Shqipëri, nga 1 qershori do të fillojë lehtësimi i masave kundër COVID-19

Shqipëria do të fillojë nga 1 qershori lehtësimin gradual të masave kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), duke përfshirë uljen e kohës së orës policore, heqjen e maskës në ambientet e jashtme dhe rritjen e numrit të pjesëmarrësve gjatë grumbullimeve, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për mediat Komiteti Teknik i Eksperteve ka bërë të ditur masat e reja, që do të lehtësohen gradualisht gjatë qershorit dhe në fillim të korrikut.

Drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, tha se duke filluar nga data 1 qershor hiqet detyrimi për mbajtjen e barrierës mbrojtëse në ambientet e jashtme, por do të vijojë të mbetet detyrimi i mbajtjes së maskës në ambientet e mbyllura si dhe në mjetet e transportit publik.

Sipas Rakacollit, rekomandohet mbajtja e maskës kudo ku nuk mund të ruhet distancimi social.

Ndërkohë, që nga 1 qershori ora policore shtyhet me një orë, nga ora 23:00-06:00, ndërsa klubet e natës dhe diskot do të vijojnë të mbeten të mbyllura dhe muzika do të lejohet deri në orën 22:00.

Sipas komitetit, nga 15 qershori grumbullimet në ambientet e jashtme nga 10 persona bëhen me 50 persona, duke respektuar rregullat e distancës sociale në zbatim të protokolleve të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP).

Nga 1 korriku ora policore do të shtyhet në orën 24.00-06:00, ndërkohë do të lejohen kampionatet sportive me prezence të tifozëve me kapacitete të reduktuara deri në 30 për qind. Gjithashtu do të lejohen aktivitetet e teatrove, shfaqjeve artistike dhe kulturore, konferencave, me kapacitet të reduktuar deri në 30 për qind të spektatoreve apo pjesëmarrësve, sipas protokolleve të ISHP-së.

Në javët e fundit në Shqipëri është regjistruar një trend i uljes së vdekjeve dhe rasteve pozitive me COVID-19. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konfirmuar se që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 132.244 raste pozitive me COVID-19, mes tyre 2.447 persona kanë ndërruar jetë, 128.978 janë shëruar dhe raste aktive janë 819.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button