fbpx

Washington Post: Prokurori mund të ketë prova të mjaftueshme kundër ish-Presidentit Trump

Prokurori i Qarkut të Manhatanit në Nju Jork do të takohet me një juri të madhe që pritet të vendosë nëse do të padisë ish-presidentin Donald Trump, transmeton VOA.

Fakti që ai është gati të takohet me anëtarët e jurisë, lë të kuptohet se ai mendon se ka prova të mjaftueshme për një vepër penale nga zoti Trump, dikush pranë tij ose nga kompania e tij, njoftoi të martën në mbrëmje gazeta Washington Post.

“Juria u përzgjodh kohët e fundit dhe do të takohet tre ditë në javë për gjashtë muaj,” tha gazeta, duke përmendur dy burime që kanë dijeni për ngjarjen, pa i identifikuar ata.

“Ka mundësi të dëgjojmë disa çështje – jo vetëm çështjen Trump – gjatë mandatit të saj, i cili është më i gjatë se zakonisht për një juri të madhe të shtetit të Nju Jorkut, thanë këta persona.”

Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Cyrus Vance ka hetuar marrëdhëniet e biznesit të zotit Trump, para se ai të ishte president për më shumë se dy vjet.

Zyra e tij ka thënë në depozita gjyqësore se po hetonte “veprime të mundshme kriminale të përmasave të mëdha dhe për një kohë të gjatë” në Organizatën Trump, përfshirë mashtrime me taksa dhe sigurimet dhe falsifikimin e regjistrave të biznesit.

Një zëdhënës i zotit Vance, Danny Frost, nuk pranoi të komentonte mbi raportimin e gazetës Washington Post.

Gazeta njofton se kjo lëvizje tregon se hetimi i zotit Vance është në një fazë të përparuar dhe se ai beson se ” ka gjetur prova krimi – që edhe nëse nuk janë kryer nga zoti Trump, janë kryer nga dikush i afërt me të ose nga kompania e tij.”

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Nju Jorkut tha një javë më parë se kishte hapur një hetim penal ndaj kompanisë së zotit Trump, duke rritur rrezikun ligjor për ish-presidentin Trump dhe familjen e tij.

Prokurorja e Përgjithshme Letitia James po heton nëse Organizata Trump ka raportuar në mënyrë të rreme vlerat e pronave për të siguruar hua dhe për të siguruar përfitime ekonomike dhe tatimore.

Zoti Trump, i cili la detyrën në janar, ka mohuar çdo keqbërje.

Javën e kaluar ai sulmoi zonjën James, duke thënë “ne do të kapërcejmë” çdo përpjekje për ndjekje penale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button