fbpx

Presidentët Radev dhe Pendarovski: Nevojitet rinovim i besimit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë

“Bisedat operative mes dy vendeve i udhëheqin qeveritë, kështu do të jetë edhe më tej, ne jemi këtu nëse mundemi ta relaksojmë atmosferën dhe të flasim për problemin i cili ekziston vitin e fundit në një gjuhë tjetër. Mendoj se është e nevojshme të bëjmë rinovim të besimit dhe si miq të bisedojmë edhe për çështjet më të rënda”, tha presidenti Stevo Pendarovski pas takimit me homologun e tij bullgar, Rumen Radev, e cila është mbajtur në Aeroportin në Shkup, njofton Portalb.mk.

Edhe presidenti bullgar theksoi se udhëtimi i përbashkët për në Romë është rast i shkëlqyer për ta rinovuar dialogun.

“Udhëtimi i përbashkët në Romë është rast i shkëlqyeshëm që ta rinovojmë dialogun mes dy vendeve në nivel më të lartë dhe ta shprehim vullnetin e përbashkët për zhvillimin e marrëdhënieve në frymën e miqësisë dhe bashkëpunimit”, theksoi Radev.

Pendarovski dhe Radev, pastaj bashkë me avionin e presidentit bullgar do të udhëtojnë në Romë ku do ta vizitojnë bazilikën “Shën Mërija Maxhore”, ku bashkë do t’u japin nderime vëllezërve shën Kirili dhe Metodi.

Në agjendën e takimeve, planifikohet takim edhe me homologun Italian, Serxhio Matarella, ndërsa të enjten planifikohet ngjarje me udhëheqësin e Kishës Katolike Romake, Papa Franceskun, dhe me sekretarin e Selisë së Shenjtë.

Raportohet se një pjesë e aktiviteteve do t’i realizojë së bashku me presidentin bullgar, si vizita në varrin e Shën Kirilit dhe veprat e vëllezërve Kirili dhe Metodij.

Pjesë e delegacionit që do të shoqërojë Pendarovskin gjithashtu do të jenë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe ajo e kulturës, Irena Stefoska.

Ndryshe, qeveria e përkohshme e Bullgarisë është e gatshme të zhvillojë dialog aktiv me Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe të diskutojë mundësitë për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian, tha presidenti bullgar Rumen Radev në takimet me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Layen dhe kryeministrin e Portugalisë, Antonio Kosta dje në Bruksel.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, i ka përmbushur kushtet dhe ka marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perëndimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te anëtarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button