Shahpaska: Puna në distancë do të jetë pjesë e Ligjit të ri për marrëdhënie të punës

Puna në distancë do të përfshihet në Ligjin e ri të punës. Në periudhën e pandemisë si shoqëri bëmë një hap serioz në përshtatjen e procesit të punës atje ku mundet sipas kushteve të imponuara nga situata e re, tha Ministrja Jagoda Shahpaska në seancën e sotme të Këshillit Ekonomik dhe Social, në lidhje me analizën e bërë nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ONP), njofton Portalb.mk.

Analizat që janë pjesë e Projektit “Përforcimi i dialogut social” kanë të bëjnë me kulturën sipërmarrëse, punën në distancë, qasjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në burimet financiare dhe ekosistemin sipërmarrës në Maqedoninë e Veriut.

Këto analiza, tha ministrja Shahpaska, do të jenë shumë të dobishme në zhvillimin dhe zbatimin e politikave ekonomike dhe sociale.

Në seancën e sotme, u prezantua dhe shqyrtua Draft korniza e treguesve që e matin efektivitetin e Këshillave ekonomikë dhe socialë të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky dokument u përgatit në kuadër të projektit rajonal Platforma për punësim dhe çështje sociale 2.

“Rëndësia e këtyre treguesve është e madhe, sepse përmes tyre do të jemi në gjendje të shohim në mënyrë krahasuese efikasitetin e Këshillit tonë ekonomik dhe social në relacion me organet e njëjta në rajon, e kështu të përmirësojmë rolin e tij në zhvillimin e dialogut social”, tha ministrja Shahpaska.

Me iniciativë të Organizatës së punëdhënësve të Maqedonisë, në sesionin e ESC u prezantua Anketa kombëtare në kuadër të projektit “Hendeku mes gjeneratave” i realizuar nga ata. Ky hulumtim synon të grumbullojë të dhëna thelbësore për menaxhimin e plakjes dhe sfidat ndërmjet brezave në tregun e punës në Maqedoni.

Hulumtimi tregon se punëtorët e moshuar kanë përvojë pune, njohuri dhe aftësi të veçanta, ndërsa dobësia e tyre është teknologjia e re. Ndërsa përparësia e gjeneratave të reja janë aftësitë dhe njohuritë e teknologjisë së informacionit, kurse dobësia është mungesa e përvojës së mjaftueshme. Prandaj, rëndësia thelbësore në tejkalimin e hendekut ndërmjet brezave që qëndron në tejkalimin e këtyre dallimeve mes brezave, përmes shkëmbimit të përvojës dhe njohurive.

Në seancën e ESC, Sali Sali u zgjodh nga anëtarët si përfaqësues i Këshillit ekonomik dhe social si anëtar i Këshillit të statistikave.

Këshilli ekonomik dhe social vazhdon brenda grupeve dhe organeve të punës duke zhvilluar një dialog konstruktiv shoqëror për të ndikuar në krijimin e politikave që janë me interes të përbashkët për palët e interesit në shoqëri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button