BE miratoi vaksinën “Pfizer” për përdorim te fëmijët e moshës 12-15 vjeç

Vaksina Pfizer/BioNTech është vaksina e parë kundër COVID-19 që miratohet për përdorim tek fëmijët e moshës 12-15 vjeç nga Bashkimi Evropian, raporton EN. Deri më tani, vaksinat kundër COVID-19 kanë qenë në dispozicion vetëm për persona të moshës 16 vjeç e lart.

“Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka miratuar sot përdorimin e vaksinës nga Pfizer/BioNTech të quajtur Comirnaty, për adoleshentë nga 12 deri në 15 vjeç”, tha Marco Caveleri, përfaqësues i EMA-s.

“Vaksina ishte e autorizuar për përdorim nga mosha 16 vjeç e lart dhe tani kemi të dhëna që tregojnë se vaksina është e sigurt në moshën 12 deri në 15 vjeç”, shtoi ai.

BE nuk është fuqia e parë e madhe perëndimore që lejon të rinjtë të marrin vaksinën. Më parë këtë muaj, Shtetet e Bashkuara miratuan Pfizer/BioNTech për përdorim emergjent në moshat 12 deri në 15 vjeç, ku Administrata e Barnave në atë vend, tha se përfitimet tejkalonin rreziqet e mundshme.

Sidoqoftë, në mes të muajit maj, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se vendet që tashmë po vaksinojnë të rinjtë duhet të ndalojnë së bëri këtë gjë, pasi ata janë më pak të rrezikuar nga sëmundja.

Ai shtoi se këto doza duhet t’u dhurohen vendeve më të varfra përmes iniciativës së organizatës COVAX, që synon qasje të barabartë në vaksinat COVID-19.

Kompania Moderna gjithashtu pritet të nisë procedurat për aprovimin e përdorimit të vaksinës së saj tek adoleshentët.

Përfundimet e EMA-s tani do t’i kalohen Komisionit Evropian, i cili më pas do të lëshojë një vendim zyrtar që do të zbatohet ligjërisht për të 27 vendet anëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button