Qeveria teknike në Bullgari, epilog i paqartë për zgjidhjen e çështjes që zhbllokon eurointegrimet e RMV-së

Ngërçi historik Maqedoni-Bullgari, vështirë se mund të zgjidhet tani duke e ditur se vendi fqinj aktualisht ka qeveri teknike. Edhe pse në opinion ka shpresa, qeveria teknike, nuk ka autorizim për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Maqedoninë, por vetëm të organizojë zgjedhjet. Një mundësi e vetme ekziston për nisjen e negociatave, por kjo mund të hapte probleme akoma më të mëdha për vendin, thonë për Portalb.mk, njohësit e çështjeve evropiane. Nëse zgjidhet ky kontest, RMV mund të fillojë negociatat aderuese në Bashkimin Evropian.

Andreja Stojkovski,

Andreja Stojkovski, drejtori ekzekutiv i Institutit të Prespës, thotë se megjithëse Qeveria e Bullgarisë, duke qenë teknike, nuk mund të bëjë asgjë rreth raportit midis dy vendeve, sidoqoftë, ka një president me mandat të plotë i cili, sipas ligjit ndërkombëtar, mund të marrë detyrime në emër të vendit.

Është e qartë, shprehet Stojkovski, se Presidenti Radev dëshiron ta imponojë veten si partneri kryesor i aleatëve dhe si lider. Ai dëshiron të tregojë se zgjidhja vjen përmes tij. Kuptohet, nëse konstaton se zgjidhja do të jetë e dobishme edhe për rizgjedhjen e tij në vjeshtë, atëherë mund të pritet që të ndihmojë të dyja palët të arrijnë të njëjtën gjë.

“Personalisht, konsideroj se ekziston mundësi dhe se me dozën e duhur të presionit nga aleatët, por edhe nga vetë BE-ja, është e mundur të gjendet “zgjidhje”, që do të garantojë se dalja e plotë nga ngërçi të përcaktohet më vonë, dhe ndërkohë vendi mund të vazhdojë më tej. Nëse ndodh një “përparim” i tillë, atëherë mund të pritet që Këshilli të marrë vendim për miratimin e kornizës negociuese për vendin dhe të caktojë datë për konferencën e parë ndërqeveritare. Kjo, nga ana tjetër, do të hapë një problem më të madh për ne, pasi do të kërkojë që vendi të jetë plotësisht i përgatitur për negociata dhe të ketë një strukturë plotësisht funksionale për negociata”, thotë Stojkovski.

Nga ana tjetër sipas Simonida Kacarskës nga Instituti për Politika Evropiane, pëveç tjerash, Qeveria teknike në Bullgari ka njoftuar se është e lidhur me vendimet e Kuvendit dhe nuk mund të ndryshojë drejtpërdrejt politikën e paraardhësve të saj, por njëkohësisht shohim ndryshime pozitive në fjalorin e presidentit bullgar.

Simonida Kacarska
Simonida Kacarska

“Mosmarrëveshja me Bullgarinë është çështje që do të na ndjekë për një kohë të gjatë në negociata, pa marrë parasysh kur do të fillojnë dhe nuk mund të presim që të ‘zgjidhet’ deri në qershor. Qeveria teknike në Bullgari ka njoftuar se është e lidhur me vendimet e Kuvendit dhe nuk mund të ndryshojë drejtpërdrejt politikën e paraardhësve të saj, por njëkohësisht shohim ndryshime pozitive në fjalorin e presidentit bullgar. Nuk përjashtohet që të ndërmerret një hap i rastit drejt hapjes së negociatave me kushte në lidhje me ngërçin me Bullgarinë, por për një gjë të tillë, gjasat janë të vogla. Është e qartë se ekziston relaksim i marrëdhënieve midis politikanëve tanë dhe atyre bullgarë, por në praktikë duhet të gjendet zgjidhje për kornizën e negociatave që nuk është ende në horizont”, vlerëson Kacarska.

Përndryshe, përpjekjet e përfaqësuesve të ndryshëm evropian janë intensifikuar gjatë periudhës së fundit për të zgjidhur mosmarrëveshjen dhe për të mbajtur Konferencën e parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian në qershor gjatë Presidencës portugeze. Ministri i Jashtëm portugez Augusto Santos Silva dhe Komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë Oliver Varheji prezantuan zgjidhjet e propozuara për mosmarrëveshjen, fillimisht në Sofje dhe më pas në Shkup, por asnjë detaj nuk është publikuar deri më tani për publikun, përveç se propozimi nuk prek në çështjet e identitetit maqedonas, si dhe se presidenca portugeze është kujdesur për të dy palët. Zyrtarët e vendit janë shprehur se ky propozim është zgjidhje e duhur, megjithatë nga pala bullgare, sërish nuk lëshojnë pe.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, i ka përmbushur kushtet dhe ka marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perëndimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te anëtarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button