RMV, prerja, gjuetia dhe hedhurinat ilegale janë armiqtë më të mëdhenj të zonave të mbrojtura

Organizatat qytetare apelojnë të shpëtohen zonat e mbrojtura dhe t’u sigurohet ndihmë drejtuesve për ta ruajtur biodiverzitetin,. Prerja dhe gjuetia ilegale, lënia e sasive shumë të mëdha të hedhurinave nga vizitorët e pandërgjegjshëm dhe rrezikimi i botës së gjallë janë rreziqet më të mëdha me të cilat ballafaqohen këto zona në të cilat fshihet pasuria më e madhe natyrore e tokës. Ekologët, gjatë ditëve kur shënohen ditët botërore të biodiversitetit dhe të Natura 2000, dita evropiane e parqeve, si dhe ditët e bletës dhe breshkës, bëjnë apel që zonave të mbrojtura u nevojitet mbrojtje e vazhdueshme që të mos i humbim, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Pandemia e Kovid 19, thonë aktivistët, ka pasur ndikim të konsiderueshëm mbi zonat e mbrojtura në vend, ndërsa më së shumti është reflektuar në rënien e të ardhurave të parqeve.

“Numri i zvogëluar i turistëve përgjithësisht mund të vlerësohet si ndikim pozitiv i presioneve mbi mjedisin jetësor. Megjithatë, ndryshimi në strukturën e vizitorëve dhe numër më i madh turistësh të pandërgjegjshëm, në kombinim me pamundësinë që drejtuesit të sigurojnë prani të rregullt në zona të ndryshme, rezultoi me më shumë shembuj negativ me shqetësim të kafshëve, shkatërrim të biodiversitetit, shkatërrim të infrastrukturës në ato zona, lënie të hedhurinave, gjueti dhe prerje ilegale…”, thonë nga “Eko-vetëdija (Eko svest)”.

Ata i bëjnë apel Qeverisë t’i përcjellë përvojat nga vendet e rajonit ku efektet negative nga pandemia konsiderueshëm amortizohen me financim të rregullt buxhetor të zonave të mbrojtura dhe të fillojë me përkrahje financiare të këtyre zonave, por edhe të vendos mekanizma të rregullt për financim të aktiviteteve për mbrojtje të natyrës që do të mundësojnë funksionim të qëndrueshëm të zonave të mbrojtura dhe mbrojtje të pasurisë sonë më të vlefshme.

Në kohë kur aktivitetet njerëzore, por edhe klimatike krijojnë presion shumë të madh mbi botën e gjallesave, çdo vit me shënimin e Ditës së biodiversitetit numërohen specie të reja të rrezikuara në botë dhe te ne. Sipas Listave të kuqe të specieve të rrezikuara të IUCN nga shekulli 19 deri më sot janë zhdukur 800 specie. Arsyet janë të ndryshme, nga humbja e habitateve, eksploatimi i tepërt dhe specie invazive, deri në ndikimin e ndryshimeve në klimë.

Maqedonia e Veriut ka llojshmëri biologjike të mrekullueshme, mirëpo seriozisht të rrezikuar. Në vend ekzistojnë rreth 22.000 specie nga të cilat rreth 1.000 janë endemike. Ka 82 specie gjitarësh, 332 specie shpendësh 32 specie zvarranikësh dhe 15 specie gjallesa amfibe. Ka edhe 3200 lloje bimësh, mbi 2000 lloje të algave dhe kërpudhave dhe 500 lloje të myshkut. Dhjetëra specie gjenden në listat e kuqe.

Më të njohurat, shkaba kokëbardhë dhe shkaba egjiptiane janë të vetmet që kanë ngelur në Maqedoninë e Veriut dhe janë në listat botërore të shpendëve të rrezikuar, ndërsa shkaba e zezë dhe me mjekër janë shfarosur.

Të rrezikuara janë edhe breshkat, ato e moçaleve, pyjeve, e fushave dhe lumenjve dhe të katër janë në listën e kuqe të zvarranikëve në kategorinë e specieve të lëndueshme. Rreziku më i shpeshtë është humbja e habitateve për shkak të bujqësisë së intensifikuar dhe përdorimit të kimikateve, grumbullimit të tepërt dhe tregtisë me mostrat, ndërsa në rastin e breshkave të ujit edhe tharja e habitateve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button