Neglizhenca komunale nuk mundësoi që skejtparku në Tetovë të mbijetojë, të rinjtë morën punët në duart e tyre (VIDEO)

Neglizhenca institucionale e komunës së Tetovës si dhe vandalizmi i qytetarëve kanë lënë të rinjtë e Tetovës pa skejtparkun e vetëm në këtë qytet. Parku i ndërtuar nga aktivistë të huaj dhe vendas, aktualisht i ngjan një deponie të vogël. Pasi që kërkesa e të rinjve deri tek institucionet për mirëmbajtje të vendit hasi në vesh të shurdhër, aktivistët gjatë vikendit morën punët në duart e tyre. Aktivisti Berat Asani edhe njëherë bëri thirrje për vetëdijesim institucional dhe qytetar, shkruan Portalb.mk.

Hapësira afër Stacionit të Autobusëve në Tetovë që dikur dukej me shumë ngjyra dhe një ndër vendet e rralla ku rinia e këtij qyteti kishin mundësinë të organizojnë ngjarje të ndryshme, sot është lënë në mëshirë të fatit.

Aktivisti Berat Asani i cili gjatë vikendit ishte pjesë e iniciativës për pastrimin e këtij parku potencoi se është për të ardhur keq që në vendin i cili nga një pjesë e të rinjve shfrytëzohet për qetësim shpirtëror, disa qytetarë hedhin mbeturina të llojllojshme ndërsa komuna mbyll sytë.

Berat Asani, aktivist.
Berat Asani, aktivist.

“Fatkeqësisht kjo hapësirë u la jashtë menaxhimit, edhe prej komunës por edhe prej njerëzve të cilët në formë vandaliste e kanë keqpërdorë një hapësirë kulturore, të cilët kanë mund të vijnë për sport apo të ndihmojnë për diçka më shumë, e kanë shkatërruar dhe kanë hedh mbeturina të llojllojshme të cilat shpesh herë njerëzit as nuk mund të imagjinojnë se mund të hidhet diçka në hapësirat që dikush në hapësirë ku dikush e ka aktivitet sportiv apo jetësor, shërim shpirtëror” tha Berat Asani, aktivist.

Ai apeloi deri te komuna e Tetovës që të ndërmerr masa për mirëmbajtjen e vazhdueshme të këtij parku pasi që siç tha ai, është parku i vetëm për të apasionuarit pas këtij sporti specifik ndërsa kjo gjë nuk ju mundësohet.

“Kjo është një thirrje për vetëdijesim edhe prej qytetarëve, por edhe më shumë prej institucioneve, komunës, pasi që kjo është pronë e komunës ndërsa ne jemi pronarë të këtij qyteti. Në qoftë se neve si të rinj dhe si njerëz që jemi të pasionuar pas ndonjë lloj sporti apo aktiviteti, gjegjësisht pas këtij sporti që është më shumë se sa sport, është kulturë urbane e cila në botë vlerësohet shumë dhe janë njerëz shumë më të afrueshëm, nuk na mundësohet që ne ta bëjmë këtë aktivitet ashtu siç duhet” tha Asani.

Disa aktivistë gjatë vikendit morën punët në duart e tyre

Iniciativa për pastrimin e skejtparkut, Tetovë.
Iniciativa për pastrimin e skejtparkut, Tetovë.

Disa aktivistë të rinj nga Tetova gjatë vikendit bënë pastrimin e kësaj hapësire nga mbeturinat, kositjen e barit, lyerjen e ulëseve të cilat ishin vjetërsuar si dhe rehabilitimin e përgjithshëm të tij nga vandalizmi i qytetarëve dhe nga mosmirëmbajtja institucionale.

Një nga organizatorët e iniciativës për pastrim, Ramadan Murtezani, potencoi se kjo nuk është hera e parë që në mënyrë vullnetare pastrohen hapësirat e ndryshme në Tetovë, sipas tij, kjo zgjidhje është e përkohshme ndërkaq bëri thirrje që institucionet të ndërmarrin masa konkrete për pastërtinë e qytetit.

Zëri i të rinjve për mbrojtjen e kësaj hapësire has në vesh të shurdhër tash dy vite

Thirrje për mirëmbajtjen e të njëjtës nga institucionet përkatëse nga “Socio Cultural Space Tetova” kanë bë dy vite më herët, ku edhe të njëjtit përmes një video incizimi kishin vërtetuar një sërë mbeturinash në këtë vend.

Në mes të tjerash, ata kanë kërkuar edhe ndriçim në këtë pjesë të qytetit, siguri dhe mbajtje e rendit publik, mirëmbajtje të rregullt të hapësirave të gjelbra e kështu me radhë. Sidoqoftë, secila nga këto kërkesa të tyre ka hasur në vesh të shurdhër.

Kryetarja u fotografua dhe e promovoi projektin, por lejoi shkatërrimin e tij disa muaj më vonë

Teuta Arifi, 2018
Teuta Arifi, 2018

Përkundër nevojës për mirëmbajtje të kësaj hapësire, nga Komuna e Tetovës nuk e panë të arsyeshme të përgjigjen në pyetjet e Portalb.mk në lidhje me këtë.

Rikujtojmë se në momentin kur u ndërtua ky skejtpark, kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ishte në vendngjarje nga ku u fotografua dhe projektin e promovoi në rrjetet e saja sociale.

Përveç kësaj, ajo në takim i kishte ftuar edhe iniciatorët e këtij projekti, të cilëve në mes të tjerash u kishte premtuar se përmes Ndërmarrjes Publike Komunale (NPK) do të mirëmbahet hapësira rinore, gjegjësisht skejtparku, kjo nuk ndodhi.

Ndryshe, kjo hapësirë së bashku me atë në ish Radio Tetova u realizua nga 45 vullnetarë të organizatës joqeveritare Toestand nga Belgjika, diku 20 nga organizata joqeveritare Termokiss nga Kosova si dhe vullnetarë të organizatës joqeveritare Democracy Lab nga Tetova.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button