Paralajmërimet për investimet milionëshe në “Kodrën e Diellit” vlerësohen si qesharake

Paralajmërimet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut se qendrën në “Kodrën e Diellit” do ta marr me koncesion për 99 vjet një investitor i huaj dhe do të investojë 100 milionë euro, përkatësisht 50 milionë investitori dhe 50 milionë do të investojë qeveria, nga Iniciativa qytetare “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” janë skeptik, duke i vlerësuar edhe qesharake premtimet.

“Është shumë qesharak paralajmërimi se do të bëhen fusha të golfit, se do të bëhet një nga resortet më të mëdha, kur ai resort ende nuk e ka të rregulluar çështjen pronësore juridike. Çdoherë kur këto qendra rinovohen, duhet bërë projekte afatshkurtra dhe afatgjate dhe të planifikuara mirë. Asnjëherë te ne institucionet, që thirren në studime fizibiliteti apo analiza të ndryshme strategjike për zhvillimin e turizmit, por nuk janë bërë publike për opinionin”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Hamdi Sulejmani nga iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”.

Ai përkujtoi që kjo qendër gjatë dy dekadave të fundit është pothuajse jofunksionale, për shkak të vështirësive për sa i përket qasjes, si dhe mungesës së parkingjeve dhe mosfunksionimit të teleferikëve.

“Vetë fakti që flitet në mënyrë hipotetike për një investim miliona eurosh apo për një investitor gjerman, të çon nga ajo që nuk ka të bëjë aspak me një investim serioz ose se kjo bëhet për t’i hapur rrugë ndonjë investitori potencial. Por, gjithsesi në një shtet serioz, i cili pretendon të jetë pjesë e strukturave të Bashkimit Evropian, nuk mund të dihet investitori para se të bëhet shpallja e tenderimit”, thotë Arben Halili nga fshati Shipkovicë në Malësinë e Tetovës, që ndodhet vetëm pak kilometra nga “Kodra e Diellit”, duke theksuar që gjithmonë kur është vit zgjedhor, paralajmërohen investime të mëdha në këtë qendër turistike.

Mislim Zendeli, profesor në Fakultetin për Menaxhment në Universitetit të Tetovës deklaroi që “transparenca është zero. I gjithë procesi është jotransparent, si ai i studimeve të fizibilitetit, por edhe rreth planifikimit të realizimit të këtij procesi. Është evidente që duhen mjete, duhen investime, nevojitet angazhim nga qeveria dhe jo vetëm fjalë. Që nga viti 2001 deri më 2021 kemi dëgjuar vetëm fjalë”.

Gjatë kësaj jave, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka bërë të ditur se në strategjinë kombëtare 2021-2027, është përfshirë edhe rivitalizimi i qendrës “Kodra e Diellit”. Ai ka theksuar se për të investuar në këtë qendër është interesuar një investitor “i besueshëm” nga Evropa. Po gjatë kësaj jave, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani ka thënë se investitori i interesuar për “Kodrën e Diellit” është nga Abu Dabi.

Investime në “Kodrën e Diellit” në vlerë prej 30 milionë eurove, ishin paralajmëruar edhe më 2012, nga kryeministri i atëhershëm, Nikolla Gruevski. Ai kishte paralajmëruar se projekti do të realizohej në disa faza dhe për të do të shpallej edhe ofertë për gjetjen e një investitori ndërkombëtar.

Investime për “Kodrën e Diellit” kishte paralajmëruar edhe ish-presidenti, Gjorgje Ivanov, i cili kishte thënë se një investitor nga Katari ishte i gatshëm të investonte në këtë qendër turistike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button