RMV, opozita shqiptare kërkon që nënshtetësia të merret duke ofruar si dëshmi vetem një dokument

Komisioni për Mbrojtje dhe Siguri nesër do ta vazhdojë seancën në të cilën duhet të vazhdojë debati në lidhje me propozim ligjin për nënshtetësi të propozuar nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Gjatë seancës së nesërme, duhet të diskutohen amendamentet e dorëzuara nga ana e koalicionit e që kanë të bëjnë me përmirësimi e propozimit fillestar, siç është dakorduar në takimin e zhvilluara të opozitës shqiptare dhe kryeministrin Zoran Zaev.

Deputetja e Alternativa, Safije Sadiki Shaini, deklaroi për Portalb.mk se kanë dorëzuar 10 amendamente në formë elektronike, të cilat kanë për qëllim perfeksionimin e ligjit.

“Kemi ndërhyrë pak te ligji i nënshtetësisë që e kemi në procedurë, në fakt disa mangësi që kanë qenë ne vetëm se e kemi perfeksionuar më shumë ligjin që të bëhet më lehtë dhe më mirë për qytetarët ta marrin nënshtetësinë, për ata që kanë pasur problem”, tha ajo.

Opozita shqiptare ka tërhequr kërkesën fillestare të parashtruar në kuadër të propozim ligjit që nënshtetësia të merret me 3 dëshmitarë, ndërsa tani do të jetë e nevojshme që të dorëzohet vetëm një dokument për të dëshmuar se kandidati për marrjen e nënshtetësisë, ka qenë banor i Maqedonisë së Veriut që nga pavarësia e vendit.

“Aty kemi ndërhyrë. Janë gati 16 dokument provë që mundet një person të dorëzojë për ta marrë nënshtetësinë, psh një faturë e rrymës, çertifikatë martese, dëftesë… prej këtyre mundet të dorëzojë vetëm njërin dhe ta marrë nënshtetësinë. Bëhet fjalë për ata që nuk kanë nënshtetësi prej pavarësisë së Maqedonisë së Veriut. Ata që janë me natyralizim edhe këtu ka disa ndryshime, psh ka qenë me 8 vjet me vendqëndrime, tash është me 7”, deklaroi deputetja Shaini.

Ajo tha se ka ndërhyrje edhe sa i përket çështjes së gjuhës.

“Ata që prej pavarësisë së Maqedonisë që jetojnë këtu nuk hyjnë në intervistë për gjuhën maqedonase. Ata të tjerët që vijnë prej jashtë ata duhet të hyjnë”, tha ajo.

Komisioni për mbrojtje dhe siguri filloi të hënën seancën në të cilën duhet të mbahet debat për amendamentet për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për nënshtetësi, me procedurë të shkurtuar, të dorëzuar nga deputetët e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativa.

Kryetari i komisionit, Mile Talevski e ndërpreu seancën dhe kërkoi që amendamentet e paralajmëruara nga ASH dhe Alternativa t’iu dorëzohen deputetëve.

Në seancë, Talevski informoi se deputetët e VRMO DPMNE-së, kanë tërhequr 548 amendamentet e dorëzuara për ligjin. Por, deputetët nga kjo parti opozitare kërkuan për ligjin të mbahet debat publik në të cilën do të thirren të gjithë aktorët relevant dhe të ndërtohet qëndrim i përbashkët nëse propozimet janë serioze dhe mund të propozohen amendamentet. Propozimi nuk u vendos në votim, pasi nuk ka mundësi procedurale për këtë.

Propozimi fillestar për ligjin për nënshtetësi i dorëzuar nga opozita shqiptare ishte bllokuar në komisionin amë me qindra amendamente të dorëzuara nga VMRO – DPMNE dhe “E majta”. Pas kësaj edhe grupi parlamentar i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativën me mbi 32,000 amendamente bllokuan 20 ligje, mes të cilëve edhe vendimin për vazhdimin e gjendjes së krizës me rreth 400 amendamente, si kushtëzim për mbështetjen e Ligjit për Shtetësinë. Kjo solli në bllokim të punës së Kuvendit. Pas krijimit të kësaj situate, kryeministri Zoran Zaev dhe opozita shqiptare zhvilluan disa takime për të biseduar në lidhje me ligjin për nënshtetësi, të cilat rezultuan me marrëveshje, detajet e së cilës nuk janë bërë të ditura ende në tërësi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button