Ja rivalët e skuadrave shqiptare në Europë

Finalja e Kupës mes Vllaznisë dhe Skënderbeut mbylli sezonin futbollistik 2020-2021 në Shqipëri me futbollistët që tashmë kanë nisur pushimet ndërkohë që drejtuesit po punojnë për të projektuar të ardhmen. Megjithatë pushimet do të zgjasin shumë pak për 4 skuadrat që do të përfaqësojnë kampionatin shqiptar në arenën ndërkombëtare, pasi faza paraelimintore e Champions League dhe kompeticionit më të ri Conference League do të nisë që në ditët e para të muajit korrik, raporton SS.

Teuta si kampione e Shqipërisë do të përfaqësojë Kategorinë Superiore në kompeticionin më të rëndësishëm për klube Champions League me turin e parë kualifikues që do të nisë në datat 6 dhe 7 korrik. Në 15 qershor në Nyon të Zvicrës do të hidhet edhe shorti i këtij raundi me djemtë e detit që për shkak të koeficientit të ulët janë të pozicionuar në vazon e dytë, atë të skuadrave jo favorite. Megjithatë me pak fat në short Teuta mund ta kalojë turin duke përsëritur suksesin e sezonit të kaluar kur eliminoi izraelitët e Beitar Jerusalem në Europa League. Me formatin e ri të Kupave të Europës, Teutës do t’i mjaftonte të kalonte vetëm një tur në Champions League për siguruar minimalisht fazën play-off të Conference League.

Teuta bën pjesë në të njëjtën vazo me kundërshtarë si HJK Helsinki, Shakhtyor Soligorsk, Neftci Baku, Maccabi Haifa, Bodo Glimt e Mura, rivalë të fortë të cilët nëse do të ishin në vazon e parë do t’u hapnin shumë probleme durrsakëve. Nuk përjashtohet mundësia e një derbi shqiptar mes Teutës dhe Shkëndijës së Tetovës që ndryshe nga kampionët e Shqipërisë bën pjesë në vazon e parë pasi ka një koeficient të lartë. Kundërshtarët që duhen evituar me çdo kusht nga durrsakët në shortin e turit të parë kualifikues të Championsit janë Dinamo e Zagrebit, Ludogorets Razgard, Malmo, CFR Cluj, Legia e Varshavës e Ferencvaros ekip tek i cili aktivizohet edhe sulmuesi i kombëtares shqiptare Myrto Uzuni. Short i pranueshëm për skuadrën e Edi Martinit do të konsiderohej nëse peshkon një mes Sheriff Tiraspol, Slovan Bratislavës, Kairat Almaty-it dhe Dinamo Tbilisit që një vit më parë e pësoi nga Tirana, ndërkohë që me fat dhe më shumë mundësi për të kaluar raundin Teuta do të konsiderohej vetëm nëse shorti e vendos përballë kundërshtarëve më të kalueshëm në letër që bëjnë pjesë në vazon e parë si armenët e Alashkert, lituanezët e Zalgiris, estonezët e Flora Tallin, malazezët e Buducnostit të Podgoricës dhe kampionët e Gjibraltarit Lincoln Red Imps.

Nëse në Champions League probabiliteti që të kemi një derb shqiptar është më i ulët pasi marrin pjesë vetëm 3 skuadra nga trojet shqiptare, Teuta, Shkëndija dhe Prishtina që fillimisht duhet të kalojë raundin paraeliminator, në Conference League probabiliteti është më i madh pasi do të marrin pjesë 8 klube shqiptare. Partizani, Laçi, Shkupi dhe Drita bëjnë pjesë në vazon e parë dhe shorti i turit të parë pritet t’u vendosë përballë skuadra të kalueshme në letër nga shtete si Gjibraltari, Armenia, Gjeorgjia, Luksemburgu, Moldavia, Malta, Mali i Zi, Irlanda, Irlanda e Veriut e Letonia. Ndryshe nga të kuqtë apo kurbinasit, Vllaznia ka një koeficient shumë të ulët dhe është në vazon e skuadrave jo favorite teksa duhet të evitojë me çdo kusht klube si sllovenët e Maribor, hungarezët e Mol Vidi dhe Puskas Akademia, polakët e Slask apo edhe Dundalk, Suduvan, Spartak Trnava, Zilina, Sarajevo, Kups e Domzale. Ashtu si shkodranët edhe Llapi, Struga Trim&Lum e Decic bëjnë pjesë në vazon e jo favoritëve dhe shorti mund t’i vendosë përballë Partizanit, Laçit, Dritës apo edhe Shkupit në sfida derbi me aromë europiane.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button