Kodra e Diellit nën moton, ‟think globally lie locally‟!

Për të satën herë duhet të merremi me analiza dhe strategji të mbllaçitura, që çuditërisht po u lansohen banorëve tetovarë, si dushk për gogla. Posa afrohen data zgjedhjesh, në nivel vendi apo vendore, menjëherë dalin gjelat në maje plehu dhe ia tonë këngës së tyre të mësuar përmendësh, do të investohet në Kodrën e Diellit kaq milionë madje dhe miliardë, se gjuha nuk ka kockë thotë populli, kah ta çosh shkon. Po mirë mor, a nuk ju shkon mendja se në shekullin e 21-të gjërat që thuhen regjistrohen, shkruhen dhe memorizohen, jo në trurin e qytetarit pasi nuk ka nevojë për një gjë të tillë, por në kompjuterë të të gjithë atyre që ky problem dhe shumë të tjerë u janë bengë në shpirt e në tru!

Votuesi tetovar, Sizif i kohërave tona, priti dy dekada të vijë te versioni i fundit (të shpresojmë se është i fundit, sic!) të studimeve të fizibilitetit. Me sa mbaj mend e sa  kujtoj qartas janë bërë nja tri a katër sosh, të cilat asnjëherë nuk iu ofruan publikut por, ishin dhe mbetën të fshehta për publikun, të pashpërfaqura. Ndërkaq më pastaj fillon saga, rrëfenja taravole, me investimet në Kodrën e Diellit.

Ta thirrim mbamendjen e kujtesën dhe të shohim se çka u bë me lajmin bombastik të datës 12 maj 2012, biznesmenë nga Katari janë të interesuar për modernizimin e qendrës turistike Kodra e Diellit sipas modelit te Banjskos në Bullgari?!

Mashtrimet e radhës të opinionit  të bëra nga vetë premieri Gruevski të fundvitit  2012 me të ashtuquajturin ʼPlanin masterʼ për investime në Kodrën e Diellit. Ai paralajmëroi investime 30 milionë eurosh. Në mënyrë taksative u numëruan etapat dhe investimet në: shtigje të reja skijimi, hotele të reja, rrugë dhe parkingje të reja …bla, bla, bla.

Zoran Zaev më 29.12.2020 lëshoi gënjeshtrën e radhës! Një numër i madh i kompanive me famë botërore nga Katari, Zvicra, Gjermania dhe shtete të tjera të botës, kanë shfaqur interesim për Kodrën e Diellit. Procedura e dhënies në partneritet publiko-privat pritet të nis së shpejti. Në internet akëcili që dëshiron të eksplorojë për çështjen në fjalë do të gjejë dhe shumë e shumë premtime të sojit të ngjashëm.

Gënjeshtrat rreth dhe për temën në fjalë nuk janë të pjesshme e të përkohshme por përsëritëse, plasohen si zakonisht në kohën e zgjedhjeve madje edhe nga një ministër i punëve të jashtme.  Dhe kur jemi tek gënjeshtarët duhet theksuar se ata nuk gënjejnë bukur dhe as në mënyrë të organizuar. Gënjejnë dosido. Gënjejnë si u vjen. Gënjejnë pa u menduar. Madje në një ditë të vetme njëri ministër thotë një gjë kurse tjetri tjetër gjë për të njejtën temë.

Dhe gënjeshtër pas gënjeshtre arrijmë te kjo e sotmja: Zoran Zaev dhe Kreshnik Bekteshi në Shkup ndërkaq Bujar Osmani në Tetovë ripromovon për të satën herë projektin për ringjalljen e Kodrës së Diellit, si qendër e skijimit. Marrëveshja është në fazën finale dhe në vlerë prej 50+50 milionë euro. Projekti është sipas Ligjit për koncesione me partneritet publik-privat apo investime strategjike, varësisht fazës përfundimtare të marrëveshjes. Thelbi është të jepen koncesione 99-vjeçare, njërit nga investuesit më të mëdhej të qendrave të skijimit në Evropë. Dhe siç është bërë zakon e miri investotorit mbetet I besueshëm. Rendi është që investitori vetë të publikojë atë kur të vendoset.

Perla të tilla të mashtrimeve që bëhen në kohën e zgjedhjeve e që janë të lidhura me Kodrën e Diellit ka plotë. Por jam i mendimit se nuk ia vlen që për to të harxhohet kohë, mendje e mund.

Njerëzit e politikës, ndër ne, nuk gënjejnë kot. Kështu duhet, thonë ata. Ata janë të bindshëm  pasi ia kanë parë hairin asaj – gënjeshtrës, madje sa e sa herë. Të tillët nuk mund të planifikojnë, nuk mund të ndërtojnë e as që mund ta çojnë vendin përpara. Ndërkaq neve na ngel që tʼi gëzohemi këtij lajmi sërish, tʼi duartrokasim këtij vendimi për  investim, që do të bëhet, ribëhet dhe nuk bëhet!?  Apo tʼi besojmë edhe këtë herë, dhe të presim se cila kompani me dy të punësuar me kapital prej 3.000 (tre mijë) euro me seli në Pragë, Budapest, Nikozi …… e Bangladesh, do të investojë më në fund në këtë qendër të lënë tri dekada pas dore.

Koha shpejtë do të tregojë. Do na shkurtohen këmbët!

Tetovë, fundmaj, 2021, Mislim Zendeli

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button