Takimi Dimitrov-Roth: Propozimi i presidencës portugeze është bazë e mirë për zgjidhje

Zëvendëskryeministri Nikolla Dimitrov, në takimin e djeshëm në Shkup me Ministrin gjerman për Evropën Michael Roth, tha se propozimi i Presidencës portugeze të Këshillit të BE-së mbi ngërçin midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut është bazë e mirë për zgjidhje, transmeton Portalb.mk.

Siç informoi kabineti i Dimitrovit, ai është i bindur se me vullnet të mirë nga të dyja palët, mund të gjendet zgjidhje evropiane, e cila do të ngritet mbi parimet evropiane.

“Ne kemi shumë interesa të përbashkëta, shpesh flasim për histori të përbashkët, por gjithashtu duhet të punojmë për një të ardhme të përbashkët evropiane,” tha Dimitrov, duke shtuar se “nëse mendojmë për gjithçka që na lidh, edhe në miqësinë maqedono-bullgare, mendoj se me vullnet të mirë dhe qasje nga të dyja palët kjo është e mundur”.

“Kemi përgjegjësi ndaj gjeneratës së tanishme, kemi përgjegjësi ndaj brezave të ardhshëm. Të dy fqinjët duhet të jenë fitues pasi status quo-ja, zvarritja e problemit, na bën humbës”, tha Dimitrov.

Ministri Roth theksoi se pala gjermane ka qëndrim të vendosur mbi hapjen e menjëhershme të negociatave të pranimit, të cilat janë merituar prej kohësh dhe duhet të kishin filluar, e që është sinjal i rëndësishëm për idenë evropiane në rajon.

“Ne gjatë presidencës gjermane me Këshillin e BE-së u përpoqëm të bënim përparim të madh, pasi ju, të dashur maqedonas, e meritonit atë”, tha Roth.

Ministri gjerman për Evropën shton se Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të madh në zgjidhjen e mosmarrëveshjes historike me Greqinë dhe është e ligjshme të pritet që BE-ja të përmbush premtimet e saj.

“Dhe unë dua t’ju premtoj se jo vetëm Gjermania është në anën tuaj, por që edhe partnerët e BE-së, ashtu si më parë, janë për perspektivë konkrete për të gjithë, ndjehen të detyruar për një perspektivë konkrete për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Jam plotësisht i bindur se nëse nuk japim rezultate siç bën BE tani, atëherë ky vrull, ky besim, do të humbasë.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button