Kurti e vlerësoi të domosdoshëm bashkëpunimin e BE-së dhe SHBA-së në dialog, ndërsa Osmani kërkoi njohje në fund të dialogut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se bashkëpunimi dhe koordinimi midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rreth procesit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, “është i mirëseardhur, sepse është i domosdoshëm”, raporton REL.

Kurti i bëri komentet në një takim me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer. Dy zyrtarët po qëndrojnë në Kosovë, në prag të rifillimit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

Është paralajmëruar se Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mund të takohen kah mesi i qershorit. Arsyeja e vizitës së përbashkët të Lajçakut dhe Palmerit merret vesh se është pikërisht përgatitja e takimit Kurti-Vuçiq.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu sot gjatë ditës ka zhvilluar takim me zëvendës-ndihmës sekretarin e shtetit amerikan, Matthew Palmer dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak. Në takim me ta, Osmani njoftohet se ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të përqendruara maksimalisht në menaxhimin e pandemisë, zbatimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik të vendit, si prioritete themelore të institucioneve të vendit.

Sa i takon procesit të dialogut me Serbinë, Osmani thuhet se ka ritheksuar qëndrimin e institucioneve se Kosova pret që procesi i dialogut të përfundojë me njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve. Ajo ka riperseritur qëndrimin se për Kosovën mbetet thelbësore që në këtë proces të respektohen plotësisht integriteti territorial, rregullimi i brendshëm kushtetues dhe shtetëror, si dhe funksionaliteti i vendit. Për më tepër, ajo ka theksuar çështjen e personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, si prioritet në këtë proces.

“Ne presim që procesi të përfundojë me njohjen reciproke, duke i respektuar këto parime dhe që marrëveshja të jetë plotësisht e zbatueshme,” nënvizoi Osmani . Palmer dhe Lajçak, nga ana e tyre, e ritheksuan edhe një herë mbështetjen e tyre të plotë për procesin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ajo po kështu ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në për përkrahjen që u kanë dhënë qytetarëve të Kosovës në këtë kohë të vështirë për të gjithë ne. Ajo ka shprehur mirënjohjen ndaj Bashkimit Evropian për donacionin e vaksinave, dhe shprehu shpresën se edhe SHBA-të do të ndajnë një numër të vaksinave për qytetarët tanë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button