“Hejt Sloveni” – Gjuha e urrejtjes në Ballkan

Prof. Dr. Dubravka Valiq Nedeljkoviq

Gjuha e urrejtjes një fenomen i zakonshëm në ligjërimin publik në Ballkan

Fjalët e shëmtuara, insinuatat, etiketimet, publikimi pa ndonjë kriter i informacioneve të rreme për personalitetet në diskursin publik, qoftë në media apo kuvend, apo në debate publike, pastaj mesazhet në rrjetet sociale dhe hapësirat e tjera publike janë bërë më tepër si një standard se sa një rast i izoluar në vendet e Ballkanit.

Përkundër ekzistencës së kodeve të etikës dhe mekanizmave të mbrojtjes ligjore, gjuha e urrejtjes është një pjesë e jetës së përditshme dhe pa asnjë hezitim edhe në hapësirën publike. Ky blog i kushtohet pikërisht “papërgjegjësisë” sonë ndaj asaj që thuhet në ligjërimin publik. “Ubi me prejaka reč” (Më vrau një fjalë e fortë) ishte kënduar shumë kohë më parë nga Branko Miljkoviç, si dhe shumë që u bënë viktima të “gjuhës së urrejtjes” në komunikimin publik dhe kurrë nuk arritën të heqin qafe barrën e fyerjeve, gënjeshtrave, etiketimeve, madje edhe kur kanë dëshmuar drejtësinë e tyre në gjykatë, opinioni publik kurrë, si rregull, nuk i rehabiliton ata. Pra, nuk bëhet fjalë për të ndëshkuar “gjuhën e urrejtjes”, por për ta parandaluar atë. Kjo është një nga detyrat shumë të rëndësishme të edukimit mediatik të të rinjve, qytetarëve dhe qytetareve.

Kodi i gazetarëve

Shkalla e parë e mbrojtjes ndaj gjuhës së urrejtjes kur bëhet fjalë për mediat, qofshin ato tradicionale apo ato të rejat digjitale, janë të ashtuquajturat kode profesionale të etikës. Në Kodin e Gazetarëve të Serbisëgjuha e urrejtjes përmendet vetëm në Kapitullin IV “Përgjegjësia e gazetarëve”.

“1. Gazetari/ja është, mbi të gjitha, përgjegjës/e ndaj lexuesve, dëgjuesve dhe shikuesve të tij/saj. Kjo përgjegjësi nuk duhet t’i nënshtrohet interesave të të tjerëve dhe veçanërisht interesave të botuesve, qeverisë dhe organeve të tjera shtetërore. Një gazetar duhet të kundërshtojë këdo që shkel të drejtat e njeriut ose mbron çdo formë të diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes së dhunës.” Në Udhëzimin e 3-të gjithashtu thuhet “Emërtimi bisedor, nënçmues dhe i pasaktë i një grupi të caktuar është i papranueshëm.”

Kodi i Gazetarëve të Malit të Zi përcakton “gjuhën e urrejtjes” në mënyrë shumë më të detajuar në faqen 13 të këtij dokumenti në Udhëzimet për Parimin 4 nën pikën 1.4 “Gjuha e urrejtjes” thotë “(a) Media nuk guxon të publikojë materiale që synojnë të përhapin armiqësi ose urrejtje ndaj personave për shkak të racës, origjinës etnike, kombësisë, fesë, gjinisë, orientimit seksual, identitetit gjinor, gjendjes fizike dhe mendore ose sëmundjes, si dhe përkatësisë politike të tyre. E njëjta gjë vlen edhe nëse ekziston një probabilitet i lartë që botimi i disa materialeve të provokojë armiqësinë dhe urrejtjen e lartpërmendur. (b) Gazetari/ja duhet të shmangë publikimin e detajeve dhe kualifikimeve nënçmuese në lidhje me racën, ngjyrën, origjinën etnike, kombësinë, fenë, gjininë, orientimin seksual, identitetin gjinor, gjendjen fizike dhe mendore ose sëmundjen, statusin familjar dhe përkatësinë politike, përveç nëse është në favor të interesit publik. (c) Një gazetar/e duhet të ketë kujdes të veçantë për të mos kontribuar në përhapjen e urrejtjes kur raporton për ngjarje dhe fenomene që në vetëvete përmbajnë elemente të urrejtjes. Është detyrim i gazetarit/es të respektojë vendet dhe kombet e tjera.”

Në Kodin e Nderit të Gazetarëve Kroatë, pika 13 “Të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut” thuhet se gazetarët respektojnë, mbrojnë dhe promovojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, dhe në veçanti parimin e barazisë së të gjithë qytetarëve. Përgjegjësi e veçantë pritet kur raportojnë ose komentojnë mbi të drejtat, nevojat, problemet dhe kërkesat e grupeve shoqërore të pakicave. Informacioni mbi racën, ngjyrën, fenë ose kombësinë, moshën, seksin, orientimin seksual, gjininë, çdo karakteristikë fizike ose mendore ose sëmundje, statusin martesor, mënyrën e jetesës, statusin shoqëror, statusin e pasurisë ose nivelin e arsimimit publikohet nga gazetari vetëm nëse është jashtëzakonisht e rëndësishme në kontekstin në të cilin prezantohet. Është e papranueshme të përdoren stereotipe, shprehje pezhorative, portretizim nënçmues, si dhe çdo formë tjetër e nxitjes ose mbështetjes direkte ose indirekte të diskriminimit”.

Kështu është në të gjithë kodet e tjerë të etikës profesionale në vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe në botë, të cilat bazohen në dokumentin themelor të këtij lloji, të ashtuquajturën “Deklarata e Mynihut” nga viti 1971. Gjegjësisht, përfaqësuesit e sindikatës së gazetarëve të gjashtë vendeve anëtare të BE-së miratuan “Deklaratën për të Drejtat dhe Detyrimet e Gazetarëve të Komunitetit Evropian” (Lorimer, 1998, 156-158) mbi bazën e së cilës shumë shoqata kombëtare të gazetarëve dhe disa shtëpi mediatike kanë krijuar kodet e tyre të brendshme. Sigurisht, shprehja “gjuhë e urrejtjes” ka hyrë në përdorim publik shumë dekada më vonë, por ky model u njoh edhe në këtë dokument të krijuar, pikërisht gjysmë shekulli më parë.

Legjislacioni i të gjitha vendeve e njeh “fyerjen” dhe është një “shkelje/delikt” shumë e diskutueshme dhe e ndjeshme. Prandaj, ne do të citojmë shpjegimin e një gjykatësi shumë të njohur nga Serbia, Misho Majiç:

“Kur bëhet fjalë për veprën penale të fyerjes, gjërat nuk janë aq të thjeshta sa mund të duken ndonjëherë. Arsyeja pse ka pikëpamje kontradiktore në praktikën gjyqësore përmbahet në paragrafin 4 të nenit 170 të Kodit Penal. Gjegjësisht, këtu thuhet, ndër të tjera, se autori nuk do të ndëshkohet për një akt fyerje nëse prezantimi bëhet në kuadrin e kritikës serioze në një vepër shkencore, letrare ose artistike, në kryerjen e detyrave zyrtare, thirrjes gazetareske, veprimtarisë politike, mbrojtjen e një të drejte ose mbrojtjen e interesave legjitime, nëse është e qartë nga mënyra e hulumtimit ose nga rrethana të tjera se kjo nuk është bërë me qëllim të nënçmimit/fyerjes. Kështu, gjykata që gjykon, pasi ka vlerësuar të gjitha rrethanat e çështjes, do të duhet të vlerësojë nëse deklarata, e cila është thjesht dhe objektivisht e vlerësuar fyese (paditësi është “gënjeshtar”), e dhënë në këtë rast konkret në mbrojtjen e të drejtave ose mbrojtjen e interesave legjitime, dhe nëse gjatë të shprehurit dhe në bazë të rrethanave të tjera, tregojnë se kjo nuk është bërë me qëllim të nënçmimit. Prandaj, nevojitet përmbushja kumulative e të dy këtyre elementeve/kritereve (rrethanat + qëllimi)”.

Meqenëse ky “fenomen i zakonshëm” është gjithashtu në të gjitha praktikat gjyqësore në të gjithë Ballkanin, ne besojmë se kemi zgjidhur dilemat themelore nëse është “rishikuar/marrë vendim” gjuha e urrejtjes në praktikën etike dhe legjislative. Atëherë pse “gjuha e urrejtjes” është akoma jashtëzakonisht e pranishme në ligjërimin publik dhe si ta kufizojmë atë? Përgjigja për këto pyetje nuk është aspak e thjeshtë. Një nga disa prej përgjigjeve të mundshmet ishte ofruar në videon e avokatit të organizatës joqeveritare Buka nga Sarajeva, e cila arriti miliona shikime për vetëm disa ditë.

Burimi: bird.tools
Prezantim krijues “i gjuhës së tepruar të urrejtjes”

Këtu po prezantojmë vetëm një pjesë të tekstit të këtij video-xhirimi si një shembull i papërgjegjësisë së përgjithshme në zgjedhjet gjuhësore që i dëshmojmë për çdo ditë:

“- Më jep do mish viçi, o ti derr i trashë.

– A e do këtë gjysmë kilogrami apo një kilogram, o kurvë turke.

– Në rregull është kjo prej gjysmë kilogrami, o ti çetnik pederast.”

Marija Jankoviç, gazetare e BBC-së, më 12 prill 2021 në artikullin e saj “Hejt Sloveni dhe Ballkani: si himni jugosllav e kishte frymëzuar në luftën kundër gjuhës së urrejtjes” thotë: “Frymëzimi fillestar për videon ishte kënga Hej, Sloveni, e cila pothuajse gjysmë shekulli ishte himni i ish-Jugosllavisë” deklaroi Aleksandar Trifunoviç, drejtor i organizatës Buka dhe shton:

“Këtë herë kemi vendosur të luftojmë gjuhën e urrejtjes ashtu si një vaksinë që lufton koronavirusin – ju duhet të vendosni një pjesë të virusit në vaksinë për të vrarë virusin. “Kështu na u desh edhe neve të fusnim një pjesë të gjuhës së urrejtjes për ta luftuar atë.”

Duket se videoja është me të vërtetë një nga zgjidhjet e mundshme kundër gjuhës së urrejtjes sepse u transmetua në një kanal komunikues – interneti, i cili është afër të rinjve, kështu që është vendi kryesor ku “qëndron” grupi i synuar, i cili duhet të ndërgjegjësohet dhe të mësojë ta njohë “gjuhën e urrejtjes” dhe gjithashtu ta kundërshtojë atë, duke e ekspozuar atë në një mënyrë krijuese dhe sarkastike dhe duke treguar qartë se sa e kemi humbur plotësisht ndjenjën tonë të shijes së mirë, mirësjelljes dhe komunikimit në fjalën publike, qëllimi i së cilës duhet të të jetë dialogu dhe debati, e jo fyerjet dhe nënçmimi i tjetrit dhe ndryshmit.

Asgjë nuk ka lindur dje

Në thelb, gjithçka filloi tridhjetë vjet më parë kur artikujt e gazetave në media në territorin e tërë ish-Jugosllavisë “qëllonin nga të gjitha mjetet e disponueshme gjuhësore” ose si sociolinguisti ynë i famshëm Prof. Dr. Ranko Bugarski në librin e tij “Gjuha nga paqja në luftë” shtjelloi tezën se në territorin e ish-Jugosllavisë, fillimisht u gjuajtën me fjalë dhe më pas me topa. Le të kujtojmë edhe raportimin e luftës të viteve 1990 të shekullit të kaluar. Secila palë në konflikt e quajti tjetrën në raportimet mediatike nga fusha e betejës me fjalët dhe shprehjet më nënçmuese nga ato fjalorit historik si “Ustashë”, “Çetnikë”, “Balije” e deri te shumë më ogurzi siç janë “përdhunuesit dhe urrejtësit e Aliut”, duke aluduar në politikanin Alija Izetbegoviç i cili ishte udhëheqësi i muslimanëve boshnjakë ose boshnjakëve siç e identifikuan më vonë veten e tyre.

Pra, fakti që industria e medias filloi atëherë vazhdon edhe sot, madje fuqizohet më shumë nga mundësia e ofruar e teknologjive të reja digjitale ku vetë përdoruesit mund të lënë komente mbi tekstet e botuara në edicionet online të mediave tradicionale ose në portalet e mediave të reja, respektivisht për të reklamuar në rrjetet sociale. Vetë mundësia e fshehjes së identitetit dhe mungesës së një kufiri të qartë midis privates dhe publikes në hapësirën online ka kontribuar që shumë të harrojnë për mirësjelljen në komunikim.

“Zhargoni i rrugës dhe fjalori i sharjeve janë bërë të njohur në komunikimin publik, në parlament, në jetën politike në përgjithësi. Nuk do të jetë vetëm një mungesë e gjuhës ose kulturës politike, por një politikë e qëllimshme e dhunës verbale” (Ranko Bugarski, NIN, 19.11.2020 faqe 20). Bëhet fjalë për vendosjen e pushtetit përmes zgjedhjeve gjuhësore, të cilat elitat qeverisëse politike i praktikojnë çdo ditë në komunikim me gazetarët, publikun dhe politikanët.

Modeli i komunikimit publik që ata kanë krijuar bëhet një model i praktikës “së mirë” për të tjerët, një model sipas të cilit gjithçka lejohet, pavarësisht nëse kalon kufijtë e mirësjelljes themelore dhe hyn në zonën e dhunës së hapur verbale. Nëse deklaratat e deputetëve në Kuvend si kjo e Vojisllav Sheshelj nuk sanksionohen, i cili është një nga shembujt e panumërt të gjuhës së urrejtjes pas foltores së organit më demokratik të çdo shoqërie, atëherë nuk mund të pritet që në komunikimin publik të gjeni një vend tjetër ku ekzistojnë modele të tjera komunikimit: ju e dini, keni dëgjuar për Snezhana Çongradin, ajo është shumë e shëmtuar, madje më e shëmtuar se Stasha Zajoviç. Stasha Zajoviç është një starletë krahasuar me të. Kjo i ngjan një kafshe. Një kafshë e vërtetë, pasha sytë e mi. Kjo Snezhana Çongradin, e cila duket si një kafshë, imagjinoni se shkruan…”.

Po në komunitetin online, çfarë shkrimesh mund të gjejmë?

Askush nuk është i ngazëllyer më për deklaratat prapa foltores parlamentare që fyejnë të gjithë ata që kanë mendim ndryshe, sepse ata janë bërë pjesë e “repertorit parlamentar” të përditshëm dhe luftës “për një të nesërme më të mirë”. Komuniteti online kujdeset edhe më pak për mirësjelljen në komunikimin publik. Cicërima të tilla në Twitter janë pjesë e ofertës ditore të gjuhës së urrejtjes dhe shprehjeve të intolerancës ndaj personave me mendim ndryshe, madje edhe kur dënojnë gjuhën e urrejtjes:

A ka ndonjë model që mund të zbatohet pa asnjë hezitim?

Gjuha e urrejtjes ka matrica të qarta si në nivelin eksplicit ashtu edhe në atë implicit, respektivisht kur bëhet fjalë për përmbajtjen dhe formën. Përmbajtja është lehtësisht e njohur kryesisht në fjalorin që është i turpshëm dhe i paqartë dhe jo i përshtatshëm për fjalimin publik, dhe është më e lehtë të identifikohet megjithëse ka mundësi të përjashtohet nga komunikimi publik thjesht duke moderuar komentet e përdoruesve në një portal të lajmeve për të mos lëshuar përmbajtje të tilla, ose kushdo që nuk dëshiron të ndotë “hapësirën e tij personale” mund të bllokojë në Twitter njerëzit që mbjellin gjuhë urrejtjeje ose i përjashtojnë ata nga lista e miqve në Facebook. Agresioni leksikor mungon kryesisht në mediat tradicionale, me përjashtim të disa tabloideve.

Sipas një hulumtimi të CEPROM “Agresioni i komunikimit në Serbi në vitin 2019”, komunikimi agresiv është gjashtë herë më i pranishëm në hapësirën online krahasuar me median e shkruar sepse deri në 86 përqind të teksteve problematike që përmbajnë gjuhë urrejtjeje, sensacionalizëm dhe agresion (17.169 tekste) janë botuar në portalet e informacionit, ndërsa 14 përqind janë botuar në gazetat e përditshme (2795 tekste).”

Situata është shumë më e komplikuar me rrëfimet dhe strategjitë e ligjërimit që në mënyrë implicite përhapin urrejtje dhe intolerancë ndaj tjetrit dhe ndaj të ndryshmëve në të dy mediat tradicionale dhe ato të reja. Në mënyrë që të dekonstruktojmë strategjitë e diskursit, ne ende kemi nevojë për një aparat shkencor, dhe për këtë arsye studiuesit kanë një detyrë të madhe dhe serioze për të analizuar fjalimin publik të “elitave simbolike” (termi Teuna van Deika) në Ballkanin Perëndimor, të cilat kanë kontribuar në ndotjen e komunikimit në hapësirën publike. Në elitat simbolike i klasifikojmë gazetarët, shkrimtarët, publicistët, regjisorët, aktorët dhe përfaqësuesit e tjerë të industrisë krijuese sepse ata janë ata që mund të ndërmjetësojnë në mënyrë delikate gjuhën e urrejtjes në emër të pushtetit politik në një mënyrë që nuk identifikohet qartë dhe për këtë arsye mekanizmat mbrojtës të audiencës nuk janë në gatishmëri dhe shpesh nuk reagojnë fare.

Ka shembuj të panumërt, veçanërisht në media. Mjafton të përcillen pa komente fjalët e pjesëmarrësve në ngjarje që përhapin gjuhë urrejtjeje, ose të bëjnë një publicitet që nuk meriton për nga rëndësia e tij sepse nuk përfaqëson interesin publik, respektivisht që subjekte të caktuara të praktikës shoqërore kurrë nuk citohen drejtpërdrejt në media sepse nuk u përkasin elitave në pushtet, kurse të tjerët përmbysin ekranet televizive me paraqitje publike sepse ata kanë fuqinë në shoqëri të flasin kur, ku, në çfarë rastesh dhe çfarëdo që t’u shkojë në mendje. Për shembull, në 14 edicione të analizuara të ditarit të lajmeve të televizionit qendror të përditshëm të shërbimit publik serb, Aleksandar Vučić u citua 28 herë, mesatarisht dy herë në çdo edicion.

Nëse një grup i caktuar shoqëror portretizohet gjithmonë në një kontekst negativ pavarësisht nga paraqitjet, veprimet apo jo të tij publike, atëherë kjo është gjithashtu gjuhë e urrejtjes, e cila është gjithmonë rasti kur bëhet fjalë për udhëheqësit e opozitës në Ballkanin Perëndimor. Përkundrazi, deklaratat e liderëve të rinj të partisë në pushtet transmetohen bujarisht, të cilët përdorin çdo mundësi në Kuvend për të folur negativisht për opozitën, e cila faktikisht nuk është e pranishme në parlamentin kombëtar.

Tema nuk është e rëndësishme, është e rëndësishme vetëm të përmendet opozita në një kontekst negativ, sepse së pari, seancat transmetohen drejtpërdrejt, dhe së dyti, media dhe rrjetet sociale më vonë e citojnë atë me bollëk dhe popullariteti rritet: Luka Kebara “Vetëm shiko se si ish politikanët manjatë si z. Dragan Xhilas ose znj. Marinika Čobanov Tepić, ata ishin ndër të parët që thanë se vaksina nuk ishte e vlefshme, se shteti ynë nuk ishte në gjendje të siguronte ato vaksina dhe ata ishin në mesin e të parëve që nxituan për të marrë atë vaksinë sa më shpejt të jetë e mundur. Madje i kanë marrë nga prodhues të ndryshëm, anëtarë të partisë së tyre, atë parti-bananë, liri, drejtësi, siç quhet tashmë, një parti e parëndësishme”.

Kush janë grupet më të përshtatshme që janë cak i etiketimeve në praktikimin e gjuhës së urrejtjes?

Në Ballkanin Perëndimor, ata janë gjithmonë të njëjtët subjekte, ata që nuk posedojnë ndonjë fuqi shoqërore. Ata janë një grup i përshtatshëm për t’i sulmuar, sepse në këtë mënyrë tërheqin vëmendjen e publikut nga tema shumë më të rëndësishme, të tilla si keqpërdorimet e ndryshme të atyre që kanë atë fuqi. Pra, përveç opozitës, këtu janë edhe migrantët, gazetarët kritikë ndaj qeverisë, grupet e margjinalizuara, pakicat kombëtare, dhe komuniteti LGBT.

Mediat kanë fuqi dhe e përdorin atë gjerësisht në Ballkanin Perëndimor për të prodhuar dhe përhapur “panik moral” dhe për t’i margjinalizuar më tej grupet shoqërore duke i dënuar ata me përdorim të gjerë të gjuhës së urrejtjes si simptoma dhe shkaqe të tensioneve më të gjera shoqërore dhe imoralitetit të të gjitha llojeve, pavarësisht nëse bëhet fjalë për dezinformatat, përmbajtjet manipulative ose lajmet e rreme.

Modelet/Matricat janë gjithmonë të njëjtat, kurse në shembujt konkretë ndryshojnë vetëm nuancat e paraqitjes.

Burimi: Respublica

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button