Xhaferi: Ligji për legalizimet më 8 qershor kthehet për rishqyrtim në Kuvend

Ligji për legalizimin e objekteve pa leje i miratuar më 11 maj, por të cilin presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, nuk e nënshkroi pasi sipas tij ishte në kundërshtim me Kushtetutës, do të kthehet për shqyrtim në Kuvend me 8 qershor. Kryetari i Kuvend, Talat Xhaferi sot gjatë takimit të rregullt mujor me gazetarët, tha se sipas procedurave të rregullores së Kuvendit, ligji i cili nuk nënshkruhet nga presidenti, duhet të kthehet për rishqyrtim në afat kohor prej 30 ditësh, por me që më 8 qershor do të ketë seancë të re parlamentare, në rend dite do të jetë edhe ligji për legalizim. Ai tha se me që ky ligj është në lexim të tretë, nuk do të kthehet më në komision, por në seancë plenare, shkruan Portalb.mk.

“Nuk është çështje se kur do të kthehet, është çështje e obligimit tim që në afat prej 30 ditësh nga dita e miratimit të ligjit, nëse presidenti i shtetit vendos të mos e nënshkruajë siç është rasti konkret, unë jam i obliguar që në afat prej 30 ditësh ta kthej sërish për rishqyrtim në Kuvend, ndërsa cili do të jetë fati i ligjit, ajo varet nga deputetët. Sipas procedurave parlamentare, ligji është miratuar më 11 maj dhe më se voni më 11 qershor duhet të jetë në seancë parlamentare. Ndërsa, duke pasur parasysh se planet janë që më 8 qershor të ketë seancë të re, vlerësojmë se më 8 qershor do të jetë në rend dite”, deklaroi Xhaferi.

Ai tha se, pasi ligji ka marrë veton e presidentin, tani duhet të ketë të paktën 61 vota që të konsiderohet i miratuar.

“Ligji që të konsiderohet i miratuar, duhet të ketë 61 vota “për” dhe prej asaj del obligimi i presidentit të shtetit sipas Kushtetutës, që të nënshkruajë dekretin. Por, ajo nuk do të thotë se nuk mund të jetë ndryshe, duke pasur parasysh përvojat e mëhershme. Obligimi procedural është në afat prej 30 ditësh të kthehet për rishqyrtim se cila do të jetë fati i ligjit, varet prej deputetëve, nëse nuk merr 61 vota përfundon dhe është situatë sikur të mos ketë ekzistuar ligji aspak”, sqaroi Xhaferi.

I pyetur nëse po taktizohet rreth ligjit për nënshtetësi, Xhaferi tha se në lidhje për këtë ka bisedime të drejtpërdrejta me LSDM-në dhe opozitën shqiptare dhe nëse merren vesh rreth kësaj nuk e pengon askush punën e komisionit.

“Nuk e di çfarë taktizohet me ligjin për nënshtetësi kur ka pasur bisedime të drejtpërdrejta Aleanca, Alternativa dhe LSDM. Atë që e kam si informatë nga jashtë është se janë dakorduar se si do të duket ligji për nënshtetësi dhe ajo çka është procedura, nëse mbetet që të përmirësohet teksti që është në procedurë, afatet që janë procedurale kanë skaduar. Por, për faktin që amendamentet ishin të tërhequra nga propozuesit mund të filloj me punime komisioni. Idenë se si do ta mbindërtojnë atë tekst mbi ligjin që e kanë në procedurë, munden ta bëjnë vetëm me amendamente në komision, për shkak të procedurave dhe afateve. Sa i përket asaj procedure, nëse janë në bisedime të drejtpërdrejta askush nuk pengon, nëse merren vesh, që komisioni ta vazhdojë punën dhe atë që e kanë harmonizuar që ta zbatojnë”, tha Xhaferi.

Ndërkohë në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ai tha se sipas vlerësimit të tij, modeli me një njësi zgjedhore është joadekuat për karakteristikat e shoqërisë sonë dhe shtetit. Sipas tij, model ideal nuk ka, por ai me gjashtë njësi është më optimal.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button