Operacioni anti cannabis në Krujë, 16 të arrestuar e 17 mijë bimë të sekuestruara

Në Shqipëri, policia njoftoi sot se ka arrestuar 16 persona, ndërsa ka shpallur në kërkim 24 të tjerë, si pasojë e operacionit të nisur ditën e djeshme në Krujë, kundër kultivimit të bimëve narkotike, shkruan Zëri i Amerikës.

Operacioni në të cilin u angazhuan forcat të shumta policie, përfshirë dhe njësitë speciale, u përqëndrua në zonën e Niklës, Halil dhe Arramerras. Mes të arrestuarve janë dy gra, kryeplaku i fshatit Halil, si dhe dy punonjës të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë. Këta dy të fundit dyshohet se kanë lidhje me një laborator të kultivimit të marijuanës me anë të ngrohjes me llampa.

Përveç këtij laboratori, policia bëri të ditur se ka sekuestruar dhe kubikë e fidanë cannabis sativa. Në total mendohet të jenë afër 17 mijë rrënjët e bimëve narkotike që janë zbuluar, si në plantacione të hapura ashtu dhe në serra.

Operacioni nisi pas të dhënave të mbledhura nga monitorimet e kryera si me dronë nga vetë Policia shqiptare, ashtu dhe me avionë të Guardia di Finanza-s italiane, të cilët po kryejnë fluturime që prej mesit të muajit maj.

Në dy vitet e fundit, gjatë 2019-ës dhe 2020-ës, kultivimi i cannabis sativa-s ka patur një tendencë në rritje, pas një tkurrjeje të ndjeshme që u rregjistrua në vitin 2018, kur shifrat ranë në minimumet historike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button