Amerika e kënaqur me bisedimet Maqedoni-Bullgari për fillimin e negociatave me BE-në

Ambasadorja amerikane në Shkup Kate Burns thotë se Shtetet e Bashkuara shohin rrugë pozitive përpara dhe janë të kënaqur me bisedimet midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për zhbllokimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Në takimin me Zoran Zaevin, theksova se e vlerësojmë partneritetin tonë dypalësh me Maqedoninë e Veriut dhe duam të shohim negociatat e pranimit me BE-në sa më shpejt të jetë e mundur. Shohim rrugë pozitive përpara dhe jemi të kënaqur me bisedimet e vazhdueshme midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për të ecur përpara integrimin evropian të Maqedonisë”, shkroi ambasadorja Burns në Twitter pas takimit me Kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev.

Zaev dje kishte takim me ministrin gjerman për Evropën Michael Roth, në të cilin kryeministri e falënderoi atë për të gjitha përpjekjet e bëra gjatë presidencës gjermane me BE-në në mandatin e saj, por edhe për përpjekjet aktuale që synojnë mbajtjen e konferencë ndërqeveritare në suaza të presidencës portugeze.

Roth u takua edhe me zëvendës Kryeministrin për integrime evropiane Nikolla Dimitrov. Pas takimit, të dy patën konferencë të përbashkët për shtyp, në të cilën ministri gjerman tha se ka një shans për arritjen e një zgjidhjeje për mosmarrëveshjen midis Maqedonisë dhe Bullgarisë në qershor, e pranuar nga të gjithë palët e interesuara. Ai gjithashtu tha se nuk ka asnjë problem midis BE-së dhe Maqedonisë, por ekziston problem dypalësh dhe se problemi dypalësh duhet të zgjidhet midis dy vendeve dhe nëse ata mund të ndihmojnë diçka gjatë këtij procesi, do ta bëjnë.

Paralelisht me këto takime, dje Presidentët e Maqedonisë dhe Bullgarisë, Stevo Pendarovski dhe Rumen Radev, patën takim të shkurtër në aeroportin e Shkupit, të cilët më pas u nisën së bashku për në Romë për të nderuar vëllezërit Kirili dhe Metodi.

Radev dy ditë më parë në Bruksel tha se Bullgaria kohët e fundit është bërë shumë interesante për të gjithë udhëheqësit evropianë dhe se takim me të kërkojnë kryeministrat, presidentët dhe komisionerët e BE-së, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me marrëdhëniet me Maqedoninë.

“Ndaj Bullgarisë ka shumë vëmendje, nuk do t’a them fjalën presion. Por, le të mos harrojmë se Bullgaria është vend anëtar i BE-së dhe kjo do të thotë shumë”, tha Radev.

Siç tha Dimitrovi dje në konferencën për shtyp me Rothin, në zhvillim e sipër janë aktivitetet diplomatike dhe nuk mund të zbulojë detaje rreth bisedimeve, por ai dhe ministri gjerman thanë se mbështesin propozimin portugez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes historike midis Maqedonisë dhe Bullgarisë.

Propozimi portugez bazohet në atë që u dakordua nga bisedimet në Berlin vitin e kaluar midis Dimitrovit dhe ministres së atëhershme të Jashtme bullgare Ekaterina Zaharieva. Në atë kohë, Bullgaria nuk pranoi atë që ishte rënë dakord nga takimi në Berlin.

Vendimi përfundimtar mbi fillimin e negociatave të pranimit për Maqedoninë duhet të merret nga Këshilli Evropian në takimin e 24-25 qershorit.

Ndryshe, qeveria e përkohshme e Bullgarisë është e gatshme të zhvillojë dialog aktiv me Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe të diskutojë mundësitë për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian, tha presidenti bullgar Rumen Radev në takimet me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Layen dhe kryeministrin e Portugalisë, Antonio Kosta dje në Bruksel.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, i ka përmbushur kushtet dhe ka marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perëndimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te anëtarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button