Sistemi kombëtar i transportit dhe integrimi në korridoret globale

Historikisht transporti rrugor dhe detar kanë luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe ekspansionin territorial të shteteve. Në Ballkanin Perëndimor, transporti rrugor ka qenë një ndër tiparet kryesore të pushtimeve, transferimit të ushtrisë, mjeteve të rënda, lëndëve djegëse dhe produkteve ushqimore. Revolucioni Industrial në Evropë ishte i padukshëm në Ballkanin e atëhershëm ose pothuajse aspak ndryshime nuk u bënë në jetën e banorëve të jugut.

Pas shpalljes së autonomive nga Perandoria Osmane, shtetet si Greqia, Bullgaria dhe Serbia, ju rekën me shpejtësi projekteve të modernizimit të financuara nga Rusia Cariste dhe prej fondeve të Perandorisë Austro-Hungareze që kishin për qëllim ndërtimin e hekurudhave dhe zhvillimin e transportin rrugor. Ndryshime të dukshme në ndërtimin e rrugëve dhe urave u vërejtën në pjesën lindore dhe qendrore të gadishullit, kurse më pak në pjesën veri- perëndimore e që në fakt ishte pjesa e banuar me përkatësi të përzier etnike dhe fetare. Diku gjatë Luftërave Ballkanike, pas LPB-së dhe pas LDB-së shohim ndërtime me shpejtësi të infrastrukturës së dëmtuar nga konfliktet. Koha e socializmit jugosllav i dha një hov ndërtimeve të reja, por gjendja e tyre nuk u përmirësua gjatë transformimeve. Kështu, shtetet e Ballkanit Perëndimor për transportin e mallrave ende i shfrytëzojnë rrugët e dikurshme të ndërtuara gjatë Jugosllavisë së Titos, disa me fondet e SHBA-së, Kinës dhe Evropës. Po çka në të vërtetë ndërtuan qeveritë e post- komunizmit të cilët po e ëndërrojnë BE-në dhe mënyrën e të jetuarit si evropianët?!  Dihet se një qeveri duhet të jetë e aftë që sistemin kombëtar të transportit ta integrojë në korridoret globale të transportit dhe logjistikës. Këtë gjë disa shtete të rajonit nuk e kanë bërë. Legjislacioni i transportit i BE-së Kapitulli i 14 synon të përmirësojë funksionimin e tregut të brendshëm duke promovuar shërbime të sigurta, efikase dhe të shëndosha për mjedisin. Acquis-i i transportit mbulon sektorët e transportit rrugor, hekurudhave, rrugëve ujore të brendshme, transportit të kombinuar, aviacionit dhe transportit detar. Ai lidhet me standardet teknike dhe të sigurisë, standardet sociale, kontrollin e ndihmës shtetërore dhe liberalizimin e tregut në kontekstin e tregut të brendshëm të transportit…

Tani dy korridoret si VIII dhe X vazhdojnë të jenë të ndërtuar në mënyrë jo të barabartë, për shkak të gjeopolitikës dhe ndikimeve të qeverive rajonale. Janë dhënë premtime të shumta nga qeveritë me paratë e BE-së, por pa efekte konkrete në fushën e transportit. Korridori X për arsye të lidhjes të botës ortodokse nga veriu në jug është në gjendje të mirë dhe vazhdon të investohet në të.

Korridori VIII me dekada nuk është përmirësuar dhe investimet e të gjitha qeverive të Maqedonisë së Veriut (MV) drejt Shqipërisë dhe viseve të banuara me përkatësi shqiptare janë të ulëta për arsye politike dhe frikës së kotë për një “bashkim infrastrukturor” të shqiptarëve në Ballkan.

Janë bërë disa projekte me shuma të mëdha financiare për rrugë transporti më të mira nga MV-ja drejt Kosovës. Duhet pranuar se po të njëjtit kanë ngecur me vite dhe nuk dihet se kur do të përfundojnë. Disa investime infrastrukturore janë bërë nga Kërçova në drejtim të Qafë Thanës, Shqipëri, megjithatë kostoja e madhe ka qenë pjesë e debatit dhe korrupsionit të mundshëm nga ish zyrtarët e lartë të qeverisë së Gruevskit me kompanitë kineze. Një varg projektesh infrastrukturore të disa qeverive të MV-së kanë dështuar e disa të tjera as që kanë filluar. Flitet shumë rreth lidhjes Tetovë – Prizren, mirëpo pa një vullnet të dyanshëm qeveritarë do të jetë e vështirë hapja e tuneleve dhe ndërtimi i projektit strategjik, pasi në konceptin politik maqedonas të politikës së jashtme me BE-në dhe vendet fqinjë, ende dominon ideja e varësisë dhe pritjes së ndihmës në momente të caktuara nga Serbia, e cila më tej këtë ndihmë Beogradi e bën pjesë të politikave të pazarit dhe atyre zhvillimore të ndërtimit qoftë të hekurudhave, rrugëve automobilistike dhe linjave të gazi me Shkupin zyrtarë.

Infrastruktura rrugore e Ballkanit duhet të jetë e njëjtë në të gjitha anët, ku transporti i të mirave dhe udhëtimet do të ishin më të shpejta dhe të sigurta. Investimet e barabarta si në drejtim të Bullgarisë dhe Shqipërisë i japin hapësirës sonë një pamje të zhvilluar si në Perëndim dhe vendeve tjera.

Dallimet duhet tejkaluar, pasi e ardhmja e qytetarëve duhet të shihet në këndin e barazisë dhe rritjes ekonomike. Kur jemi tek gjeopolitika e re, vendimi i qeverisë së MV-së për benifite vetëm për qytetarët serbë në vendkalimet maqedonase dhe autostradat, është një shembull i keq i politikave qeveritare dhe rritjes së ndarjeve mbi baza etnike. Po qese do të fillojmë këtë rrugë të gjeopolitikës së korridoreve dhe zhvillimit të aleancave fetare dhe etnike, rajoni do të jetë larg integrimeve dhe transportit global. Sa i përket sigurisë së rrugëve të transportit hekurudhor dhe automobilistik e sidomos në pjesën veri-perëndimore të MV-së, ajo dihet se është në gjendje të mjerueshme me investime zero dhe rrugë transporti pa standarde. Një qytetarë i BE-së apo i një shteti fqinjë me siguri se do të dëshpërohej nga siguria dhe gjendja e rrugëve të transportit në vendin tonë. Është koha që qeveria e MV-së dhe të gjitha shtetet e Ballkanit të punojnë në zhvillimin dhe integrimet e transportit rajonal të të gjitha formave në atë global, ku rrjeti i shpërndarjes së mallrave dhe aktivitetet tjera do të bëheshin më shpejtë, më lirë dhe më sigurt.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button