High profile, low level!

(përkthim i lirë i autorit: I diplomuar analfabet, mirë ama kafe pi me krejt udhëheqësit politik, qofshin të nivelit lokal apo qendror)

I nxitur nga gjithçka që na rrethon në vitet e fundit dhe i “ndezur” nga pandemia, shpeshherë gjatë rrugës prej pune për në shtëpi, më duhet të kaloj rreth disa shkollave te mesme në Tetovë!

Shkolla e mesme e tekstilit, shkolla e mesme e mjekësise, shkolla e mesme e buqësisë, shkolla këto që kur janë themeluar gjithsesi kanë pasur një qëllim shumë fisnik, për kohën kur janë themeluar! Ajo që sot bie në sy e që është emërues i përbashkët, dmth tre objektet të shtrira në një sipërfaqë të caktuar prej disa qindra metra katrorë, me pak oborr me asfalt komunist dhe dy nga ato me nga një sallë sportive (për të cilat, jozyrtarisht kam kuptuar se nuk i plotësojnë kriteriumet bazë për qëllimin për të cilin janë ndërtuar, pasi që nuk e kanë lartësinë e duhur). Por qëllimi i këtij shkrimi nuk janë sallat e sportit, sepse ne shqiptarët edhe ashtu jemi shumë më të suksesshëm në sporte indviduale se sa në ato kolektive, me disa përjashtime.

Pasi që para sa muajsh kam shkruar për shkollimin fillor, tani ky shkrim ka të bëjë me arsyetueshmërinë e ekzistimit të shkollave të mesme të lartëpërmendura, si dhe shndërrimi i këtyre shkollave, veçanërisht pas miratimit të ligjit për arsim të mesëm të obliguar, në reparte për prodhimin e problemeve të shkollimit të lartë, sepse me të mbaruar të shkollës së mesme nxënësit u turren fakulteteve, me meritë dhe pa të, sepse vetëm fakulteti ofron vizë punësimi.

Krejt ky do ishte një proces shume fisnik sikur shkollat e mesme t’ju përmbaheshin rregullave bazë të pedagogjisë, atë të arritjes së pjekurise (maturës) edhe pedagogjike të nxënësve. Por ama, me keqardhje e them se situata në terren është diametralisht e kundërt nga ajo që është shkruar në libra (e di se shumica nga ju do dakordohen, disa edhe do kundërshtojne, unë parapëlqej të dytën me argumente).

Nga përvoja disavjeçare, me përgjegjësi e them se pjesës më të madhe të maturuarëve nuk ju duhet fakulteti në qoftë se në shkollë të mesme do kishin pasur mundësinë të përgatiten për kuzhinier, për mekanik, për elektriçistë, për kamarier, për rrobaqepës, për ujinstalues të mirë. Kjo aq më tepër kur dihet se në tregun e punës tani më disa vjet rradhazi, jo vetëm në këtë nënqiell, por edhe në vendet e BE-së, më tepër kërkohet kjo fuqi punëtore, tek e cila shumë më tepër vlerësohet përvoja se sa diploma (shembull për këtë janë Google, IBM, Microsoft, AliExpress, Amazon, IKEA, Starbucks) etj.

Sa për ilustrim; mekaniku ku i mirëmbajmë veturat tona nuk besoj se ka shkollim të lartë, por ama duhet prenotim për të kontrolluar veturën, njëjtë më hidraulikun, njëjtë me parukieren/in, (të më falin ato zejtarë që kanë shkollim të lartë), sepse nuk janë ato kryefjala e këtij shkrimi, por fakti se për të njëjtit diploma nuk paraqet vlerë të shtuar në biznesin e tyre!

Në realitetin tonë, për cdo ditë bëhet më e theksuar kërkesa për fuqi punëtore e aftë për sektorin e ashtuquajtur (blue collar) në përkthim të parditshëm do ishte zejtarë, për dallim prej (white collar), që në përkthim të parditshëm do ishte zyrtar, administrator etj. Këtu edhe fillon të na ngatërrohet lëmshi, sepse ka humbur baraspesha në mes ofertës së fuqisë punëtore nga ana e institucioneve arsimore-akademisë dhe kërkesës nga ana e tregut të punës-industrisë, sepse akademia prodhon më tepër se sa që industria mund të gëlltis. Kjo mendoj se rrjedh nga teoritë e sistemit të mëparshem ku thuhej se sasia sjell cilësi! Sikur sasia të sillte cilësi, mendoni, pse në bjeshkë ka më tepër dele se sa qen, kur dihet se kudra pjell 12 këlysh, kurse delja vetëm dy qengja?!

Ju, nxënës të shkollave të mesme, ju vleni më shumë, shumë më shumë edhe se një diplomë fakulteti, nëse në jetë punoni dhe përgatiteni për atë profesion që ju vlon në zemër! Ndoshta në periudhë afatshkurte kjo mund të ju duket si e pakuptimtë por ama nga përvoja ime disa vjeçare në tregun e punës ju garantoj se jo gjithmonë punëdhënësit janë të entuziazmuar shumë nga mesatarja e fakultetit, apo nga tema e magjistraturës, krejt çka kërkon punëdhënësi është ti ndihmoni të jetë më i mirë se konkurenca!

Unë do ju ilustroj një skenar të mundshëm dhe në vetën e parë, skenar i cili edhe pse me aktorë imagjinarë, nuk ka të bëjë me teori, por me realitetin e ditëve të sotme, realitet i hidhur me të cilin jetojmë.

***

Mbarova shkollëm e mesme dhe edhe pse kisha shumë dëshirë të bëhem parukier nuk arrita te bindi veten të vazhdoja dhe u regjistrova ne shkollë të mesme. Atje, në secilin vit meritoja të përsërisja vitin, shkaku se ligji për shkollim të mesëm nuk lejon të përsëritet viti, mbarova drejtimin i cili vetëm ligjërisht dëshmon se kam maturuar. Askund nuk më njihej diploma e shkollës së mesme si kusht për punësim, por edhe sikur të më njihej, unë e dija në vete se s’jam për asgjë, nuk dija përveç kujdestarit të klasës (që në moshë ishte pak vjet më i moshuar se unë), asgjë tjetër nga plani mësimor.

Mbaroi afati i parë regjistrimit në fakultet, unë vështirë e kisha të gjendem në labirintin e ofertave sepse askund nuk bëja pjesë, gjithandej kërkohej diçka që unë nuk e kisha! Në afatin e dytë të regjistrimit, meqë filloi të më kaplojë një frikë e llojit “mbeta pa shkollë”, mu dasht të shoh kush është prej mahallës time në universitet, që të identifikoj ndonjë derë hyrëse nga mbrapa, e kur e gjeta “çelësin”, më tha se nuk paskam kontribuar asgjë, bile as nuk kam votu për to (a une sa i mbusha 18 vjet). E kalova këtë sfidë pasi që i premtova se do votoj për ata dhe se do kontriboj. E mbajta fjalën, por edhe ai!

Unë e hodha kapelën, edhe pse me disa provime mangut dhe me disa nota të falme të llojit “se nuk do bëhem kryetar i shtetit”, diplomova, u punësova dhe super, disa muajt e parë as që ja varja veshin pagës sepse ende familja më përgëzonin (me ndonje pesëdhjetëshe euro, nga i merrnin nuk e di), për diplomimin dhe punësimin!

Në fillim kisha një ndjenjë se aty ku punoja askush nuk më përfillte, duke menduar gjithmonë se e kanë nga zilia, sepse unë nuk jam si ata, se unë menjëherë pas diplomimit u punësova kurse ato tjerët ishte dashtë të aplikojnë, intervista etj. Unë në brendi e dija se unë nuk di asgjë, mirëpo i udhëhequr nga euforia ende e freskët e fakultetit, nuk kisha guxim as vetes të ja pranoj këtë fakt.

Pas disa muajve ato përgëzimet u shterrën, kurse unë në ndërkohë edhe u lidha me një vajzë dhe tani më të gjitha harxhimet shumëzoheshin, kurse të ardhurat pjestoheshin. Muaji sa vinte e zgjatej, rroga sa vinte e zvoglohej, edhe pse une kisha “përvojë” aty ku “punoja”, më thanë nuk mundet të më rritet rroga e as të avancohem në detyrë, sepse nuk kam magjistraturë! Magjistrova, pak me kopjim, pak me përshkrim, pak me diçka tjetër magjistrova, magjistrova te “çelësi”, se ai tani kishte marrë titullin doktor shkencash në universitet.

Me magjistraturën dhe “përvojën” në xhep, unë fillova ta kundërshtoj shefin pse nuk më avanson në pozitë, pse nuk ma rritën rrogën përderisa krejt tjerëve ua ka rrit disa herë rradhazi (nuk e dija, por supozoja), pse nuk fitoja unë nga të mirat/benefitet që i kisha pritur që në fakultet, të cilin as që i kisha merituar.

Tani pas disa viteve “përvojë” jam këtu te e njëjta zyrë administrative, shefi (i katërti deri tani, prej se jam punësuar unë) gjithmonë “më ka” inat, kolegët (tani më disa herë janë zëvendësuar), më duan të keqen, unë edhe krahas përvojës “profesionale” nuk di asgjë tjetër të punoj, përveç të printoj dhe kopjoj dhe të programoj kredi mbi kredi dhe të flas për politikën globale duke qenë i bindur thellë se vetëm mua më bëhet padrejtësi!

Uroj që skenari i lartëpërmendur të jetë vetëm imagjinarë dhe asgjë më tepër.

***

Tani më edhe pse koha për aksion ka kaluar disa vjet, unë akoma jam i bindur se mund të çkapemi nga tundimi për të gjet një vend pune me pretekstin sa mos me ngel rrugëve, e në anën tjetër duke lëshuar mundësi shumë të mira si kuzhinier, mekanik, elektriçistë, kamarier, rrobaqepës, berber, ujinstalues etj, si në aspekt profesional edhe në aspekt të përfitimit material! Kjo sepse nxënësve të shkollave të mesme ju imponohet arsimi i lartë si domosdoshmëri. Nuk dua të debatoj pse është kështu, as nuk dua që ky shkrim të dekurajojë nxënësit për shkollim të lartë, por vetëm të ju them nga përvoja, se edhe nga zanati jetohet shumë mire dhe më e rëndësishmja nuk duhet qëndruar peng “çelësave”!

Unë dhe ju, bashkë njofim shumë zejtarë të cilët edhe pse pa fakultet, jetojnë më mirë, si në aspekt material poashtu edhe në aspekt shëndetësor, sepse ata nuk kane kohë të merren me politikën globale dhe të ju krijojë stres pse ne Mars nuk ka çaj rusi! Sepse ata kur mbarojnë me punë janë të lodhur dhe nuk kanë kohë e fuqi të rrinë para ekraneve të kanaleve televizive, të ndjekin epizodat e milionta të familjeve të imagjinuara “turke”, “spanjolle” etj dhe të “vrasin” veten për veprat e aktorëve në këto me nder me thënë, seriale artisitike!

Me qëllim të tejkalimit të situatave të ngjashme do ishte mirë që politikbërësit të blejnë më pak libra të Kembrixhit, Oksfordit apo ku e di unë të cilit sistem edukativo arsimor, sepse nuk ka efekt! Me këto mjete të ndikojnë në ngritjen e nivelit të vet pedagogëve duke i trajnuar në gjuhën të cilën e kuptojnë!

Ngritja e nivelit të përgatitjes dhe përmirësimi i gjendjes financiare të pedagogëve (edukatores/it, mësuese/sit, profesoreshës/it), vetvetiu do e rregullojë raportin, tani më të çregulluar në mes ofertës dhe kërkesës në tregun e punës dhe do ndalojë dyndjen e rinisë në katër anët e botës!

Drejtoresha/i i shkollës nuk duhet të ngelë në mëshirën e politikës, por duhet të jetë përgjegjës për edukimin e mirëfilltë të nxënësve dhe emërtimi i saj/tij të jetë rezultat i strategjive zhvillimore për vetë nxënësit, strategji kjo e cila nuk guxon të turbullohet nga politika!

Të nderuar lexues të këtij shkrimi, varësisht të cilës moshë jeni, e keni obligim që secili në rrethin tuaj të shoqërisë, të ngreni zërin tuaj për arsimim të mirëfilltë qoftë ai vetëm i mesëm, por i mirëfilltë!

Nga Mislim Hasipi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button