Ristovski pretendon se Ninxha dha deklaratë të rreme për ’27 prillin’: As nuk kam komunikuar dhe as nuk e kam takuar

Për ish-ministrin në qeverinë e VMRO-DPMNE-së, Spiro Ristovski, është e çuditshme dhe e pakuptueshme se si e lidhën atë me çështjen e”27 prillit”, ku është një nga të akuzuarit për organizimin e ngjarjeve. Përveç ish-ministrit Mile Janakieski, i cili gjithashtu është i akuzuar, dhe për të cilin tha se ka pasur komunikim privat, me të akuzuarit e tjerë theksoi se kishte vetëm kontakte zyrtare, transmeton Portalb.mk.

Ristovski sot dha dëshminë e tij në procesin gjyqësor, dhe tha se deklarata e Aleksandar Vasilevski-Ninxha, për sa i përket tij, është e pavërtetë.

“Bëhet fjalë për dëshmi të rreme nga personi Aleksandar Vasilevski-Ninxha. Ditën e ngjarjes, nuk kam komunikuar dhe as e kam takuar në ambientet e VMRO-DPMNE-së, siç pretendon ai. Në atë periudhë, nuk kam pasur ndonjë funksion partiak, nuk kam pasur asnjë kontakt me strukturat e partisë”, tha Ristovski.

Ninxha u dënua me 7 vjet burg në procesin e parë gjyqësor për të enjten e përgjakshme. Edhe në atë proces gjyqësor, por edhe në rastin e organizatorëve, ai dëshmoi se nga kati i 8-të në selinë qendrore të VMRO-DPMNE-së, veprimet nga dita kritike ishin të koordinuara. Në deklaratën e tij, ai përmendi edhe Ristovskin dhe Janakieskin si një nga personat që i kishte parë në ambientet e selisë së partisë nga ku ata kryen koordinimin.

Ristovski sot, megjithë mohoi ta ketë parë Ninxhën në seli, dhe tha se pas ndërhyrjes në Kuvend në selinë e partisë kishte shumë njerëz dhe ishte kaotike.

“Rreth orës 17:00 shkova në Qendrën e komunikimit, prisja Zemri Qamilin që të vizitonim ish-ainistrin e Arsimit Abdylaqim Ademi. Në atë periudhë, filluan ngjarjet në Kuvend. Në gjithë atë periudhë isha në parti, situata ishte kaotike. Kishte një numër të madh njerëzish, kryetarë komunash, deputetë. Pas mesnate, selia e Qendrës për komunikim ishte e mbushur”, tha Ristovski.

Ish-ministri gjithashtu iu referua protestave “Për Maqedoni të përbashkët”, në të cilat tha se nuk mori pjesë.

“Individë nga partia VMRO-DPMNE, me sa di unë, i mbështetën protestat, kurse partia si subjekt, mendoj se nuk i mbështeti. Nga organizatorët e protestave e njoh vetëm Bogdan Ilievskin, edhe me të jam takuar rallë”, tha Ristovski.

Përveç Ristovskit, sot duhet të mbrohet edhe ish-ministri Mile Janakieski.

Ish-kryetari i akuzuar i Kuvendit, Trajko Veljanoski, tashmë e ka bërë atë në seancat e fundit. Edhe një ish-zyrtar tjetër, në bankën e të akuzuarve, është drejtori i atëhershëm i DSK-së, Vladimir Atanasovski.

Të gjithë akuzohen për kërcënim terrorist ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë.

Procesi gjyqësor për organizimin e “27 prillit” ka mbaruar. Pasi të akuzuarit të kenë përfunduar deklaratat e tyre, mund të paraqiten prova shtesë dhe deri në shqiptimin e vendimit, do të mbesin vetëm argumentet përfundimtare të prokurorisë dhe mbrojtje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button