RMV, administratorët përpara se të nisin me punë, të shfrytëzojnë pushimin vjetor që të mos kthehen të gjithë përnjëherë

Nga 1 qershori, do të shfuqizohet detyrimi për mbajtjen e maskës në ambient të hapur, do të lejohet organizimi i dasmave dhe festimeve të tjera, publiku në ngjarjet sportive do të lejohet dhe shfuqizohet ndalimi i grupimit jashtë, ndërsa administrata publike pritet të kthehet përfundimisht në punë me kapacitet të plotë, shkruan Portalb.mk.

Qeveria rekomandoi që administratorët të kthehen në punë të plotë më 1 shkurt, por më 3 shkurt, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike, e tërhoqi një rekomandim të tillë.

Sidoqoftë, Qeveria shpjegon se ata sigurisht nuk marrin vendim, por vetëm rekomandojnë se si të zhvillohet procesi i punës bazuar në protokollet shëndetësore, dhe secili institucion vendos vetë se si të organizojë orët e punës. Që nga fillimi i pandemisë kovid-19, institucionet shtetërore kanë punuar me rotacione të stafit dhe me ndërrime.

Shumica e institucioneve shtetërore tashmë janë duke punuar me përbërje dhe kohë të plotë, dhe se është koha që të gjithë administratorët të kthehen në punë, konsideron edhe zëvendësministri i Shëndetësisë Ilir Hasani, por duke theksuar se nuk duhet të ngutet dhe ideja e tij është që të përdoren pushimet vjetore me qëllim që të mos kthehen të gjithë menjëherë.

“Mendoj se është koha që ngadalë, të gjithë administratorët të kthehen në punë. Ideja është që për shkak të pandemisë të përdoren pushimet vjetore. Ministria e Shëndetësisë ka lejuar përdorimin e pushimeve nga ana e punonjësve, veçanërisht atyre të  kujdesit shëndetësor, me qëllim që kthimi të jetë i ngadaltë, jo i befasishëm. Masat do të kontrollohen absolutisht nga Ministria e Shëndetësisë”, tha Hasani në hapjen e repartit të rinovuar për të sëmurët kronikë në Spitalin Psikiatrik Bardovcë më 27 maj.

Për shkak të situatës së përmirësuar epidemiologjike, pritet që ngjarjet dhe koncertet në ambient të hapur të fillojnë së shpejti. Komisioni për Sëmundjet Infektive duhet të hartojë protokolle me qëllim që të mundet edhe pas 15 qershorit të mund të organizohen kësi lloj ngjarjesh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button