Mbi 170 milionë banorë të BE-së të vaksinuar “deri në fund të javës”

Deri në fund të javës, në Bashkimin Evropian llogaritet se do jenë të vaksinuar të paktën 170 milionë njerëz me një dozë të vaksinës kundër koronavirusit, apo rreth 46 për qind e popullsisë së rritur, ka njoftuar Komisioni Evropian, raporton REL.

Por, përqindja është e ulët kur analizohen të dhënat e vaksinimit me dy dozat e vaksinës.. Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, vetëm 17.3 për qind e të rriturve në BE kanë marrë dozat e nevojshme që iu ofrojnë atyre mbrojtje të plotë, transmeton dpa.

Agjencia Evropiane e Ilaçeve deri më tani ka miratuar për përdorim vaksinat e kompanive: Pfizer/BioNTech, Moderna, Johnson&Johnson si dhe AstraZeneca. Vetëm vaksina e Johnson&Johnson merret me një dozë. Komisioni Evropian pret që 300 milionë doza të vaksinave të shpërndahen te vendet anëtare deri të dielën.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen i ka quajtur shifrat një “moment historik”, duke nënvizuar se blloku evropian ka bërë “përparim të qëndrueshëm” në drejtim të vaksinimit të qytetarëve të tij.

Njoftimi i BE-së vjen pasi shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus ka paralajmëruar për nivele shqetësuese të pabarazisë në furnizimin me vaksina midis vendeve më të pasura dhe më të varfra.

Rreth 75 për qind e vaksinave janë dërguar në vetëm 10 vende, ka thënë ai. Udhëheqësit e BE takohen të martën për të diskutuar strategjinë e tyre për pandeminë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button