Rrafshnalta e sundimtarit të pakuptimësisë

Dera e oborrit të sojliut rri e mbyllur gjithë ditën, thotë poeti i lashtë kinez Wang Wei (699 – 759).

Ky poet, i cili një pjesë të madhe të jetës e kaloi në mal, i “rrethuar përjetësisht me këtë bukuri dhe i dhënë pas largësisë së pafundme”, ku “çdo paqartësi qartësohet”, shkruan për njëfarë rrafshnalte të sundimtarit të pakuptimësisë ku rrojnë njerëzit e vetmuar, të cilët nuk kërkojnë strehë, nuk shqetësohen se çfarë stine është dhe as ku i bie lindja apo perëndimi.

Aty gjërat janë të përkryera në thjeshtësinë e tyre.

Aty vetmitari jeton me shkëlqimin e rrezeve të dritës.

Aty e gjen paqen me vetveten.

Aty e dëgjon zërin e brendshëm.

Rrafshnalta është gjendje shpirtërore.

Poezia e Wang Wei-t është himn për njeriun e zhveshur nga detyrimi shoqëror, publik ose shtetëror, i cili gjen gjithçka që i duhet brenda kasolles së thjeshtë.

Poeti besonte se njeriu është endacaku në botën kalimtare, i cili udhëton dhe kthehet në fillim.

Vetmitari, të cilin “askush nuk e kujton dhe as e përmend”, jeton në “heshtjen e izolimit që thellohet vazhdimisht”.

Ai jeton, siç thotë ky poet, “i vetmuar në malin e shkretë dhe i shoqëruar vetëm me retë e bardha”.

Në këtë botë meditimi, njeriu nuk jeton për sytë e të tjerëve.

“Identiteti nuk është gjë tjetër, veçse roli që e luajmë në shoqëri”. 

I tërhequr nga zhurma e përditshmërisë, nga detyrimet publike dhe nga dalldia e turmës, poeti jetoi për poezinë dhe pikturën.

Ai nuk u imponua me pushtet, me reklama apo veshje.

Ai jetoi larg turmës dhe nuk e njihte luftën për prestigj.

Ai mund të njihej vetëm nëpërmjet mendimeve të tij.

“Si ta njohim të urtin dhe vetmitarin? Me siguri jo nga pamja dalëmode”. 

Kjo është zgjedhja e tij, zgjedhja për të qenë vetvetja.

Ata që jetojnë për artin, kthehen në Jasna Polanën e tyre për të shpëtuar nga zhurma, rrëmeti dhe nga turma.

Ata mund të jenë edhe autsajderë në kohën e tyre, por kujtohen kur shumëçka tjetër të jetë harruar.

Që të kujtohesh duhet të banosh në rrafshnaltën e sundimtarit të pakuptimësisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button