketë vetëm në dasma dhe jo në kafene dhe bare të tjera.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, pas një kohe të gjatë asnjë pacient nuk është hospitalizuar për shkak të ndërlikimeve të koronavirusit në Shkup. Gjithsej 58 persona të dyshuar dhe të konfirmuar për kovid-19 po trajtohen në repartet e sëmundjeve infektive në kryeqytet. Gjithsej 83 pacientë pozitiv dhe të dyshuar me koronavirus po trajtohen në qendrat kovid në spitalet në të gjithë vendin. Nuk ka raste aktive me kovid-19 në disa komuna – të tilla si Dojrani, Pehçeva dhe Demir Kapija.

Imunizimi masiv i popullatës gjithashtu kontribuoi në ngadalësimin e infeksionit. Në pikat e vaksinimit deri dje, janë vaksinuar gjithsej 241,368 qytetarë. Gjithsej 362,710 doza vaksinash janë aplikuar në vend, ndërsa 121,342 qytetarë janë rivaksinuar. Sipas shifrave të fundit, 47 përqind e popullsisë mbi moshën 70 vjeç dhe 41 përqind e popullsisë mbi moshën 65 vjeç kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.

Dje filloi vaksinimi i të gjithë pacientëve me sëmundje kronike dhe me rrezik nga kovid-19, të moshës 20 deri 40 vjeç, të cilët janë paraqitur deri më 30 prill. Filipçe sot njoftoi se brenda shtatë ditësh e pritet të mbërrijë 500 mijë vaksina kineze, ndërsa vaksinat ruse “Sputnik” do të vonohen. Kur të gjithë shtetasit nga lista e të paraqiturve të jenë mbaruar, pikat e vaksinimit mund të funksionojnë pa termine.

Ndihmë për vaksina për Maqedoninë e Veriut u paralamërua edhe nga vendet fqinje – Greqia dhe Bullgaria. Pritet që në periudhën e ardhëshme 50,000 vaksina të mbërrijnë nga Bullgaria dhe 20,000 nga Greqia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button