RMV, Zaev: Kodra e Diellit planifikohet të jepet në koncesion 99-vjeçar

Planin intervenues për investime 2021-2027 është edhe projekti për ringjalljen e Kodrës së Diellit si qendër e skijimit. Marrëveshja është në fazën finale dhe parashihet dhënia me koncesion 99-vjeçar për një investitor evropian, emri i të cilit mbetet “i besueshëm”, theksoi sot kryeministri Zoran Zaev, njofton Portalb.

“Jemi në fazën finale për të arritur marrëveshje juridike finale në qendrën skijuese Kodra e Diellit në vlerë prej 50+50 milionë euro. Projekti është sipas Ligjit për koncesione me partneritet publik-privat apo investime strategjike, varësisht fazës përfundimtare të marrëveshjes. Thelbi është të jepen koncesione 99-vjeçare, njërit nga investuesit më të mëdhej të qendrave të skijimit në Evropë për të cilin emri ende mbetet i besueshëm. Rendi është që investitori vetë të publikojë atë kur të vendoset. I gëzohemi këtij investimi, sepse do të japë një dimension të ri të turizmit dimëror”, tha Zaev.

Gjithashtu, edhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani gjatë vizitës së sotme në Komunën e Tetovës ka njoftuar se në Abu Dabi ka folur për Kodrën e Diellit dhe të mirat që i jep kjo qendër turistike dhe si vend malor.

“Në Abu Dabi kam folur shumë për Kodrën e Diellit, pasi atje kam parë interesim për këtë pjesë. E kam paraqitur në dy pikëpamje, si projekt i Kodrës së Diellit si mundësi për të investuar jo vetëm për qendër turistike dimërore, por edhe ato verore. E kam paraqitur edhe si projekt malor i përbashkët me Kosovën”, tha Osmani.

Ndërsa, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi e ka kundërshtuar bashkëpartiakun e tij Bujar dhe ka njoftuar se investitori i Kodrës së Diellit nuk është nga Abu Dabi, por është nga Evropa.“Sa i përket investitorit që u përmend në fjalimin e kryeministrit, nuk është nga Abu Dabi. Sigurisht, se ne mbetemi të hapur që të fitojmë oferta nga të gjitha anët sa i takon zhvillimit të Kodrës së Diellit. Investitorët vijnë nga Evropa dhe sigurisht se kanë propozim konkret i cili do të shqyrtohet dhe do të duhet të vendoset këtë vit”, potencoi ai.

Bekteshi informoi se ka plan që Kodra e Diellit të lidhet me qendrën skijuese në Kosovë, Brezovicën. Për këtë, siç tha ai, kanë dorëzuar letër deri te Qeveria e Kosovës, nga ku presin përgjigje.

“Plani për t’u lidhur me Brezovicën mbetet, kjo me qëllim që të mund t’i lidhim të dy qendrat skijuese edhe në pjesën e Kosovës, edhe në pjesën e shtetit tonë. Ne tashmë kemi dërguar letër deri te Qeveria e Kosovës dhe presim që ajo të shqyrtohet, dhe në momentin kur do të kemi seancë të përbashkët qeveritare”, ka thënë Bekteshi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button