THESI DHE “VOCËRRAKU”

Këto dy fjalë sipas ngjarjeve të përjetuara që do trajtohen në këtë shkrim do duhej që të ndryshonin vendin, pra e dyta të ishte e e para, ndërsa e para, e dyta. Zhvendosjen e bëmë nga filozofia jonë e jetës se gjërat e mira dhe pozitive gjithnjë duhet të afirmohen dhe të kenë prioritet në jetë, përkundër sekuencave dhe përjetimeve negative, që jo që s’i mungojnë jetës, dhe nga të cilat gjithashtu mund të merret mësim. Të dy simbolet ndërlidhen me këtë fundjavë të këtij fundmuaji. Dolëm të bëjmë pazar apo allishverish për nevojat e shtëpisë. Bukë, mish të bluar, miell, vaj, sheqer, domate… ishte lista e porositur. Me t’u futur në dyqanin e kasapit, një i ri distributor i revistës së Qytetit të Shkupit. Dhe e hapëm, aty për aty, faqe pas faqeje. Flitej për të arriturat dhe kursimet e menaxhmentit aktual: hapësira gjelbërimi mbi ndërtesa, rrugë të reja të hapura, autobusë që harxhojnë 50% më pak se ata kinezë dykatësh që krijojnë atmosferë londineze. Prej aty në një supermarket, ku para se të hynim, në hapësirat e jashtme, rastisëm punëtorin e zakonshëm të disa viteve të fundit, të cilin e lutëm që një thes miell ta kalonte në autoveturë. “Po menjëherë Profesor” – u përgjigj. Dhe e mori e vuri para sediljes së mbrapme. Dhe të hyrë brenda, për të vazhduar me gjërat tjera, shitësi kryesor me buzën gaz na tha: “Ai nuk është më punëtor i joni, ka kaluar në një firmë tjetër!  Rastësisht është gjendur aty. Po ani s’prish punë” U hutuam dhe pa një pa dy dolëm jashtë që t’i kërkonim falje. Kishte hipur në veturën e vet dhe sa s’e nisi. “Ma bën hallall se s’e kisha ditur se s’je më këtu me detyrë!” “S’ka gjë profi, ju lutem – rrini hehat”. Më dukej se buzëqeshej me gjithë trupin në kohën që ne ndjeheshim me shumë faj sepse na kreu një shërbim që s’e kishte të bënte fare me të. “E pra,” – thash me vete – “ende njerëzillëku dhe vlerat s’kanë vdekur. Ende ka të virtytshëm në mesin tonë që gjallnojmë, hamë bukë e pimë ujë. Ja shembulli. I pazëshëm, i vyeshëm, njeri kristal. Pa ndonjë arsimim kushediçfarë, ama person që ka marrë hise nga brezat e vjetër që kanë kryer misionin më së miri”. Kjo edukatë nuk ka çmim, nuk fitohet në asnjë vatër arsimore, kjo është kulturë e natyrshme që të lë të shpresosh në ardhmërinë. Kjo është një modesti që të fascinon dhe ta  mbushë ditën me mbresa që s’harrohen. Kjo të bën që t’u durtrokasësh dhe të lutesh për prindërit që kanë edukuar një të ri si ky. 25 kg i barti vetëm 3 metra. Kjo është dukja, aparenca, ndërsa thelbi, për atë që mendon dhe ka zemër është i papërshkrushëm edhe nga letrari dhe eticieni më në zë. Krahaso tani këtë me realitetin rinor, me brezin 2000 që e ka pllakosur dembelizmi, vetëpëlqimi, krenaria, Rey Ban, shisha dhe espresso subkultura… Pa një pa dy me siguri se do të na e kthenin me “Më fal, ama unë tanimë nuk jamë punëtor i këtij marketi, ja po e thërras Y-në…”

Dhe rasti numër dy. Kthehemi nga Kosova me katër miq, të gjithë më të vjetër se unë, të moshës 65-75 vjeç. Ulemi në një kafe-restorant në pjesën e këndej-Vardarit, pra në pjesën shqiptare, ndaç me thonjëza ndaç pa to. Për herë të parë e vizitojmë këtë lokal që na e kishin lavdëruar. Bëjmë porosinë dhe fillojmë që t’i pijmë lëngjet dhe kafenë. Doli një diell i panatyrshëm djegës për këto ditë me ndryshime të shumta të temperaturës. Ne në kokërr të rrezeve. Dhe pas një 20-25 minutash, arrin një çift maqedonas me një qen shtëpiak. Bëjnë porositë. Dhe pa një pa dy, kur kamarieri sjell një çadër të bardhë të cilën për ca minuta me shumë mundime e montoi, duke ju drejtuar atyre me fjalët: “Kjo është për vocërrakun”, pra për qenin, të cilit iu afrua dhe e lëmoi. Menjëherë erdhi edhe shërbimi për këtë të fundit, një filxhan i madh kafeje i xhamit me qumësht. “O sa mirë” – tha  njëri prej nesh – “me këtë filxhan më vonë do t’ju shërbejë çaj kamomile a nescafe klientëve.” “Lëre mor ti filxhanin, ne u dogjëm në diell, katër burra, ylyxhe, s’iu kujtua të në thotë as ta lëviznim vendin se ishim në diell, ndërsa për dikë që flet maqedonisht, dhe për një qen solli edhe çadrën edhe qumështin. O kohëra ters kanë ardhur o vëllezër” – tha tjetri. Unë mendova që të reagoj, por do hynim një polemikë sociologjike nga e cila s’ka rrugëdalje, fundi dihej, do mbërrinim te nacionalizmat, te veprimet me dy arshinë që janë një deja vu, dhe që tanimë na kanë dalë mbi kokë, për të cilat s’ke hesap as të harxhosh llafe. Me siguri reagimi do të ishte: “Па каква дискриминација госопода, љубимец, види го каков е сладок!” (Ç’diskriminim mor zotërinj, shihe sa i lezetshëm që shtë!” Në këtë shoqëri gjërat ecin me shpejtësinë e breshkës apo të kërmillit. Unë si njeri, për vete, do turpërohesha të bëja këtë diskriminim açik. Hajde tavolina tjetër të ishte pak më larg dhe s’vërehej gjithë kjo “xhentilesë parisiene” për një kategori klientele dhe një shërbim i ftohtë, pa sens për një tjetër. Sa i përket qenit, gjithçka është në rregull, bota shtazore është pjesë e universumit tonë, pa të cilën prishet ekuilibri planetar, dhe jemi të obliguar që ta respektojmë, por ama dihet se kush është bebza e ekzistencës, njeriu. Në kulturën apo narracionin tonë kulturor tonë burri kishte fituar parajsën ngaqë kishte parë një qen të etur duke lëpirë tokën për të gjetur pak lagështi, kishte hequr këpucën e vet, më pas kishte zbritur në pus, kishte mbushur këpucën me ujë dhe ia kishte shuar etjen kësaj krijese në gjendje të keqe. Në rastin e restorantit, çështja qëndron në atë se qeni doli më i vlerë se katër njerëz. Nga lokali u ndamë të përçmuar edhe si shqiptarë, edhe si njerëz dhe si klientë, sepse s’na morën në dorë, ndërsa çmimet si në Vjenë, afër dhjetë euro për tre lëngje dhe një kafe. E mira ishte që ruajtëm qetësinë dhe s’e prishëm atë paradite me një fesat llafesh nga i cili nuk do fitonim gjë. Përpos si nacionalistë mund të dilnim edhe si anti-animalistë, gjë që s’kishte të bënte fare, sepse para 30 viteve thuajse çdo shtëpi e jona në fshat ka pasur nga një “murxhë” a me tjetër emër. Madje ne dhe bota e kafshëve kemi jetuar nën një kulm, poshtë kafshët (stalla), sipër njerëzit.

Përfundim: e bardha dhe e zeza, plusi e minusi, shembulli i mirë dhe ai i shëmtuar do të jetojnë sa të ketë jetë. S’duhet të na habisin as të na e nxijnë jetën e as të na ftohin nga jeta. Ky është realiteti nga njeriu i parë deri sa të ekzistojë kjo botë. Jeta është shkollë, çdo ditë e saj ka leksionin e vet.    

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button