Ministri Boçvarski: Nuk do të legalizojmë luks, ekspertët: Ligji duhet të tërhiqet tërësisht

Ligji për legalizim duhet të tërhiqet pasi stimulon drejt asaj që ndërtimet e egra të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Ky është vlerësimi i pjesëmarrësve në debatin e sotëm publik të mbajtur nga Komisionit për Antikorrupsion në temë “Rregullimi i statusit ligjor të objekteve të ndërtuara pa leje, shkruan Portalb.mk.

Përfaqësues të fushës së urbanizmit, arkitekturës, gjykatës dhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit Jetësor, vlerësuan gjatë këtij debati se, edhe me ndryshime të caktuara ky ligj është i keq dhe miratimi i edhe një ligji të këtillë për ndërtimet e egra lë mundësi që edhe më tej në vend të ndërtohet pa leje. Sipas tyre, nuk duhet as të diskutohet që të legalizohet në zonat e mbrojtura, siç parashihte fillimisht ligji.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski, në fillim të debatit tha se, me ligjin e ri për legalizimin e objekteve pa leje, nuk do të mund të legalizohen shtëpitë e vikendit dhe objektet në zonat e mbrojtura.

“Që të tregojmë se duam të përmirësojmë këtë zgjidhje ligjore, jemi të gatshëm që tërësisht ta përjashtojmë legalizimin në zonat e mbrojtura. Gjithashtu, do të përjashtohen edhe objektet të cilat janë shtëpi e dytë apo shtëpi vikendi, përkatësisht të cilat nuk janë adresa të banimit sipas letërnjoftimit, me çka duam të tregojmë se nuk legalizojmë luks. Gjithashtu, ka mendime që objektet që janë mbi 80 apo 100 metra katrorë të mos mund të legalizohen, sepse atëherë ato shtëpi nuk janë kategori sociale. Jemi plotësisht të vetëdijshëm se ky ligj nuk duhet të përsëritet. Por, me atë që nuk legalizojmë me 1 euro metër katror por sipas çmimit të shërbimeve komunale plus 50 për qind dënim, duam të porosisim se nuk paguhet të ndërtohet pa leje”, tha Boçvarski.

Profesoresha e së Drejtës Kushtetuese dhe ish ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska, duke komentuar deklaratën e ministri Boçvarski se do të legalizohen vetëm adresat e banimit sipas letërnjoftimit, tha se edhe këtu ka zbrazëtira pasi, anëtarë të një familje mund të jetojnë në adresa të ndryshme. Do të thotë, sipas saj, katër anëtarë të rritur të një familje mund të legalizojnë 4 ndërtime pa leje.

“Duke pasur parasysh atë që e shohim si kaos urbanistik, nuk duhet të jeni arkitekt, një qytetar i rëndomtë kur të shëtisë do të shoh se shpesh herë njerëzit në Shkup, të cilët nuk kanë qasje të dritës, për shkak të ndërtesave që janë ndërtuar pranë tyre, jetojnë në kushte më të këqija se psh kafshët në Kopshtin Zoologjik në Vjenë. Nuk mundeni në asnjë mënyrë të dërgoni porosi se i vini fund ndërtimeve të egra, nëse i legalizoni. Një porosi e tillë mund të dërgohet vetëm me rrënimin e ndërtimeve të egra. Është fakt se ligji paraprak që ishte dëshironte të dërgonte të njëjtën porosi, por nuk e arriti këtë.  Nëse është ashtu dhe nëse ka objekte të caktuara të cilat për arsye sociale janë ndërtuar gjatë kohës së zbatimit dhe miratimit të atij ligji, por njerëzit për arsye sociale nuk kanë arritur t’i legalizojnë, në atë rast mund të vendoset procedurë që do të parashikojë që ato objekte që janë përfshirë me atë ligj për shkak të arsyeve sociale, tani do të legalizohen pa kompensim”, tha Deskoska.

Ndërkohë, gjykatësi Vladimir Tufekgjik, vlerësoi se, ligji është kontradiktore në vete, sepse përmban shumë terme dhe kategori juridike, të cilat janë kontradiktore në vetvete dhe në bazë të teorisë dhe shkencës juridike nuk mund të gjejnë vend të tyre në një zgjidhje ligjore.

“Përcaktimi linear i rritjes së kompensimit në 50 përqind nuk është e drejtë, sepse kompensimi nuk mund të jetë i njëjtë në raport me, në këtë kuptim me, dikë që ka ndërtuar në vlerë më të ulët se ata dhe dikush që ka objekt me vlerë më të lartë. Kështu që, propozuesi nuk ka bërë aspak gradim për këtë. Sipas mendimit tim, ligjvënësi fillimisht duhet të veprojë drejt formulimit të drejtë dhe miratimin të aktit apo nënaktit ligjor me të cilin do të vërtetohet obligim për evidencë të objektet e ndërtuara pa leje, në të cilin do të jetë obligim i kadastrës shtetërore që të jep listë të evidencës ku do të qëndrojë”, sqaroi Tufekgjik.

Sasho Bllazhevski nga Asociacioni i Arkitektëve vlerëson se momentalisht po ndodhë erozion i profesionit në raport me atë se ku ndërtohet dhe ku mund të ndërtohet.

Ndërsa, sipas profesoreshës së Fakultetit Arkitektonik, Divna Pençiq, tha se duhet fillimisht të shihet nëse ndërtimet pa leje mund të përshtaten në dokumentacionin aktual të planifikimit dhe më pas të miratohet ligj.

“Para se të lejohet legalizimi, është shumë e rëndësishme nëse ai objekt do të përshtatet në dokumentacionin e planifikimit. Nuk mund të bëhen plane të reja që të përshtaten ato objekte pa leje, por duhet të shihet nëse mund të përshtaten në dokumentacionin aktuale të planifikimit dhe më pas, të lejohet planifikimi”, tha Pençiq.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 11 maj votoi ligjin për legalizimin e objekteve pa leje të propozuar nga Ministria e Transportit, me mbështetje nga deputetë edhe të pushtetit edhe të opozitës. “Pro” kanë votuar 72 deputetë, tre ishin “të përmbajtur”, ndërsа pesë “kundër”.

Por, presidenti Stevo Pendarovski, vendosi veto mbi ligjin më 14 maj dhe e ktheu në Kuvend. Kompetencat e tij kushtetuese, në të cilat thirret ai, janë përcaktuar në nenin 75 të Kushtetutës i cili përcakton që në rast se Kuvendi sërish e miraton Ligjin me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, atëherë presidenti e ka obligim ta nënshkruajë Dekretin.

Në vërejtjet e tij, Pendarovski ka thënë që Ligji nuk është kushtetues për shkak se ofron amnisti për persona fizik dhe firma për ndërtim pa leje dhe që në atë mënyrë stimulohet mosrespektim i dispozitave juridike. Ai e kontestoi edhe nenin nga Ligji me të cilin parashihet legalizim i objekteve pa leje në zona të mbrojtura dhe parqe nacionale, me arsyetim që ka shkelje të obligimit themelor të shtetit për ta mbrojtur mjedisin jetësor.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button