Ilir Saliu: Akropoli i Ri i nxit njerëzit drejt njohjes dhe plotësimit të vetes (VIDEO)

Akropoli i Ri është organizatë filozofike dhe kulturore, e pranishme në mbi 60 vende të botës e në qindra qytete, e cila synon ta ringjallë dashurinë për dijen dhe ta rikthejë rëndësinë praktike të filozofisë dhe psikologjisë në jetën tonë të përditshme, meqë natyra e këtyre dy fushave fillimisht ka qenë praktike e jo vetëm teorike. Synimi i Akropolit të Ri është të mund të nxisë sa më shumë njerëz drejt njohjes së vetes dhe drejt zbulimit të asaj që ata i bën të plotësuar. Këtu hyn në funksion filozofia dhe psikologjia praktike, pasi i mundëson njeriut që përveç teorive që janë shumë të rëndësishme, të mund të gjejë edhe një vend praktik për to, thotë për Portalb Ilir Saliu, anëtar i Akropolit të Ri.

“Si organizatë, Akropoli i Ri është i ndarë në tre sektorë: Filozofi, Kulturë dhe Vullnetarizëm. Të gjitha aktivitetet tona sillen rreth këtyre tri boshteve. Në sektorin e filozofisë organizojmë kursin e filozofisë dhe psikologjisë që na ndihmon në përditshmërinë tonë. Në kulturë kemi ndërmarrë aktivitete, siç janë shënimet e ditëve të veçanta, si Dita Botërore e Mësuesve, klubet e librit, mbrëmjet kulturore e shumë të tjera, që synojnë të na njoftojnë më shumë me botën, historinë, artin dhe kulturën, që janë aq të rëndësishme për njeriun. Përmes vullnetarizmit kemi ndërmarrë aktivitete, siç janë pastrimi i ambienteve, si në Ambulancën e Shuto Orizares, mbjellje pemësh në parkun e Çairit, aktivitet për fëmijët jetimë në bashkëpunim me organizatën Fshati SOS, mbledhje dhurimesh të përvjetshme të organizuar me mbështetjen e kompanisë Vero, mbledhje dhurimesh për azilantët dhe shumë aktivitete të tjera që synojnë të na bashkojnë aktivisht me nevojat e shoqërisë në të cilën jetojmë.” tha Saliu.

Më 11 qershor, Akropoli i Ri do të oranizojë “Talent Show”, bashkë me organizatën YCCC, ku mund të marrin pjesë talentët e vendit. Është hera e parë që kjo organizatë po vjen me një format të këtillë. Kjo është një mundësi shumë e mirë për të shfaqur talentin që ke dhe të njohtohesh me të tjerë.

Ndërsa, sa i përket temave që  trajton Akropoli i Ri gjatë kurseve, Iliri tha:

Temat e kursit janë ndërtuar në mënyrë të veçantë që t’u përgjigjen nevojave praktike të çdo njeriu në ditët e sotme. Trajtohen tema si menaxhimi i kohës, filozofia lindore dhe perëndimore, filozofët më të rëndësishëm të qytetërimeve të ndryshme dhe idetë e tyre, nxitjet psikologjike të njeriut e shumë tema të tjera praktike.”  U shpreh Iliri.

Mesazhi që Akropoli i Ri mundohet ta përcjellë për të gjithë të rinjtë është:

“Ajo që të gjithë duhet ta kuptojmë është se filozofia nuk është ajo filozofi e ftohtë dhe e pakuptueshme, të cilën e imagjinojmë të gjithë. Filozofia e vërtetë është filozofia e përditshmërisë, është filozofia praktike, e cila na mundëson që të jetojmë jetën në potencialin e vet të plotë. Andaj, tentoni të bëheni filozof, të bëheni njerëz që jeni të dashuruar pas dijes. Të jeni kurioz dhe të tentoni t’i jepni përgjigje pse-ve të jetës suaj!” tha Ilir Saliu.

Te Akropoli i Ri mund të aplikojë çdo person mbi moshën 17-vjeçare dhe të gjitha risitë dhe të dhënat e nevojshme mund t’i gjejë në faqen në Facebook-ut “Akropoli i Ri – Shkup” ose në Instagram “akropolirishkup”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button