Shekerinska: Vendime ambicioze priten nga Samiti i NATO-s

Në pritje të samitit të lidershipit të vendeve anëtare të Aleancës kah mesi i muajit, dje pasdite përmes një video konference të mbrojtur u zhvillua një takim i Këshillit të Atlantikut të Veriut në nivelin e ministrave të mbrojtjes ku morri pjesë ministrja Radmilla Shekerinska.

Në takim u finalizuan përgatitjet për Samitin e NATO-s, të planifikuar për në 14 Qershor 2021, në Bruksel, tema kryesore e të cilit do të jetë nisma “NATO 2030”, e cila synon të përgatisë Aleancën për dekadën e ardhshme. Në Samitin e NATO-s pritet të merren vendime ambicioze dhe te bëhet riafirmimi i angazhimit të Aleancës në lidhjen transatlantike.

Në Takimin e Ministrave të Mbrojtjes u konfirmuan vendimet në lidhje me mbrojtjen kolektive, për zgjerimin e qasjes ndaj sigurisë dhe forcimin e rezistencës së shoqërive ndaj sfidave të reja të sigurisë. Në të njëjtën kohë, u theksua rëndësia e zhvillimit teknologjik dhe ndikimi i tij në ndërtimin e aftësive mbrojtëse. Ministrat e mbrojtjes ranë dakord që Aleanca në të ardhmen të zgjerojë bashkëpunimin e saj me partnerët dhe të gjitha demokracitë e angazhuara për një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla. U ra dakord gjithashtu që NATO do të punojë për të rritur ndërgjegjësimin lidhur me implikimet e sigurisë nga ndryshimet klimatike në të ardhmen.

Ministrja Shekerinska prezantoi pozicionet kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i dha mbështetje të fortë angazhimit për forcimin e mbrojtjes kolektive, si dhe nevojën për adaptim të vazhdueshëm me sfidat e reja të sigurisë, me të cilat asnjë vend nuk mund të merret në mënyrë të pavarur.

Në takim u diskutua gjithashtu lidhur me situatën në Afganistan, ku përfundon misioni i NATO-s, por angazhimi për mbështetjen civile dhe diplomatike për institucionet e sigurisë në Kabul mbetet.

Ministrat e Mbrojtjes mbështetën vendimin për të miratuar Konceptin e ardhshëm Strategjik të Aleancës, i cili do të paraqitet dhe miratohet në Samitin e ardhshëm të NATO-s në vitin 2022.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button