UNESCO me kritikë prej 125 faqesh: Liqeni i Ohrit në një pikë pa kthim?

Qendra për trashëgimi botërore e UNESCO-s e publikoi raportin e Misionit monitorues reaktiv, i cili e vizitoi rajonin e Ohrit në janar të vitit të kaluar. Në 125 faqe, në detaje janë shënuar të gjitha parregullsitë në lidhje me kujdesin dhe mbrojtjen e Liqenit të Ohrit si në Maqedoninë Veriut ashtu edhe në Shqipëri. Në raport kërkohet zbatim i shpejtë i dhjetëra rekomandimeve, që u janë drejtuar autoriteteve në të dy vendet, prishjen e objekteve të paligjshme tashmë të ndërtuara dhe respektimin e pakushtëzuar të moratoriumit për ndërtim në bregun e liqenit, shkruan DW.

Në të, si rezultat i degradimit të vazhdueshëm të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të rajonit, dërgohet rekomandim i qartë: Rajoni i Ohrit të vendoset në listën e trashëgimisë botërore të rrezikuar.

Kërcënime të reja

Misioni konkludon se aktivitetet e përcaktuara në vitin 2017 nuk janë përmbushur ashtu që të kapërcehen dobësitë dhe kërcënimet që ishin identifikuar disa vjet më parë. Jo vetëm që parregullsitë nuk janë ndalur, por po shfaqen projekte dhe plane të reja që e kërcënojnë rajonin e Ohrit dhe tregojnë kërcënime të reja.

Regjistrimi i objekteve ilegale është një hap përpara, por prishja e objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme po zhvillohet shumë ngadalë, veçanërisht në Maqedoninë Veriut, theksohet në raport, i cili synon të përshpejtojë prishjen e tarracave të ndërtuara në brigjet e Liqenit të Ohrit, të cilat në disa vende depërtojnë në ujërat e liqenit. Fenomene të tilla janë vërejtur jo vetëm në Ohër, por edhe në Strugë, ku përmendet Radozhda si shembull, me numrin më të madh të restoranteve të ndërtuara në bregun e liqenit.

“Këtë herë, së bashku me Shqipërinë, ne e merituam të njëjtën gjë, sepse bartësit e pushtetit dhe shërbëtorët e tyre në institucione, në shoqëri e bizneseve të mëdha, në mënyrë të paskrupullt dhe me dhunë, kryen vazhdimisht krim ndaj njërit nga liqenet më të vjetra në planetin Tokë , e neglizhuan trashëgiminë, i përdhosën qytetet, e plaçkitën vendin”, thonë nga OJQ-ja SOS- Ohër.

Sipas tyre, për këto katër vjet, nga raporti i mëparshëm i Misionit monitorues reaktiv në vitin 2017, pamë procese me dinamik një hap përpara-tre prapa, shou me “prishjen e ndërtimeve të paligjshme”, plan menaxhimi që lëshua në nivel të përcaktimit të numrit të kateve, procese të mbrojtjes që u sabotuan.

Si rezultat i problemeve të rëndësishme me menaxhimin dhe zbatimin e dobët të ligjeve, Trashëgimia botërore e rajonit të Ohrit është nën shkallë të lartë të lëndueshmërisë.

“Një mori komisionesh, dokumente zyrtare që dikush paguan, ndërsa askush nuk i zbaton. Ekspertët e UNESCO-s i zbërthyen lehtë”, thonë nga SOS-Ohër, duke cituar pjesë të raportit në të cilin vihet në pah se “si rezultat i problemeve të rëndësishme me menaxhimin dhe zbatimin e dobët të ligjeve, Trashëgimia botërore e rajonit të Ohrit është nën shkallë të lartë të lëndueshmërisë”.

Maskat ranë

“E gjithë kjo ka çuar në ndërhyrje të papërshtatshme, efekte negative në planifikimin urban, propozime për projekte në shkallë të gjerë që rezultojnë në një përkeqësim serioz të gjendjes së peizazhit urban, rural dhe natyror dhe atributeve kryesore me vlerë të jashtëzakonshme universale. Kështu, Trashëgimia botërore e rajonit të Ohrit ka përmbushur kushtet për t’u përfshirë në Listën e Trashëgimisë botërore në rrezik,” ka vënë në pah UNESCO.

“Dy vjet më parë në Baku, autoritetet, shtetërore dhe lokale, u lavdëruan se e kishin shpëtuar trashëgiminë botërore, por në vend të kësaj në terren ata vetëm shfaqën orekset e tyre të lakmisë për korruptim për plaçkitje dhe shkatërrim. Këtë kohë të shtrenjtë e paguan me plus dy vjet degradim të Liqenit të Ohrit, Galiçicës, bregut, florës dhe faunës … Më në fund, maskat janë hequr dhe mund të shohim fytyrën e vërtetë të bartësve të funksioneve publike”, janë të prerë në qëndrimin e tyre anëtarët e SOS-Ohër.

Qendra për Trashëgimi botërore thekson se “modifikimet ekzistuese dhe të planifikuara dhe urbanizimi po e intensifikojnë situatën tashmë të lëndueshme në rajon deri në pikë nga e cila nuk ka kthim. Pas raportit të UNESCO-s, i cili iu dërgua autoriteteve të Maqedonisë në janar të këtij viti, në të cilin situata në rajonin e Ohrit vlerësohet më së keqi deri më tani, kryeministri Zoran Zaev u takua me disa nga ministrat të Qeverisë. Në takim, ku u shqyrtua raporti që tregon se Ohri është në kaos urban me të cilin kërcënohet dhe shkatërrohen bimët dhe kafshët e gjalla, u theksua se ‘draft-raporti i UNESCO-s duhet të pranohet si edhe një raport për alarm, deri tani më i forti për situatën në rajonin e Ohrit e që tani imponohet nevojë e madhe për nivelin më të lartë të angazhimit midis të gjithë aktorëve për të eliminuar të gjitha rreziqet që e kërcënojnë liqenin ‘.

Rrënim urgjent i ndërtimeve të paligjshme

Qeveria më pas njoftoi se nuk do të lëshonte pe dhe se do të rrënonte të gjithë ndërtimet në zonën e mbrojtur. Për atë qëllim, u paralajmërua se do të organizohen iniciativa me kryetarët e komunave të Ohrit, Strugës dhe Debarcës, që secili institucion menjëherë të marrë përsipër  përgjegjësitë e veta, si dhe të zbatojë anulimin e të gjitha aspekteve të projekteve të dëmshme që janë trashëgimi nga e kaluara, siç janë: për shembull, projektet e Subrata Roj dhe Qeverisë deri në vitin 2016, Lubanishta 1 dhe 2. Heqja e ndërtimeve paligjshme përgjatë brigjeve të Liqenit të Ohrit dhe në zonën e mbrojtur të qytetit, ndalimi i plotë i ndërtimit , harmonizimi i planeve urbanistike me Planin për menaxhim të trashëgimisë botërore natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit, mbrojtja e arkitekturës së vjetër të qytetit, heqja e pajisjeve urbane përreth monumenteve të rëndësishme të qytetit dhe paneleve diellore nga shtëpitë në Qytetin e Vjetër janë vetëm disa nga vërejtjet e shënuara në Raportin e fundit të gjerë të UNESCO-s. UNESCO kërkon edhe rindërtimin e shtegut për këmbësorë që lidh kanalin “Studençica” me “Gorica 1” sepse vlerësimi është se lidhjet natyrore midis liqenit dhe kënetës u ndërprenë, gjë që rrezikoi jetën e egër.

Komuna e Ohrit në periudhën e kaluar filloi me prishjen e disa nga objektet përgjatë bregdetit, por paralelisht me aktivitetet për prishjen e ndërtimeve ilegale, ndodhi një proces tjetër – njoftime dhe përgatitje për shfaqje të ndërtimeve të reja pranë bregut të liqenit , gjë që shkaktoi reagime të mëdha të publikut, e pas kësaj u urdhërua inspektim i jashtëzakonshëm nga institucionet kompetente. Për disa nga rekomandimet e UNESCO-s, Maqedonia e Veriut do të ketë një periudhë tre vjeçare për t’i zbatuar, por për shumicën e tyre kërkohet zbatim urgjent.

UNESCO kërkon heqjen e menjëhershme të objekteve të paligjshme në bregun e liqenit të Ohrit dhe Strugës.

Në Parkun Kombëtar “Galiçica”, i cili gjithashtu është nën mbrojtjen e UNESCO-s, janë regjistruar 2.321 objekte për të cilat po zhvillohet procedura e legalizimit. Në Ohër, 50 metra nga bregu, janë regjistruar 414 objekte të paligjshme. Nga 15 mijë kërkesa për legalizim të paraqitura në komunën e Ohrit dy vjet më parë – 11,000 ishin shtëpi familjare, 420 ndërtesa dhe 28 hotele.
Në Strugë, nga ana tjetër, numri i përgjithshëm i kërkesave të paraqitura për legalizim është 10,639. Të refuzuara, të paplota pa shtjellime janë 4,470. 3,127 raste janë zgjidhur. 3,038 janë në proces. Nga ata 3,038, 65 janë 50 metra larg liqenit. Gjysma e tyre u refuzuan. Një ligj i ri po përgatitet për të legalizuar ndërtimet e paligjshme, pasi versioni i vjetër u tërhoq nga Parlamenti për shkak të kritikave të shumta. Nuk do të lejojë legalizimin e ndërtesave të paligjshme në zonën e mbrojtur të Ohrit. “Jashtë zonës së mbrojtur në Ohër, në zonat që lejohen, jashtë planit të menaxhimit të Ohrit, lejohet legalizimi, natyrisht nëse kanë mbetur ndërtesa të tjera të paligjshme në zonën e Ohrit”, tha këto ditë kryeministri Zoran Zaev.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button