RMV, paqartësitë rreth edukimit seksual, cila do të jetë përmbajtja e kësaj lënde? (VIDEO)

Në kuadër të reformave në arsimin fillor të cilat u paraqitën nga ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska në fund të vitit të kaluar, është edhe vendosja e edukimit seksual si lëndë zgjedhore për klasat e nënta. Ky hap hasi në kritika dhe kundërshtim nga një grup prindërish të cilët edhe protestuan, për të qartësuar atë se cila do të jetë përmbajtja reale e edukimit seksual dhe se a është gati shoqëria jonë për një lëndë të tillë, biseduam me edukatoren seksuale nga organizata joqeveritare “HERA”, Elena Saveska, shkruan Portalb.mk.

Menjëherë pas prezantimit të planit Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për reforma thelbësore në arsimin fillor nga ministrja Mila Carovska, pati reagime nga një grup prindërish të cilët përveç digjitalizimit, si kërkesë e kishin edhe heqjen e edukimit seksual nga lëndët zgjedhore.

Grupi në “Fejsbuk”, Libra dhe mësim patjetër të ketë i cili numëron afër 80 mijë anëtarë ka parashtruar gjithsej 8 kërkesa në lidhje me reformat e propozuara për arsim fillor, udhëheqësja e këtij grupi, Dragana Spasevska është takuar me krerët shtetërorë por kompromis nuk është gjetur.

Përveç kësaj, në rrjetet sociale janë shpërndarë një sërë dezinformatash në lidhje me përmbajtjen e mundshme të lëndës së edukimit seksual ndërsa të njëjtat nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës shpesh herë janë demantuar.

Cila realisht do të jetë përmbajtja e edukimit gjithëpërfshirës seksual?

Elena Saveska, edukatorja seksuale nga organizata joqeveritare “HERA” potencoi se kjo lëndë para së gjithash nuk do të jetë obligative, gjegjësisht, nxënësit e klasës së nëntë do të mund të zgjedhin në qoftë se duan ta dëgjojnë apo jo.

Elena Saveska, "HERA".
Elena Saveska, “HERA”.

“Lënda e edukimit seksual e propozuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës para së gjithash është pilot program, e cila është realizuar dhe do të realizohet gjatë vitit. Ajo të cilën e parasheh ky pilot program janë në thelb temat për gjininë, shëndetin reproduktiv dhe seksual, HIV, diskriminimi si dhe aspektet qytetare, lidhjet dhe marrëdhëniet, dhuna seksuale, trupi dhe marrëdhëniet me trupin. Programi pilot do të realizohet në 4 shkolla, në vende urbane dhe rurale të Shkupit dhe Tetovës, për nxënësit të cilët janë në klasën e nëntë si lëndë zgjedhore, kështu që ata do të mund të zgjedhin në qoftë se duan ta dëgjojnë atë lëndë dhe në qoftë se jo, nuk është obligative” tha Elena Saveska, nga “HERA”.

Saveska shtoi se në vendet ku ka implementim të lëndës së edukimit seksual, sipas hulumtimeve të “HERA”, ka pasur ulje të dhunës seksuale, sëmundjeve seksualisht transmetuese si dhe dhunës në familje, për këtë, sipas tyre kjo lëndë është e domosdoshme.

“Domosdoshmëria e kësaj lënde vijnë nga faktet dhe statistikat të cilat i kemi të në lidhje me nevojën e vendosjes së kësaj lënde në arsimin formal dhe në përgjithësi në arsimimin e të rinjve. Të rinjtë kanë nevojë të jenë të informuar për shëndetin dhe mirëqenien e tyre si dhe për pjesën seksuale të arsimit të tyre, gjithashtu ky lloj i edukimit seksual realizohet edhe në shtetet tjera ku edhe kontributin e tij mund ta shohim, gjegjësisht ka pasur ulje të dhunës, të sëmundjeve seksualisht transmetuese në krahasim me vendin tonë ku ende nuk e shohim këtë rezultat dhe as nuk mendohet në atë drejtim. Gjithashtu, të rinjtë me edukimin seksual do të marrin informata të sakta dhe relevante për rritjen dhe zhvillimin e tyre, gjithashtu do të marrin edhe informacione të cilat janë të nevojshme për marrjen e vendimeve për trupin e tyre, për ekzistencën e atyre, gjithashtu edhe që marrëdhëniet e tyre që do ti kenë në shoqëri të bazohen në respekt, dinjitet dhe pajtueshmëri” shtoi Elena Saveska.

Elena potencoi se si organizatë janë të vetëdijshëm në lidhje me dezinformatat të cilat shpërndahen në rrjetet sociale për përmbajtjen e kësaj lënde, sipas saj, është shumë e rëndësishme që njerëzit ti marrin informatat në burime të sigurta dhe relevante.

“Po, jemi të vetëdijshëm për lajmet e rreme të cilat po shpërndahen, sidomos në rrjetet sociale. Ne duam si organizatë ti adresojmë të gjitha, jemi të vetëdijshëm se kjo vjen për shkak se njerëzit nuk kanë informacione për edukimin seksual, gjithashtu konsiderojmë dhe ndjehemi të detyruar si organizatë që të shpërndajmë informacionet e sakta dhe relevante, për këtë ne aktualisht po e realizojmë fushatën “Klupa na SSO”, gjegjësisht e edukimit seksual, ku adresohen të gjitha mitet dhe informacionet e pasakta të cilat shpërndahen në publik që të mund lexuesit dhe mbi të gjitha prindërit të informohen me informacione të sakta dhe relevante” tha Elena Saveska.

Ndryshe, pilot programi, gjegjësisht fazat të cilat janë paraparë janë këto, faza e parë veçse ka kaluar, gjegjësisht trajnimi i kuadrit të mësimdhënësve të cilët me vetë dëshire janë paraqitur për të marrë pjesë në këtë pilot program. Faza e dytë pritet të realizohet nga shtatori, gjegjësisht mësimi i materialit apo atyre temave dhe faza e tretë është evoluimi, gjegjësisht ata rezultate të cilat do të ndiqen do të krahasohen me rezultatet e pritshme që të shihet në qoftë se edukimi seksual duhet të vendoset në arsimin formal apo jo.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button