Do të dhurojmë sasi të mëdha të vaksinave për Maqedoninë e Veriut, ndërkohë i ftojmë nxënësit të na vizitojnë, deklaroi Radev

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka zhvilluar takime me agjendë dyditore në Itali, i shoqëruar me homologun e tij bullgar, Rumen Radev, transmeton Portalb.mk.

Bullgaria ka paralajmëruar edhe më parë gatishmërinë e shtetit për të vaksinuar edhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut. MIA raportoi që presidenti Radev ka paralajmëruar sasi të mëdha të vaksinave për Maqedoninë e Veriut.

Ai theksoi që Bullgaria e shqyrton mundësinë që ndihmës shtetërore për turizmin të përdoret për kampe falas për nxënës dhe studentë nga Maqedonia e Veriut në malet bullgare dhe vendpushimet bregdetare, duke theksuar edhe idenë që studentët dhe nxënësit nga RMV-ja të kalojnë një pjesë të pushimeve së bashku me fëmijë nga Bullgaria.

“Biseduam me presidentin Pendarovski për të ftuar nxënës dhe studentë nga Maqedonia e Veriut që të kalojnë një pjesë të pushimeve me fëmijët tanë, së bashku me mësuesit, në mënyrë që të kemi një program arsimor dhe humanitar”, deklaroi Radev, duke vlerësuar që përmes këtij hapi mund të kapërcehet propaganda e vjetër e kundërshtimeve mes vendeve.

Ndryshe, prej 19 majit Bullgaria mundëson vaksinimin falas të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që kanë pasaportë bullgare, pas hapjes së dy qendrave për vaksinim kundër Kovid-19, duke pasur mundësi të përzgjedhin ndërmjet vaksinës “AstraZeneca”, “Pfizer” dhe “Moderna”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button