fbpx

Shtëpia e Bardhë: Sulmet kibernetike, temë diskutimesh në takimin Biden-Putin

Presidenti Joe Biden do të diskutojë me Presidentin rus Vladimir Putin problemin e hakerëve që strehohen në Rusi, të cilët besohet se janë pas sulmit të fundit kibernetik që goditi kompaninë e përpunimit të mishit JBS, njoftoi të mërkurën Shtëpia e Bardhë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki u tha gazetarëve se presidenti “ka urdhëruar hapjen e një analize të shpejtë strategjike” lidhur me sulmin që ndikoi tek operacionet e kompanisë JBS në Australi dhe Amerikën e Veriut, transmeton VOA.

Presidenti Biden do të takohet me homologun rus në Gjenevë më 16 qershor në një kohë tensionesh mes dy fuqive botërore lidhur me ndërhyrjet ruse në zgjedhjet amerikane, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe agresionin rus në Ukrainë.

Një filial i kompanisë braziliane JBS njoftoi qeverinë amerikane se kishte marrë një kërkesë për pagesë parash në sulmin që besohet se e kishte origjinën nga Rusia, tha zëvendës zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre.

“Shtëpia e Bardhë është e angazhuar drejtpërdrejt me qeverinë ruse mbi këtë temë dhe po përcjell mesazhin se shtetet përgjegjëse nuk strehojnë kriminelë të hapësirës kibernetike,” tha zonja Jean-Pierre.

Ndërkaq, komapnia JBS thotë se ka bërë “përparim të ndjeshëm” për të zgjidhur sulmin kibernetik që ndikoi tek operacionet në Amerikën e Veriut dhe Australi.

Shefi ekzekutiv i filialit për Shtetet e Bashkuara tha se parashikon që “shumica e fabrikave përpunuese për mishin e derrit, viçit, pulës dhe nënprodukteve të mishit” të jenë kthyer në punë që të mërkurën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button