Lundrimi me vela në Liqenin e Ohrit, një mënyrë jetese për Martën dhe Erdalin (FOTO)

Ajo që filloi si dëshirë dhe aktivitet sportiv i dy të rinjve, sot është simbol i qytetit të Strugës. “Saling Regatta” është më shumë se një brend kur bëhet fjalë për lundrimin me vela në Liqenin e Ohrit. Ky brend u krijua nga dy të rinjë që janë rritur buzë liqenit të nxitur nga pasioni dhe dashuria e tyre për lundrimin me vela. Marta dhe Erdali para tre vitesh themeluan veprimtarinë komerciale “Sailing Regatta”. Përderisa për Martën dhe Erdalin lundrimi me vela është stil jete, për shumë turistë ky lloj lundrimi është një mënyrë e mirë për të shijuar bukuritë e Liqenit të Ohrit pa e ndotur atë. Njëkohësisht, për shumë të tjerë lundrimi me vela po bëhet një hobi i dashur veror, shkruan Portalb.mk.

Erdali dhe Marta

Lundrimi me vela është një sport që praktikohet në ujë me një anije e cila lëviz me ndihmën e erës dhe velave. Në këtë sport nuk ka kufizim moshe apo gjinie dhe këtë më së miri na e vërteton Erdali nga Struga dhe Marta nga Ohri. Këto dy të rinjë kanë bërë që lundrimi me vela të frymojë pak më ndryshe duke krijuar brendin “Sailing Regatta”. Po bëhen tre vite që “Sailing Regatta” përveç se realizon lundrime komerciale, duke bërë që turistët vendas dhe të huaj ta shijojnë nga një tjetër perspektivë Liqenin më të vjetër e më të thellë të Evropës, në të njëjtën kohë ofron edhe kurse mësimi për lundrim me vela në Liqen.

“Unë dhe Marta kemi punuar për një kohë të gjatë në projektin “Transatlantic Solo Sailing”. Ideja për të krijuar “Sailing Regatta” filloi pikërisht këtu. Në fillim ishte vetëm gjetja e një mënyre se si ta financojmë projektin vetë. Përvoja jonë shumë vjeçare e lundrimit, anija me vela Didi 26, të jetuarit buzë liqenit, projekti në fjalë dhe dëshira jonë për të promovuar e zhvilluar lundrimin me vela, rezultoi në krijimin e markës “Sailing Regatta”, shprehet Erdal Luso, njëri nga themeluesit e “Saling Regatta”.

This slideshow requires JavaScript.

Për Erdalin dhe Martën lundrimi me vela është stil jete, pa marr parasysh faktin nëse këtë aktivitet ato e ushtrojnë si sport apo si aktivitet komercial. Për këto dy të rijnë dashuria për Liqenin dhe varkën me vela shtohet gjithnjë e më shumë.

“Së pari, do të doja të theksoja se ne të dy kënaqemi me lundrim, dmth. E shijojmë çdo moment. Për mua, nuk është vetëm një sport, dhe as nuk e shoh si një produkt të pazakontë për promovimin dhe afirmimin e rajonit tonë dhe Liqenit të Ohrit. Ne jemi rritur me liqenin, në një varkë me vela dhe deri më sot ne ushqejmë atë marrëdhënie. Pra, për ne lundrimi është thjeshtë një mënyrë jetese”, thotë Marta Pejoska, bashkëthemeluese e “Sailing Regatta”.

This slideshow requires JavaScript.

Lundrimi me vela përveç se një sport mjaft interesant rezulton të jetë dhe një atraksion mjaftë i dashur për turistët. Marta dhe Erdali shprehen të lumtur që njerëzit shprehin interesim dhe dëshirë për të lundruar në Liqen me anije me vela. Një gjë e tillë ka bërë që në Liqenin e Ohrit të rritet numri i anijeve me vela, anije këto të cilat njihen si shumë ekologjike. E megjithatë të ushtrosh këtë aktivitet, qoftë si sport apo si biznes, nuk është edhe aq e lehtë në vendin tonë.

“Nuk mund të themi se është e lehtë. Do të thoja se lundrimi, si sport por edhe si veprimtari komerciale, i ka sfidat e veta të cilat ndonjëherë arrijmë t’i kapërcejmë, por ndonjëherë kur nuk varet nga ne, por nga instanca më të larta, ne mbesim në vend. Ka fusha ku ka përmirësim të gjërave, por sigurisht që duhet kohë, punë e palodhur, këmbëngulje dhe të mos dorëzohesh”, thotë Erdalli.

Liqeni i Ohrit

Kriza e shkaktuar nga COVID-19, në botë, por edhe në vendin tonë, ka prekur më së shumti sektorin e turizmit. Të ardhurat nga turizmi janë ndër burimet kryesore për qytetet që gravitojnë rreth Liqenit të Ohrit. Struga dhe Ohri janë destinacionet më të vizituara në Maqedoninë e Veriut.

Gjatë vitit 2019 në Strugë kanë qëndruar 106 406 turistë, prej të cilëve 52 372 janë turistë vendas dhe 54 034 turistë të huaj. Si pasojë e pandemisë, në vitin 2020 numri i pushuesve në Strugë u përgjysmua. Në vitin 2020 në Strugë janë regjistruar gjithsej 62 484 turistë, prej të cilëve 54 930 janë turistë vendas dhe vetëm 7 554 turistë të huaj.

This slideshow requires JavaScript.

E megjithatë, pandemia COVID19 nuk ishte edhe aq e ashpër me lundrimin me vela në Liqen.

“Panedmia na solli edhe më shumë punë. Na bëri të përqendrohemi më thellësisht në atë që bëjmë, ta përmirësojmë dhe ta sjellim në një nivel të kapshëm për të gjithë”, thotë Marta.

“Duke qenë se secili prej nesh kishte nevojë për qiell të kaltër, perëndimet e diellit dhe ajër të pastër lundrimi me vela u vlerësua me notën 10 si aktivitet në kohën e COVID19”, shton Erdali.

This slideshow requires JavaScript.

Lundrimi me vela si sport ka ekzistuar për një kohë të gjatë e megjithatë si një sport olimpik zyrtarisht figuron që nga viti 1896. Në Liqenin e Ohrit ky sport ka filluar të praktikohet që në vitet 50-ta të shekullit të kaluar. Aktualisht në Liqenin e Ohrit ka më shumë se 50 varka me vela aktive dhe interesi po rritet gjithnjë e më shumë. Erdali dhe Marta shprehen optimist për të ardhmen e lundrimit me vela, qoftë si sport, si aktivitet komercial, apo thjesht si hobi.

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button