Vietnami identifikoi variantin e ri të koronavirusit

Autoritetet në Vietnam kanë zbuluar një variant të ri të koronavirusit, i cili sipas tyre është një kombinim i variantit indian dhe atij britanik.Po ashtu autoritetet kanë thënë se ky variant përhapet më shpejt me ajër, shkruan Zëri i Amerikës.

Në pjesën më të madhe të vitit të kaluar, Vietnami përballoi me sukses situatën e pandemisë, por tani po përballet me një rritje të infeksioneve. Që nga muaji prill janë regjistruar më shumë se gjysma e 6856 rasteve të verifikuara në total dhe 47 vdekje.

“Vietnami ka zbuluar një variant të ri COVID-19 që kombinon karakteristikat e dy varianteve ekzistuese të gjetura për herë të parë në Indi dhe Mbretërinë e Bashkuar”, tha Ministri i Shëndetësisë, Nguyen Thanh Long.

“Është tepër i rrezikshëm”, ka thënë ai në një takimi qeveritar, sipas një regjistrimi audio që disponon agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ministri i Shëndetësisë, Nguyen Thanh Long tha për median shtetërore se “Vietnami së shpejti do të publikojë të dhëna gjenome të variantit të identifikuar rishtas”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka identifikuar katër variante të koronavirusit: varianti indian, ai britanik, variant i Afrikës së Jugut dhe varianti brazilian.

Zyrtarët në OBSH nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës së agjencisë “Reuters” për koment në lidhje me variantin e identifikuar në Vietnam.

Viruset shpesh zhvillojnë ndryshime të vogla gjenetike ndërsa riprodhohen dhe variante të reja të koronavirusit janë identifikuar pothuajse që kur u zbulua për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

Vietnami deri më tani ka vaksinuar 1 milion njerëz me doza të vaksinës së kompanisë “AstraZeneca”. Javën e kaluar autoritetet nënshkruan një marrëveshje me “Pfizer” për 30 milionë doza, të cilat janë planifikuar të dorëzohen në tremujorët e tretë dhe të katërt të këtij viti.

Po ashtu vendi është në bisedime me kompaninë “Moderna” për të blerë doza të vaksinës, me qëllim vaksnimin e 80% të popullisë prej 96 milionë banorë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button