Do të ekstradohet në Maqedoninë e Veriut krahu i djathtë i Sedat Pekerit, paralajmëroi ministri Spasovski

Qeveria maqedonase do të kërkojë ekstradimin e Boban Tomovskit, bashkëpunëtorit të Sedat Pekerit, i arrestuar të mërkurën në aeroportin e Stambollit, raporton REL. Detaje të tjera mbi lidhjet dhe qëndrimin e Pekerit në Maqedoninë e Veriut nuk jepen, ndërkohë që opozita maqedonase kërkon përgjegjësi, duke e quajtur qeverinë si hallkë të rrjetit mafioz, të mafiozit turk, Sedat Peker.

Askush nuk do të mund ti ikë përgjegjësisë. Kështu Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka komentuar lajmin mbi arrestimin gjatë mërkurës në Stamboll, të shtetasit Boban Tomovski, që konsiderohet si krahu i djathë i mafiozit turk, Sedat Peker. Ai ka thënë se për këtë rast do të ndiqen procedurat e ekstradimit, por nuk ka dhënë detaje tjera për rastin me Pekerin, hetimin mbi pajisjen e tij me shtetësi maqedonase dhe takimet e tij me zyrtarë të shumtë, derisa kishte qëndruar në Maqedoninë e Veriut.

“Ky person nuk është kërkuar për ndonjë vepër në territorin e Maqedonisë së Veriut. Është arrestuar në Turqi dhe padyshim se në bazë të proceduarave ligjore, do të ndërmerren masa për ekstradimin e tij dhe përgjegjësinë për atë për çka dyshohet. Çdonjëri që është marrë me veprimtari kriminale do ta gjejë e njëjta, sikur Tomovskin, pavarësisht nëse veprën e ka bërë këtu apo jashtë vendit. Drejtësisë nuk do të mund t’i ikë”, ka deklaruar Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.

Mediat turke kanë raportuar se Boban Tomovski, ishte ndaluar në aeroportin e Stambollit, teksa po tentonte të udhëtonte në Egjipt, përmes territorit të Turqisë. Mediat pretendojnë për përfshirjen e tij në tregti me drogë. Pas arrestimit të tij në aeroportin e Stambollit, opozita në Maqedoninë e Veriut ka kërkuar sërish nga institucionet përgjegjësi lidhur me qëndrimin në vend të Pekerit, statusin e të privilegjuarit, pajisjen e tij me një pasaportë të rreme me identitetin Xhadin Amedovski, si dhe takimet me zyrtarë të lartë shtetërorë.

“Tani arrestimi i shtetasit maqedonas në Stamboll, dëshmon se Maqedonia ka qenë dhe është një hallkë e rrjetit mafioz të Sedat Pekerit në rajon. Çmimi i gjithë kësaj është se ne tanimë, kemi një shtet me imazh të rrënuar, degradim të raporteve me Turqinë dhe rritje të mosbesimit ndërkombëtar, ndaj sistemit të sigurisë të dokumenteve personale të Maqedonisë së Veriut. Në vend se të jetë shtet aleat i Interpolit në luftën kundër mafias, Maqedonia bën të kundërtën, furnizon me pasaporta pikërisht drejtuesit e rrjeteve të fuqishme mafioze dhe strehon gjithë ata që kanë problem me Interpolin”, thotë Antonio Milloshoski, deputet i VMRO DPMNE-së, duke kërkuar përgjegjësi dhe zbardhjen sa më të shpejtë të rastit apo lidhjet e Pekerit, me zyrtarët e lartë shtetërorë.

Ndryshe, pretendimet e një bosi të mafias, Sedat Peker, për korrupsion midis zyrtarëve të lartë të Turqisë kanë trazuar politikën turke dhe po kërcënojnë imazhin e qeverisë së presidentit, Recep Tayyip Erdogan, e cila tashmë është duke u përballur me krizën ekonomike dhe pandeminë e COVID-19. Peker, i cili ka edhe pasaportë të Maqedonisë, një kohë ka qenë i strehuar edhe në Kosovë.

Ish-Ministri i Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet duhet të hetojnë këtë rast, që ka ndikuar jo vetëm në raportet me Turqinë, por edhe me shtete të tjera, në kuptimin e luftës apo bashkëpunimit në luftë kundër dukurive negative.

“Ky është një shembull konkret se çfarë mund të ndodhë kur lëshon pasaporta në mënyrë kriminale dhe gjithsesi se pasojat janë evidente…Me siguri se kanë ndikuar në raportet me Turqinë, por edhe me shtetet tjera, por shpresoj se përfshirja në këtë rast e një shërbimi sekret të jashtëm, mund të amortizoj presionin ndaj Maqedonisë, pasi që në këso rastesh janë përfshirë dhe shtete të tjera, kështu që ky rast ka marrë një dimension më të gjerë. Por, ne duhet të jemi të kujdesshëm që këso skandalesh të mos ndodhin, por edhe të kërkohet përgjegjësi ndaj çdonjërit që mund të ketë bërë shkelje të ligjit”, thotë Trajanov.

Sedat Peker, i cili në Turqi konsiderohet si një ndër personat më të rëndësishëm të ‘operacioneve mafioze’ që nga vitet e ‘90-ta, në dy vjetët e fundit ka gjetur strehim në Kosovë, ku kishte siguruar leje të përkohshme qëndrimi. Sikur në Maqedoninë e Veriut edhe gjatë qëndrimit në Kosovë, ai ka takuar zyrtarë shtetërorë. Peker, besohet se aktualisht gjendet në Dubai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button