Për fëmijët

Qershori fillon me Ditën e fëmijëve. Nuk është e rastit që pikërisht ky muaj që duhet të asocojë ne qershi të pjekura dhe në kulmin e pranverës fillon me ditën që u dedikohet fëmijëve. Ndoshta kjo ditë duhet të na bëjë të reflektojmë më shumë për fëmijët dhe mënyrën si i përgatisim ata për ardhmërinë që i pret.

Personalisht mendoj se nuk ka gjë më të mirë për ta shënuar një ditë se sa një libër me një përkushtim. Të gjitha dhuratat kanë afat skadimi, por libri nuk ka asnjëherë një të tillë. Ka disa libra që mund të jenë shkruar vite e shekuj më parë e megjithatë mbeten gjithmonë aktuale. Ka libra që kurrë nuk dalin nga moda sepse temat që ato trajtojnë janë gjithmonë me rëndësi jetike.

“Bota e Sofisë” është një libër i tillë i cili nuk ka afat skadimi. Ky është një roman mbi historinë e filozofisë. Fëmijët e mi u shqetësuan kur e panë dhuratën e 1 qershorit sepse bëhet fjalë për libër voluminoz ndërsa ata sapo kanë filluar të lexojnë. U qetësuan kur u thashë që nuk pres prej tyre ta kenë lexuar këtë libër deri në fund të verës por përkundrazi, pres që të njëjtin të fillojnë ta lexojnë pas disa vitesh. Ishte i këndshme të shohësh se si vëllau i madh tallej me vëllanë e vogël duke i thënë se kanë për detyrë ta lexojnë këtë libër brenda pak javësh dhe për më tepër të sqarojnë me shkrim në detaje se çfarë kanë kuptuar nga i njëjti. Më mori pak kohë t’u sqaroj që këtë libër dua ta kenë kujtim nga unë për gjithë jetën dhe se nuk e kam zgjedhur rastësisht pikërisht këtë dhuratë.

“Bota e Sofisë” është roman por ngjarja e romanit është tërësisht dytësore. Parësore në këtë libër është historia e zhvillimit të mendimit njerëzor. Është një libër që trajton filozofinë evropiane që nga fillet e saj deri në kohërat moderne. Është një libër që flet për Sokratin, Platonin, Aristotelin, për Mesjetën, Rilindjen, Barokun, Racionalizmin, Iluminizmin, Empirizmin, për Galielin, Njutnoni, Dekartin, Spinozën, Lokun, Hjumin, Berekelin, Frojdin, Markisn, Darvinin… Është një përmbledhje njohurish filozofike që çdo njeri i lexuar duhet t’i kuptojë. Është një libër mbi të menduarit. Dhe të mendosh do të thotë të jesh njeri. Këtë e ka thënë Dekarti me shprehjen Cogito, ergo sum.

Kur flasim për fëmijët, është shumë me rëndësi të kuptojmë që dhurata më e vlefshme që mund tua bëjmë atyre është t’i nxisim të mendojnë. Sa e bëjmë këtë në përditshmëri, nuk mund të them me saktësi. Shpesh nga fëmijët presim të binden plotësisht, ndaj nesh dhe ndaj të tjerëve, kur e dimë fort mirë që rebelimi i kohëpaskohshëm është pikërisht karakeristikë e njerëzve të ngritur dhe të lirë. Shpesh nga fëmijët presim të mësojnë përmendësh dhe e inkurajojmë këtë formë të mësimit kur i nxisim t’i thonë vjershat që i kanë mësuar ose mësimet që ndonjëherë i përsërisin si papagallë të vegjël vetëm për të na hequr qafe, e thellë në vete e dimë që në fakt duhet të bisedojmë me ta thellësisht për kuptimin e gjërave dhe t’i nxisim të mendojnë ndryshe. Shpesh nuk kemi durim t’u përgjigjemi pyetjeve pa fund të fëmijëve dhe e mbyllim bisedën me fraza të tilla si “Epo kjo është kështu dhe pikë.” kur e dimë që mund të japim një shpjegim logjik që ta kënaqë deri diku kërshërinë e tyre edhe për pyetjet e mëdha eksistenciale si: “Kush e ka krijuar gjyshen e parë?” ose “Si janë bërë toka, qielli dhe yjet?”. Ndonjëherë bile ua tërheqim vërejtjen se disa pyetje nuk mund të bëhen, sepse është mëkat dhe ka gjëra të cilat nuk duhet ti dimë!?

Sa shumë mund të mësojmë ne nga fëmijët e sa shumë mund të mësojnë edhe ata prej nesh. Mjafton që të bisedojmë më thellësisht me ta dhe t’i nxisim të kërkojnë më shumë njohuri dhe të mos kënaqen me pak.

Të menduarit do t’i shpjerë fëmijët gjithmonë tek burimi i diturisë. Ndërsa dituria është pasuria të cilën askush nuk mund t’ua rrëmbejë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button