Trajneri Angellovski: Maqedonia e Veriut, nga partner i “sparringut” deri në EURO 2020

Kombëtarja e Futbollit e Maqedonisë së Veriut më 12 nëntor të vitit 2020 shkroi historinë kur me rezultat 0-1 realizoi fitore kundër kombëtares së Gjeorgjisë në ndeshjen e zhvilluar në Tbilisi, me çka për herë të parë në historinë e saj u plasua në një garë të madhe, gjegjësisht Kampionatin Evropian në Futboll – UEFA EURO 2020.

Kampionati i shtyrë evropian EURO 2020 për shkak të pandemisë së koronavirusit (COVID-19) do të fillojë më 11 qershor me ndeshjen hyrëse mes Turqisë dhe Italisë, ndërsa Maqedonia e Veriut ndeshjen e parë historike do ta zhvillojë më 13 qershor kundër Austrisë në kuadër të Grupit C, ku gjenden edhe Ukraina dhe Holanda.

Në vigjilje të EURO 2020, trajneri i kombëtares së Maqedonisë së Veriut, Igor Angellovski, në një intervistë për Anadolu Agency (AA) theksoi se atmosfera është në nivelin më të lartë të mundshëm dhe është kënaqësi të punohet në këtë atmosferë.

“Maqedonia po bëhet gati për këtë paraqitje historike në një Kampionat Evropian, ndonëse në të kaluarën Maqedonia ishte ajo që bënte ‘sparringun’ me kombëtaret e tjera që ishin plasuar. Tani ne si vend pjesëmarrës po përgatitemi”, shtoi ai.

I pyetur për kundërshtarët e kombëtares në Grupin C, ai tha se janë me cilësi të mirë, por shpreson për një rezultat pozitiv.

“Sigurisht, të gjithë ata që janë plasuar në Kampionatin Evropian kanë cilësi të shkëlqyeshme, por edhe ne jemi gjithashtu cilësorë, kështu që besojmë në cilësinë tonë, do të shkojmë kundër çdo ekipi me dëshirën për të arritur një rezultat pozitiv dhe t’i bëjmë tifozët tanë përsëri të lumtur”, tha Angellovski.

Asnjë nga fqinjët më të afërt të Maqedonisë së Veriut nuk arriti të kualifikohet për EURO 2020, ndërsa Angellovski thotë se ky fakt është një tregues i peshës së këtij suksesi për vendin, duke shtuar se është shans për të fituar simpatinë e tifozëve fqinjë të futbollit.

“Nëse vendet që ishin pjesëmarrëse në të kaluarën, të tilla si Serbia, Bullgaria, Shqipëria, për të mos përmendur të tjerët, Rumania, në afërsinë tonë, askush prej tyre nuk arriti të plasohet, por vetëm Maqedonia, kjo flet për suksesin që kemi arritur, ndërsa dhe tani simpatitë e të gjitha këtyre vendeve që kam renditur janë ndaj Maqedonisë”, tha Angellovski, duke shpresuar se nuk do të zhgënjejnë tifozët.

– “Futbolli turk me gjithçka që posedon, meriton të jetë në majë”

I pyetur se si e shikon ekipin kombëtar turk të futbollit, Angellovski tha se shpreson të përsërisin suksesin e Kupës së Botës 2002 në Korenë e Jugut, kur Turqia përfundoi në vendin e tretë.

“Gjithmonë me simpati i kam parë ekipet kombëtare të Turqisë dhe futbollit turk, sepse kam shumë miq dhe e dimë shumë mirë se cilat janë marrëdhëniet tona me popullin turk, cila është afërsia jonë dhe gjithmonë them se futbolli turk ka gjithçka që posedon, meriton të jetë në krye dhe shpresoj se do të përsërisin atë që në Korenë e Jugut arritën ta bënin në Kupën e Botës”, tha Angellovski.

Ai gjithashtu vlerësoi kolegun e tij, trajnerin e ekipit kombëtar turk Şenol Güneş, për të cilin thotë se është një nga trajnerët më të mirë, duke shtuar se “ekipi kombëtar turk ka lojtarë me të vërtetë cilësorë të cilët me cilësinë e tyre mund t’i sjellin shumë gëzim vendit të tyre”.​​​​​​​

– “Kuq-e-verdha është ngjyra e Maqedonisë”

Përzgjedhësi i ekipit kombëtar të futbollit të Maqedonisë së Veriut thotë se nuk do të dëshironte të komentonte ndryshimin e fundit të fanellave, duke shtuar se është ky është obligim i shërbimeve që punojnë në federatë, por është i lumtur që në Kampionatin Evropian do të luhet në kombinimin kuq-e-verdhë.

“Natyrisht, si trajner, për mua ngjyra e kuq-e-verdhë është ngjyra e Maqedonisë dhe dua që lojtarët të jenë të veshur me të, dhe mendoj se keqkuptimet tashmë janë kapërcyer dhe se nuk ka nevojë çka të shtohet këtu. Ja, në Kampionatin Evropian do të luajmë në kombinimin kuq-e-verdhë dhe mendoj se nuk ka nevojë për komente”, tha Angellovski.

I pyetur për largimin e tij nga pozita e përzgjedhësit pas Kampionatit Evropian, ai thotë se të tjerët duhet ta vlerësojnë punën e tij.

“Kontrata ime është deri më 31 korrik. Igor Angellovski është në këtë pozitë mbi pesë vite, ashtu që nga dita ime e parë e punës, deri në të fundit, Igor Angellovski maksimalisht në mënyrë profesionale do ta kryejë punën. Nëse të tjerët vlerësojnë se unë e kam bërë punën mirë ose nuk e kam bërë mirë, ajo mbetet tek ata. Unë jam profesionist dhe për atë që më kanë angazhuar në mënyrë profesionale do ta bëj maksimalisht në mënyrë profesionale deri në ditën e fundit”, deklaroi Angellovski.​​​​​​​

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button