Sulmi ndaj gazetarëve, së shpejti pritet të miratohen ndryshimet në Kodin Penal të RMV-së

Ministria e Drejtësisë pret që së shpejti të miratohen ndryshimet ligjore në Kodin Penal të cilat veç më janë dërguar në Qeveri. Zëdhënësi i Ministrisë së Drejtësisë, Aleksandar Vidinovski, deklaroi për Portalb.mk se, propozimi për ndryshimet ligjore, ku bën pjesë edhe propozimi që sulmi ndaj gazetarëve të trajtohet si sulm ndaj një personi zyrtare, janë vendosur në regjistrin e rregulloreve dhe është çështje ditësh se kur do të miratohen nga ana e Qeverisë.

“Ndryshimet ligjore për Kodin Penal janë dërguar në Qeveri, janë vendosur në Regjistrin e Vetëm Nacional Elektronik, ajo është pjesa ku më shumë palë të prekura mund të japin mendimet dhe vërejtjet e tyre se si eventualisht të përmirësohet ligji. Ai proces është në fund dhe pritet që së shpejti Qeveria ta votojë dhe ta dorëzojë në Kuvend, ku po ashtu pritet që të miratohet në mënyrë aklamative”, tha ai.

Fillimisht, u paralajmërua se ndryshimet do të gjenden para deputetëve në gjysmën e dytë të muajit maj. Por sipas Vidinovski, procesi është ngadalësuar, pasi ka shumë palë të përfshira.

“I gjithë procesi është në fund, vetëm shkon pak ngadalë, për shkak se janë shumë palë të prekura dhe shumë organizata joqeveritarë, të cilat sigurisht kanë mendim të tyre për ndryshimet e propozuara ligjore dhe gjithsesi se merret parasysh edhe ajo që ata kanë për të thënë, sepse qëllimi është që procesi të jetë inkluziv dhe të jenë të gjithë të kënaqur nga ndryshimet. Si do që të jetë, pjesa për gazetarët ku qëndron se sulmi ndaj një gazetari apo punonjësi mediatik do të thotë kameramani, do të trajtohet si sulm ndaj një personi zyrtar ajo mbetet në cilin do kombinim”, tha ai.

Ndryshimet në Kodin Penal për pjesën e gazetarëve janë iniciuar nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve të Maqedonisë (SPGM) në bashkëpunim me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), me të cilin sulmi ndaj gazetarëve dhe punëtorëve mediatik do të trajtohet si sulm ndaj personit zyrtar.

Me këtë, sipas tyre, do të lehtësohet procedura dhe MPB dhe Prokuroria do duhet që patjetër sipas detyrës zyrtare t’i përndjekin ata të cilët marrin guximin të sulmojmë, keqtrajtojnë ose kërcënojnë gazetarët. SPGM që në vitin 2017-të ka hartuar analizë me rekomandime konkrete dhe ndryshime të Ligjit.

Përpos ndryshimeve në Kodin Penal, me ndryshime në Ligjin për përgjegjësi qytetare propozohet edhe ulja e dëmshpërblimit për shpifje dhe fyerje deri në 10 herë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button