Javën e ardhshme do të votohet shkarkimi i presidentit Ilir Meta

Kuvendi i Shqipërisë vendosi të hënën që të mbajë një seancë të jashtëzakonshme më 9 qershor, për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, raporton REL. Një komision hetimor ka konstatuar javën e kaluar se Meta ka shkelur 16 nene të Kushtetutës përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit dhe se ai duhet të shkarkohet një vit përpara se t’i përfundojë mandati.

Hetimet janë kërkuar nga 49 ligjvënës të Partisë Socialiste në pushtet, të cilët kanë argumentuar se Meta nuk e ka përmbushur detyrën kushtetuese për garantimin e unitetit kombëtar përpara zgjedhjeve, duke anuar kah opozita.

Partia Socialiste i ka fituar zgjedhjet e 25 prillit, duke siguruar 74 nga 140 ulëset e Parlamentit. Për shkarkimin e Metës duhen dy të tretat e votave dhe socialistët nuk i kanë numrat për ta arritur këtë prag.

Por, nëse ligjvënësit votojnë për largimin e Metës nga zyra, miratimin përfundimtar duhet ta japë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë brenda tre muajsh. Meta thotë se Kuvendi është në një periudhë tranzicioni pas zgjedhjeve dhe për këtë arsye nuk ka të drejtë të kryejë veprimtari të tilla hetimore.

Meta e ka akuzuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama – i cili vjen nga Partia Socialiste – për “regjim kleptokratik” dhe për përqendrimin e të gjitha kompetencave legjislative, administrative dhe gjyqësore në duart e tij. Presidenca e Shqipërisë është kryesisht ceremoniale, por ka disa kompetenca mbi gjyqësorin dhe forcat e armatosura.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button