Ministri gjerman Michael Roth për vizitë në Shkup, temë qendrore – miratimi i kornizës negociuese

Ministri gjerman i shtetit për Evropën, Michael Roth, do të udhëtojë sot për një vizitë dy-ditore në Maqedoninë e Veriut. Në ditën e parë të qëndrimit të tij në Shkup, Roth do të takohet me nikoqirin e tij, Zëvendës Kryeministrin për Çështjet Evropiane Nikola Dimitrov, transmeton Portalb.mk.

Siç njoftoi Sekretariati për Çështje Evropiane, vizita e Rothit vjen në prag të mbledhjes së qershorit të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, ku ai përfaqëson Gjermaninë, dhe në atë kontekst fokusi i bisedës me Dimitrovin do të jetë në tejkalimin e sfidave dhe perspektivave për miratimin e kornizës negociuese për vendin me qëllim që të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare me BE-në.

“Duke pasur parasysh angazhimin aktiv dhe të zëshëm të Gjermanisë gjatë dhe pas presidencës së BE-së, kjo vizitë është vazhdim i përpjekjeve gjermane për përparim të përbashkët në rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut. Në takim do të diskutohet edhe për të ardhmen e Procesit të Berlinit dhe samitin e planifikuar të mbahet në Berlin këtë vit, si dhe për tema dhe çështje të tjera në lidhje me perspektivën evropiane të vendit dhe rajonit”, thuhet në kumtesën e Sekretariatit për Çështje Evropiane.

Përpjekjet e përfaqësuesve të ndryshëm evropian janë intensifikuar gjatë periudhës së fundit për të zgjidhur mosmarrëveshjen dhe për të mbajtur Konferencën e parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian në qershor gjatë Presidencës portugeze. Ministri i Jashtëm portugez Augusto Santos Silva dhe Komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë Oliver Varheji prezantuan zgjidhjet e propozuara për mosmarrëveshjen, fillimisht në Sofje dhe më pas në Shkup, por asnjë detaj nuk është publikuar deri më tani për publikun, përveç se propozimi nuk prek në çështjet e identitetit maqedonas, si dhe se presidenca portugeze është kujdesur për të dy palët.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, i ka përmbushur kushtet dhe ka marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perëndimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te anëtarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button